1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit 12.10.2005

12 Tetor 2005
https://p.dw.com/p/ArtQ
Arushi "Enxhi"
Arushi "Enxhi"Fotografi: dpa

Tema dominuese e shtypit të sotëm gjerman është arritja e marrëveshjes që kancelare e Gjermanisë të bëhet Angela Merkel si dhe mosmarrëveshjet në radhët e partnerëve të ardhshëm të koalcionit në lidhje me shpërndarjen e posteve.

Fillimisht citojmë nga gazeta "Westfälische Nachrichten" që botohet në Mynster:

"Duket se strategët politikë të partnerëve të koalicionit të madh nuk i kanë përpunuar ende si duhet mosmarrëveshjet. E qartë është vetëm se kancelare do të bëhet Angela Merkel. Po sa e pushtetshme është ajo? Diskutimi i kësaj çështjeje jo vetëm në radhët e socialdemokratëve, por edhe në radhët e demokristianëve, bën të qartë se sa i pasigurt është terreni i kancelares së ardhshme. Si figura drejtuese e një koalicioni të madh, Angla Merkel do të ketë aq pushtet dhe forcë, sa do të jetë në gjendje ta mbajë në unitet bashkimin demokristian, kristiansocial."

Vazhdimi i mbështetjes nga radhët e simotrës bavareze të demokristianëve duket se do të jetë problematik për kancelaren e re, mendon artikullshkruesi i "Neue Westfälische Zeitung" që botohet në Bilefeld:

"Shefi i kristiansocialëve mendon se Angela Merkel nuk do të jetë në gjendje që në kuadrin e një koalcioni të madh të ushtrojë të drejtën që i jep posti për të përcaktuar kompetencat dhe drejtimin e punës së qeverisë. Mesazhi i fshehtë është që Merkeli vërtet do të bëhet kancelare, por ajo nuk ka në dorë asgjë. Në një mënyrë të tillë duhet të kuptohet edhe deklarata plot dashuri e Stoberit, që Merkeli do të kujdeset në radhë për parë për zhvillimin e landeve lindore të Gjermanisë. Këto fjalë dalin nga goja e dikujt që mendon se posti i kancelarit në fakt i takon atij. Angela Merkeli nuk është për t'u pasur zili. Me tetë ministra nga radhët e socialdemokratëve në kabinet si dhe me një mik të tillë si Edmund Stoiberi në krah, puna e saj si kancelare nuk do të jetë e lehtë. Po ajo e kërkoi vetë këtë."

Edhe gazeta "Offenbacher Post" trajton vështirësitë që do të ketë Merkeli për të drejtuar vendin si kancelare, shprehet gjithsesi me besim për aftësitë e kancelares së re:

"Ende pa ardhur mirë në pushtet Angela Merkel, kryetarët e CSU dhe të SPD-së ngritën pretendimet e tyre për të qenë bashkëkancelarë. Merkeli le të vazhdojë ta quajë veten kancelare, por këtë vetëm nën regjinë e Stoiberit apo të Franz Myntefering, nga SPD. Që në fillim partnerët e ulur në tryezën e kabinetit qeveritar po përpiqen të bëjnë të qartë se cili është mjeshtri dhe cili çiraku. Natyrisht që në rast se nuk duam që një koalicion i madh i përbërë nga partnerë barabart të fuqishëm të dështojë, dëshirat e njërit apo të tjetrit merren parasysh në mënyrë të veçantë. Merkeli e ka ndjesinë e pushtetit dhe ka aq përvojë politike sa të punojë në kuadër të një konstelacioni të tillë. Stoberi dhe Myntefering nuk janë meshkujt e parë që do të dilnin të humbur duke matur forcat me të."

Gazeta "Mitteldeutsche Zeitung" që botohet në Halle trajton kritikat dhe mosbesimin në radhët e SPD-së kundrejt kancelares Merkel:

"Deklaratat e disa prej politikanëve kryesorë të SPD-së ndaj Merkelit tingëllojnë sikur të dyja partitë të mos ishin dakord për koalicion. Deklarata të tilla që Merkeli nuk e është për kancelare, kur ajo s'ka filluar ende nga puna, tregon keqdashje dhe zili pa vend. Një qëndrim i tillë është jo i zgjuar edhe për faktin se nëse Merkeli do të ishte një kancelare e dobët, prej kësaj do të vuante i gjithë koalicioni i madh. Besimi dhe shpresa se kancelarja do të jetë e fortë, përbën për momentin një imperativ edhe për socialdemokratët."

Së fundi citojmë nga gazeta "Këlner Stadtanzeiger":

"As Shrëderi dhe as Merkeli nuk janë përpjekur deri tani seriozisht për t'i bindur qytetarët për domosdoshmërinë e ndryshimeve dhe për t'u hequr atyre frikën. Në këtë pikë ata të dy ngjajnë. Edhe presidenti nuk ka rënë deri tani në sy për ndonjë ndjenjë të veçantë sensibiliteti. Angela Merkel mund të mësojë prej gabimeve të Shrëderit. Në rast se ajo arrin që në kuadrin e një koalicioni të madh të përfshijë në procesin e reformave mesin e shoqërisë, atëhere Gjermania do të fitojë dhe zgjedhësit do ta ndjenë se kanë votuar si duhet."