1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman 06 prill 2006

6 Prill 2006

Vendimet e marra në Bruksel në lidhje me financat e BE-së, si dhe me liberalizimin e tregjeve të punës në vendet anëtare janë në qendër të vëmendjes së shtypit të sotëm gjerman. Tema të tjera janë integrimi i të huajve dhe sidomos i fëmijëve të emigrantëve në Gjermani, si dhe gripi i shpendëve.

https://p.dw.com/p/ArqZ
Fotografi: BilderBox

"Bregu shpëtimtar u arrit, debatet për krizën financiare të BE-së morën fund. - shkruan gazeta "Këlner Stadt-Anzeiger".

Gëzimi për këtë është i kuptueshëm vetëm nga një këndvështrim, pra që pas dështimit të takimit të nivelit të lartë për financat ishte në diskutim aftësia financiare e BE-së dhe mbijetesa e BE-së. Sa u përket themeleve të krizës nuk duket se ka ndryshuar shumë. Madje edhe vetë kritika ndaj zbukurimeve që u bëhen përfundimeve të takimit prej pjesëmarrësve, e humbet rëndësinë për shkak të gjendjes dramatike. Nëpunësit e BE-së në Bruksel dhe Straßburg kanë vetëm dy-tre vjetë kohë për të reformuar finacimin e BE-së. Edhe një sukses si i tanishmi duhet, dhe Evropa merr fund."

Gazeta "Volksstimme" (Magdeburg) trajton liberalizimin e tregjeve të punës në vendet e BE-së:

"Papritur Gjermania gjendet në bankën e turpit të Brukselit dhe të Straßburgut. Hapni dyert për punëtorët evropiano-lindorë, thërret shumica e euro-parlamentarëve duke u bashkuar me komisarin e BE-së për punën, çekun Vladimir Spidla. Mos po e frenon me të keq Gjermania hapjen e tregut të punës për evropiano-lindorët? Sa për kujtesë Gjermania, si edhe Austria, kishin vënë si kusht për zgjerimin e BE-së në 2004, që për shtatë vjet të mos lejohej liberalizimi i tregut të punës për vendet e reja anëtare. Sigurisht vende që po përpjetojnë bum ekonomik, si Britania e Madhe, Irlanda apo Suedia kanë bërë një përvojë të mirë me dyndjen e evropianolindorëve. Por Gjermania duhet të këmbëngulë për marrëveshjen ekzistuese për tregun e punës, sepse për fat të keq vendi nuk përjeton ndonjë bum të tillë, që ta bëjë të jetë barkgjërë."

Gazeta "Mittelbayerische Zeitung", që botohet në Regensburg, u referohet debateve në Bundestag për çështjet e integrimit të të huajve në Gjermani.

"Ndoshta një takim i nivelit të lartë për çështjet e integrimit, nismë të cilën kancelarja nuk e ka marrë ende, do të ndihmonte që debatet të zhvilloheshin më objetive me synim zgjidhjen e problemit. Ne kemi nevojë për një koncept integrimi afatgjatë, i cili duhet të finacohet prej federatës, landeve dhe komunave dhe të ketë karakter detyrues. Parrullat e thjeshta nuk të vijnë shumë në ndihmë."

Gazeta "Këlnische Rundschau" trajton çështjen e testeve parashkollore për gjermanishten për fëmijët e emigrantëve.

"Dy testet parashkollorë të gjermanishtes, si kusht për t'u regjistruar në shkollë, që janë përfshirë në ligjin e landit Nordrajn Vestfalisë për shkollat, përbëjnë një hap në drejtimin e duhur, sikurse thonë politikanët. Po ky është vetëm një hap, dhe madje një hap tepër i shkurtër. Për t'u lavdëruar është që qeveria e re e landit më fund dëshiron t'i japë fund mungesës së organizuar të interesit në lidhje me shkollimin e fëmijëve që nuk e zotëronin mirë gjermanishten. Sa u përket mjeteve për arritjen e synimeve, ministria e arsimit e landit Barbara Sommer, nuk shkon aq larg sa duhet. Do të hapen disa vende pune shtesë si dhe janë përcaktuar disa rregulla të mjegullta për mësimin shtesë, por të gjitha këto janë larg modelit të sukseshëm të Bavarisë apo të Finlandës."

Kalojmë në temën tjetër, gripin e shpendëve, i cili me sa duket është përhapur edhe ndër shpendët shtëpiake. Fillimisht citojmë nga gazeta "Westfälische Nachrichten" (Münster):

"Në rast se vërtetohen dyshimet e specialistëve, se për herë të parë prej gripit të shpendëve janë prekur edhe shpendët shtëpiakë, kjo do të thotë një katastrofë për rritësit e shpendëve dhe tregtarët. Pas rregullave gjithnjë e më të ashpra të viteve të kaluara, ata duhet të llogarisin edhe me më tepër kufizime, madje edhe me ndalimin e eksportit të shpendëve. Reagime do të ketë edhe prej konsumatorëve. Sidomos në ato zona ku ka shumë ferma shpendësh. E vetmja shpresë është që masat që po merren për luftimin e epidemisë së shpendëve të jenë të sukseshme."