Pasqyra e shtypit evropian | Studimi në Gjermani | DW | 01.04.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit evropian

Përpara një jave në landet gjermane Baden-Vyrtenberg, Rheinland Falz dhe Sachsen-Anhalt u zhvilluan zgjedhje të reja parlamentare. Këto zgjedhje u vlerësuan nga komentatorët e gazetave evropiane të javës që sapo kaloi, si prova e parë e qëndrueshmërisë së koalicionit të madh zi-kuq në Berlin.

Gazeta spanjolle EL PAÍS nga Madridi shkruan:

"Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe zëvendëskancelari Franz Myntefering, të cilët e udhëheqin koalicionin e madh, e kaluan me sukses provën e tyre të parë. Në rast se njëri nga këta dy partnerë do të kishte pësuar një humbje, atëherë marrëdhënia berlineze qeveritare do të rrezikohej nga paqartësi, kaos dhe xhelozira. Fitorja e qartë e demokratëve kristianë në landin e Baden Vyrtenbergut u plotësua në mënyrë harmonike nga fitorja e socialdemokratëve në landin e Rheinland-Falzit. Humbësit më të mëdhenj të këtyre zgjedhjeve parlamentare janë partia liberale gjermane FDP dhe politikani Oscar Lafontaine."

Edhe gazeta austriake SALZBURGER NACHRICHTEN arrin në të njejtin konkluzion:

"Humbësja e vërtetë është partia liberale FDP. Liberalët nuk do të luajnë më asnjë rol në Këshillin Federativ, sepse askush nuk ka nevojë për liberalët, për të vendosur reformën e re federaliste. Humbëse tjetër e këtyre zgjedhjeve është Partia e Majtë, e cila nuk ja doli mbanë të zërë vend edhe në perëndim të Gjermanisë. Me këto rezultate duhet të ketë marrë fund përgjithmonë ëndrra e Gregor Gysit dhe Oscar Lafontain, se në Gjermani të gjithë majtistët do të bashkohen një ditë në një forcë të vetme politike."

Gazeta suedeze SVENSKA DAGBLADET fokusohet tek fituesit e zgjedhjeve parlamentare:

"Sukseset e zgjedhjeve rajonale të ditës së dielë janë rezultati i koalicionit të madh, të cilin gjermanët e zgjodhën qëllimisht. Ndonëse deri tani Merkel ka shumicën e vendeve në Parlament dhe në Këshillin Federativ, koha do të tregojë nëse partneritetet e Merkelit janë vërtet aq efikase sa beson ajo."

Gazeta vieneze DIE PRESSE mendon gjithashtu kështu:

"Partitë CDU dhe SPD duhet ta shpejtojnë sa më parë hapin, në rast se duan vërtet që Gjermania të zhvillohet më tej. Asnjë nga tri partitë e mëdha të koalicionit, nuk ka pse i kushton shumë vëmendje vendeve që zënë në rajone të caktuara. Qeveria gjermane mund të ecë me hapa shumë më të shpejtë po të dojë, sepse deri në vjeshtë të këtij viti, nuk do të zhvillohen më zgjedhje. Kjo është koha më e favorshme për të gjithë periudhën legjislative të koalicionit të madh, për të kryer më në fund reformat aq të domosdoshme në Gjermani. Të gjitha ato që Merkel i lë tani pasdore, do të kthehen dikur në pengesa të mëdha për politikën e kancelares gjermane."

Gazeta franceze LE MONDE nga Parisi është skeptike përsa i përket suksesit të reformave që do të kryen në të ardhmen në Gjermani:

"Me fitoren e sigurtë të zgjedhjeve parlamentare në tri lande, koalicioni i madh gjerman mund të fillojë tani reformat e premtuara në programin e tij qeveritar. Reforma e parë do të jetë në sektorin e shëndetësisë. Rezultati i mundshëm i kësaj reforme do të jetë një përzjerje e gjysmë-masave që do të propozohen nga partnerët e koalicionit, ndonëse dihet se kuota mujore që paguajnë gjermanët për sigurimet shëndetësore do të rritet dhe niveli i shërbimit shëndetësor do të ulet në mënyrë të ndjeshme."

  • Data 01.04.2006
  • Autor Thomas Grimmer
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arqc
  • Data 01.04.2006
  • Autor Thomas Grimmer
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arqc