1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit 05.01.2006

S.H4 Janar 2006

Shtypi i sotëm gjerman fokusohet tek debati mbi gazin natyror mes Rusisë dhe Ukrainës dhe pasojat që ka sjellja kokëforte e Putinit për furnizimin e Evropës me gaz dhe naftë

https://p.dw.com/p/Ars3

Gazeta Frankfurter Rundschau shkruan:

"Marrëveshja mes dy palëve nuk do të thotë se tani mund të qetësohemi. Konflikti ishte vetëm një breshër i shkurtër. Imperializmi i lëndëve natyrore triumfoi sërish! Ai që ka në duar lëndë natyrore energjitike, pa rëndësi nëse kjo lëndë ka formë gazi apo nafte, ka në duar një armë të fuqishme. Rusia na dëshmoi fare qartë se çfarë është në gjendje të bëjë."


Gazeta Märkische Oderzeitung nga Frankfurti mbi Main komenton:

"BE po reagon i lehtësuar më shpejt seç duhet. Evropianët duhet të kuptojnë më në fund se politika "përça e sundo" e Putinit nuk është vetëm politikë energjitike, por politika e jashtme ruse. Kancelarja gjermane, Merkel nuk dha asnjë koment lidhur me këtë temë. Unioni kristian demokrat-kristian social, i cili përdori tone të ashpëra kundër Rusisë gjatë fushatës së fundit zgjedhore, ka marrë tani formën e preferuar të politikës së ëmbël me Rusinë, të Gerhard Schröderit. Por Perëndimi duhet ta ketë gjithmonë parasysh strategjinë e Putinit, e cila është kontroll i plotë nga brenda dhe ndikim masiv nga jashtë."


Gazeta Thüringer Allgemeine nga Erfurti shkruan:

"Qeveria ruse dhe ajo ukrainase e vunë re më në fund, se po sharronin një degë në të cilën ishin ulur të dyja. Prandaj ishte mëse e logjikshme që të gjendej sa më parë një kompromis. Evropa e Mesme dhe Perëndimore konstatuan të tmerruar, se furnizimi me gaz nga Rusia, i cili ishte gjithmonë i përpiktë madje edhe gjatë kohës së luftës së ftohtë, varet tani nga dëshirat dhe qëllimet e Moskës. Ajo që ndodhi me Ukrainën, ishte për BE-në një sinjal i qartë që të fillojë të kërkojë burime të tjera alternative për furnizim me gaz dhe naftë nga vendet e Evropës Lindore."

Gazeta Handelsblatt nga Dyseldorfi shkruan:

"Marrëveshja mes Rusisë dhe Ukrainës vjen shumë më shpejt se sa e kishim përfytyruar. Por kompromisi do të jetë afatgjatë vetëm në rast se të dyja palët do t´u përmbahen kushteve. SHBA-s dhe BE-ja duhet të ndërmjetësojnë për një dialog mes Moskës dhe Kievit, në të cilin do të zgjidhet përfundimisht çështja e furnizimit me gaz. Shumë media ndërkombëtare e karikaturojnë Putinin si një despot të frikshëm të Kremlinit dhe e lavdërojnë Jushçenkon si një figurë të vërtetë demokratike. Por në të vërtetë ty dy këta persona ndjekin të njejtin stil politik postsovjetik."

Gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung komenton:

"Vetëm pak javë debat mbi gazin natyror dhe Gasprom do t´i kishte bërë Putinit atë që s´ja bëri dot as Çeçenia. Por debati i ardhshëm mbi gazin do të ndodhë së shpejti. Vetëm se këtu duhet të sqarojmë më parë pyetjen nëse ndërkohë këshilltarët e Putinit do të dëshmojnë se kanë pasur të drejtë, apo jo. Sidoqoftë nuk ka pse shqetësohemi nëse zonja Merkel do të bëjë gabimin t'a kthejë sërish marrëdhënien me Rusinë në një "miqësi burrash". Por nga ana tjetër Merkel bën mirë që nuk bie në kurthin e një aksioni histerik, i cili në një farë mënyre pritej nga shumë qarqe politike në vend. Ndoshta ekuilibri i fuqive funksionon nganjëherë edhe pa vepra; si tani gjatë krizës së gazit. Meqë ra fjala për ekuilibër: Ku është Schröderi?"

Dhe së fundi në gazetën Badisches Tagblatt nga Baden Baden lexojmë:

"Jo vetëm sfondi politik mbetet i turbullt. Edhe vetë kompromisi i sapogjetur nuk do të zgjasë shumë kohë. Konflikti i ardhshëm do të jetë debati që nisi mes Moskës dhe Kievit mbi sasinë e gazit që kërkon Ukraina nga Rusia dhe sasinë që është e gatshme t´i japë Rusia Ukrainës."