Pasqyra e shtypit gjerman 02.08.2005 | Studimi në Gjermani | DW | 01.08.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit gjerman 02.08.2005

Gazetat e sotme gjermane fokusohen tek dueli televiziv mes kancelarit gjerman Gerhard Schröder dhe kandidates së unionit opozitar Angela Merkel. Temë tjetër e shtypit të sotëm gjerman është edhe debati mbi programin bërthamor të Iranit.

Kandidatja e Unionit CDU, Angela Merkel

Kandidatja e Unionit CDU, Angela Merkel

Gazeta Der Tagesspiegel nga Berlini fokusohet tek dueli televiziv politik në Gjermani dhe shkruan:

"A është e mundur që një duel i vetëm televiziv të rrezikojë qëllimin e zonjës Merkel? Kjo është tema mbi të cilën debatojnë kancelari Schröder dhe konkurrentja e tij, e cila sillet sikur i ka fituar zgjedhjet. Por Merkel nuk do t´i përgjigjet kësaj pyetjeje. Sipas zëdhënësit të saj Villi Hausman, Merkel dëshiron të flasë direkt me njerëzit. Ajo preferon më shumë kontaktin e drejtpërdrejtë sesa atmosferën sterile të televizionit, tha Hausman. Por ndonëse ky shpjegim mund të tingëllojë si një argument i bindshëm, Merkel nuk mund ta fshehë dot shqetësimin mbi një debat me kancelarin gjerman, taktika retorike e të cilit konsiderohet si brilante. Të gjithë e dinë se nga çfarë ka frikë Merkel: Kundërshtari i saj është shumë më i fuqishëm se ajo vetë. Por ajo nuk mund ta injorojë krejtësisht këtë opcion. Amerikanët kanë dëshmuar se i vlerësojnë debatet televizive mes politikanëve dhe përpara se të zhvilloheshin zgjedhjet e fundit parlamentare në Gjermani, Schröder dhe Stoiber zhvilluan disa debate të ngjashme televizive. Ndonëse debate të tilla nuk mund ta influencojnë seriozisht rezultatin e zgjedhjeve, Merkel duhet të ketë kujdes që njerëzit të mos fillojnë ta quajnë atë frikacake kaq pak kohë përpara zgjedhjeve."


Ndërkohë gazeta Rhein-Neckar-Zeitung nga Heidelbergu komenton:

"Kandidati i opozitës nuk quhet më kot "kundërshtar". Në këtë rast kemi të bëjmë me një kundërshtare. Në një shoqëri të zhvilluar mediatike është e pamundur të fshihesh pas kalendarit plot takime dhe të deklarosh se nuk ke kohë për një duel televiziv. Mospranimi i kandidates së unionit për një duel të tillë televiziv është një pikë në favor të kancelarit Schröder. Ndonëse shfaqje të tilla televizive nuk pasqyrojnë me të vërtetë realitetin politik, ato e tregojnë nga afër personin, të cilin votuesit e zgjedhin dikur. Merkel ka shumë gjëra për të thënë. Gjatë gjithë fushatës së saj elektorale ajo e akuzon Schröderin për shumë gabime politike. Pra ku qëndron problemi?"

Edhe gazeta Die Welt shkruan:

"Duelet televizive e pasurojnë debatin politik. Duele të tilla fokusohen tek debatet gjatë fushatave zgjedhore dhe politikanët qëndrojnë përballë njëri-tjetrit. Përpara kamerave televizive sundon ligji i komunikimit: Ai politikan që përdor argumentet më të forta dhe më të besueshme fiton. Kamera i detyron politikanët të tregojnë shpesh fytyrën e tyre të vërtetë. Por ky është një rrezik që duhet ta marrë parasysh çdo politikan që beson se ka një plan të sigurtë për të ardhmen."

Gazeta Reutlinger General-Anzeiger komenton:

"Kanalet televizive publike qëndrojnë përpara një dileme kur ofrojnë debate televizive mes politikanësh, sipas modelit amerikan. Por këtu bëhet fjalë për zgjedhjen e 600 deputetëve nga rradhët e shumë partive. Debatet televizive nuk përbëjnë rrezik vetëm për kandidatët por edhe për vetë telespektatorët, sepse ato nga njëra anë i shërbejnë sqarimit politik dhe nga ana tjetër fshehin pikërisht këtë fenomen."

Ndryshojmë temë. Gazeta Kölner Stadt-Anzeiger përqëdrohet tek programi bërthamor i Iranit dhe komenton:

"Teherani ja arriti ta çojë debatin deri në fund. Ndoshta tani ka ardhur koha që kjo çëshjte të shtrohet përpara Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe madje që Irani të kërcënohet me një embargo ekonomike. Por sanksione të tilla nuk do të dëmtonin vetëm Iranin por edhe vetë BE-në. Sidoqoftë një biznes i dështuar është më mirë se një Iran i mbushur me armë bërthamore."


Dhe së fundi gazeta Frankfurter Rundschau shkruan:

"Dorëheqja e plotë e qeverisë së Iranit nga zhvillimi i programit bërthamor duke edhe më e largët se përpara 4 muajsh. Situata është tepër kritike. Evropianët ndodhen përpara një situate të vështirë, sepse amerikanët deklaruan që në fillim se nuk duan të argumentojnë gjatë me Iranin. Por në përpjekjet e evropianëve për të gjetur një kompromis të përbashkët me Iranin, do të mungojnë elemente të rëndësishme amerikane. Ndoshta kjo situatë do të shkaktojë dështimin e plotë të dialogut me Teheranin. Qeveria amerikane shfaqet skeptike ndaj deklarateve të Iranit. Por nëse dialogu i evropianëve me Iranin do të dështojë, atëherë do të përballemi me një krize të re."


  • Data 01.08.2005
  • Autor S.H
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AruN
  • Data 01.08.2005
  • Autor S.H
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AruN