1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypi gjerman

Esat Ahmeti12 Nëntor 2003
https://p.dw.com/p/As4Q
Tema qendrore në shtypin e sotëm gjerman janë vendimi i grupit parlamentar të Partisë Socialdemokrate për rritjen e shpenzimeve të shkollimit profesional në Gjermani dhe vendimi i një gjykate ruse për vazhdimin e paraburgimit të manjatit të naftës, miliarderit rus, Michail Çodorkovski.

Grupi parlamentar i Partisë Socialdemokrate vendosi me shumicë votash për të rritur shpenzimet për shkollimin profesional. Lidhur me këtë Berliner Kurier shkruan:

"Ministri socialdemokrat i punës Volgang Klement vazhdon ende të kundërshtoj me ngulm. Megjithatë kancelari Schröder ka thënë "Mjaft" dhe në këtë mënyrë qeveria e drejtuar nga socialdemokratët do të rris shpenzimet për shkollimin profesional. Kjo është një ide e mirë. Kjo për faktin se jo krejt çka duhet të rregolloj tregu edhe rregullohet. Nëse tregu nuk do të hap më vende për shkollim profesional, kështu paraqitet gjendja sot, atëherë duhet të ndihmoj politika. Kjo është politika aktive sociale dhe një obligim përkujdesjeje ndaj të rinjëve", shkruan Berliner Kurier.

Poashtu edhe gazeta Rheinpfalz e cila botohet në Ludvigshaven e vlerëson pozitivisht vendimin e Partisë Socialdemokrate.

"Ekonomia ndërtimore që në vitet e 70-ta pat marrë rrugën që përmes një kontributi të caktuar me marrëveshje të gjithë të marrin pjesë në shpenzimet e shkollimit profesional. Përkundër krizës disavjeçare ky sektor ende njofton për një kuotë mbimesataren e shkollimit dhe një shtim të vendeve të reja për shkollim profesional. Sindikatat dhe punëdhënësit e fushave tjera të ekonomisë duhet të përgjigjen në pyetjen pse nuk kanë ndjekur këtë shembull por detyrojnë tani politikën të mirren me këtë problematikë", lexojmë në gazetën Rheinpfalz.

Ndërkaq gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung mban qëndrim tjetër:

"Me çfarë të drejte shteti dëshiron të urdhëroj për kuota të caktuara sipërmarrësit e tij, punëtoritë si koncernet e automobilave për shkollimin profesional. Kjo nuk është asgjë tjetër përveç se një ndërhyrje në pronën private, të cilën nuk duhet të lejohet patjetër nga një ekonomi e tregut social. Kjo për faktin se në një ekonomi të tregut duhet të jenë vet ndërrmarrjet ato që interesohen për shkollim profesional. Më mirë sesa ndërrmarrja e masave ndëshkimore do të ishte të mendohet për joshjen e të rinjëve për shkollim profesional", shkruan Frankfurter Allgemeine Zeitung.

Përfundimisht Berliner Zeitung trajton vazhdimin e paraburgimit për manjatit rus të naftës, Michail Çodorkovski:

"Nocioni i Putinit për pronën ka shumë pak të bëj me origjinën e presidentit dhe ekipit të tij nga nomeklatura socialiste. Për më tepër rrënjët e këtij nocioni shtrihen diku në traditat ruse. Një thelb i të kuptuarit të pushtetit carist vazhdon të ketë ndikimin e vet. Putin nuk dëshiron shtetëzimin. Por prona për të është një koncezion, që ndahet nga pushtetmbajtësi por edhe mund të mirret sërish me plot të drejtë nga ai. Në këtë mënyrë tani ai i merr kontrollin e koncernit të naftës "Jukos" manjatit rus Çodorkovski".

Rasti Çodorkovski në Rusi komentohet sot edhe nga Deutsche Velle. Në komentin redaksional, Miodrag Soric shkruan:

"Takohen njëherë një rus dhe një amerikan dhe fillojnë të zihen se në cilin vend është më e madhe liria politike. Amerikani thotë: unë mund të shkoj para Shtëpisë së Bardhë dhe të bërtas me zë të lartë se presidenti Regan është i krisur dhe me mua nuk do të ndodh asgjë. Ia kthen rusi: as në Moskë nuk dallon shumë. Edhe unë mund të dal në Sheshin e kuq dhe të bërtas me zë të lartë se presidenti Regan është një idiot. As mua nuk do të më ndodh asgjë. Edhe pse kjo anekdotë është treguar në kohën e regjimit sovjetik siç duket prej atëherë gjërat nuk kanë ndryshuar shumë. Të paktën kjo vlen për Rusinë. Ngritet një miliarder rus dhe kritikon presidentin Putin, dhuron disa milionë dollarë për partitë opozitare, fondacionet dhe Organizatat joqeveritare dhe shefi i Kremlinit e ndjen veten aq shumë të rrezikuar, shkon aq larg, sa e fut manjatin e naftës në burg si të ishte krimineli më i kërkuar i Rusisë, i konfiskon një pjesë të pasurisë dhe vendos kontrollin mbi disa miliarda të tij. Gjendje krejt tjetër paraqitet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Miliarderi Xhorxh Soros thotë se presidenti Xhorxh Bush paraqet citoj "rrezik për botën" andaj duhet të largohet nga pushteti. Ai ka dhuruar pesë milionë dollarë për një fushatë kundër Bushit e megjithatë jeton i patrazuar në liri, shkruan në komentin e tij Miodrag Soric.