1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit evropian

2 Korrik 2005

Në qendër të komenteve të gazetave evropiane të javës së kaluar ishte sigurisht mocioni i dështuar i votëbesimit ndaj kancelarit gjerman Gerhard Schröder dhe takimi mes presidenti amerikan Xhorxh Bush dhe kancelarit gjerman në Uashington.

https://p.dw.com/p/Arus

Gazeta italiane La Repubblica shkruan mbi mocionin e votëbesimit ndaj kancelarit gjerman Schröder:

"Kancelari social demokrat, i cili nuk kritikohet vetëm nga votuesit e tij por edhe nga krahu ortodoks i partisë së tij, ja arriti më në fund qëllimit që kishte që prej muajit muaj - deputetët gjermane nuk ja dhanë besimin e tyre Schröderit për të qeverisur më tej. Kështu u hap kriza qeveritare dhe u krijua situata institucionale për zgjedhje të rjea parlamentare në shtator."

Gazeta londineze The Daily Telegraph e konsideron të dështuar politikën e Schröderit:

"Me Agjendën 2010 Schröder filloi më në fund reformat e shumëpritura, por ai nuk mundi t´i bindë socialdemokratët që ta mbështesin politikën e tij. Por po të kujtojmë zgjedhjet e fundit parlamentare në Gjermani në vitin 2002, kur Schröder fitoi kundër Edmund Stoiber me vetëm disa vota më shumë, mund të themi se Schrödër mund të bëjë një fushatë të shkëlqyer zgjedhore kur ndodhet nën presion. Por koha dëshmoi tashmë se ai është një politikan joefektiv."

Ndërkohë gazeta franceze France Soir sheh ende shanse për kancelarin Schröder:

"Zgjedhjet e reja parlamentare janë shansi i vetëm që ka kancelari gjerman për të konkretizuar projektin e reformave ekonomike dhe sociale. Iniciativa e kryetarit të qeverisë gjermane mund të quhet lirisht vetëvrasje politike. Por 61 vjeçari që ka 7 vjet që qeveris Gjermaninë, ka arritur edhe më parë të pamundurën. Duket sikur Gerhard Schröder ka ndërmend t´i destabilizojë kundërshtarët e tij kristian demokratë dhe ta çorientojë rivalen e tij pa përvojë politike Angela Merkel."


Gazeta The Guardian nga Londra komenton:

"Ndoshta Schröder shpreson që votuesit t´i krahasojnë kandidatët e qeverisë dhe ata të opozitës dhe më pas të shohin se socialdemokratët dhe të gjelbërit janë shumë më të aftë se kristian demokratët. Mjafton të krahasojmë fjalimet e mira të Schröderit dhe Fischerit në Bundestag me fjalimet e lodhshme të përfaqësuesve të kristian demokratëve."

Ndryshojmë temë. Gezeta ruse Isvestija komenton vizitën e kancelarit Gerhard Schröder tek presidenti amerikan Xhorxh Bush në Uashington:

"Vizita e shpejtë e Schröderit në Uashington, ishte me siguri vizita e tij e fundit. Presidenti amerikan e ndjen se koha e kancelarit gjerman po mbaron. Qeveria amerikane pret tani një fillim të ri me kryetaren e kristian demokratëve Angela Merkel. Sipas burimeve nga Uashingtoni, Merkel është më e kujdesshme që marrëdhëniet transatlantike të funksionojnë sa më mirë."

Edhe gazeta austriake Salzburger Nachrichten shkruan:

"Shtëpia e Bardhë kishte një arsye të veçantë për të mos e bërë shumë publike vizitën e Schröderit. Strategët e presidentit amerikan duan ta evitojnë mundësinë që vizita e kundërshtarit të zjarrtë të luftës në Irak, të interpretohet si përpjekje e opinionit publik ndërkombëtar për t´u tërhequr më në fund nga Iraku. Por ironik është fakti se tani ka më shumë amerikanë që mendojnë si kancelari gjerman, sesa përpara fillimit të luftës në Irak."

Dhe së fundi në gazetën spanjolle ABC lexojmë:

"Pamjet e dhunshme nga Iraku dëshmojnë se ky vend nuk del dot nga konflikti. Presidenti amerikan Bush kërkon më kot që opinioni publik ta mbështesë politikën e tij në Irak. Vizita e kancelarit gjerman Gerhard Schröder erdhi në kohën e duhur. Ndonëse askush nuk pret që Gjermania ta ndryshojë pozicionin e saj lidhur me luftën në Irak, Bush mundi ta shesë përpara opinonit publik vizitën e Schröderit në Uashington si një pajtim politik me të paktën një pjesë të Evropës."