1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasojat e bllokadës serbe për eksportuesit kosovarë

16 Maj 2009

Eksportuesit kosovar vazhdojnë të vuajnë pasojat e bllokadës nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina. Nga dhjetori i vitit të shkuar i kanë mbyllur kufijtë për mallrat kosovare me vulë të Republikës së Kosovës.

https://p.dw.com/p/HriD
Kufiri i Kosovës me SerbinëFotografi: DW / Filip Slavkovic

Serbia dhe Bosnje-Hercegovina, vazhdojnë të bllokojnë eksportuesit kosovar të mallrave dhe ndërmarrjet që merret me transportin ndërkombëtar të mallrave, që të hyjnë në këto dy vende. Bllokada po vazhdon që nga katër dhjetori i vitit të shkuar, kur administrata e Kombeve të Bashkuara barti përgjegjësitë tek doganat e Kosovës. Serbia dhe Bosnj-Hercegovina, nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës, nuk njohin vulat e Republikës së Kosovës dhe për këtë arsye nuk lejojnë as që mallrat kosovare të hyjnë në këto vende. Për më shumë nuk lejojnë as të kalojnë tranzit nëpër vendet e tyre.

Transporti i mallrave të Kosovës dhe për Kosovën, zakonisht është bërë përmes rrugëve tokësore të Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës .


Rrugëdalje ka, por kostot shumë më të larta


Ndërmarrja kosovare Cimarosti, e cila merret me transportin ndërkombëtar të mallrave, është ndër firmat e shumta kosovare e cila po vuan pasojat e bllokadës që i bëhët transportit kosovar nga Serbia dhe Bosnja. Valon Ukaj, përfaqësues i saj thotë se ata kanë gjetur rrugë tjera për transport, por kostoja është shumë e lartë.

Kosovo Land und Leute Grenze Podugevo
Edhe këtu është i mbyllur...Fotografi: Nikos Pilos

“Pas bllokadës nga Serbia dhe Bosnja, jo vetëm ndërmarrja jonë por dhe të tjerat kanë humbur shumë sepse kostot e transportit janë rritur. Pra, si rezultat e bllokadës të gjithë transporterët janë të obliguar që të kalojnë përmes Shqipërisë, Italisë, me destinacion vendet e Evropës Perendimore. Në këtë rast kostoja e transportit është rritur deri në 30 përqind”, thotë Valon Ukaj.

Kosova qysh në vitit 2005, ka nënshkuar marrëveshjen e CEFTA-s, e cila u lejon vendeve të rajonit shkëbim tregtar pa pengesa. Mirëpo, nënshkrimin e kësaj marrëveshje në emër të Kosovës e ka bërë UNMIK-u. Tash kur doganat menaxhohen nga institucinet kosovare, Serbia dhe Bosnje-Hercegovina, Republikën e Kosovës nuk e cilësojnë si pjesë e marrëveshjes së CEFTA-s.


A do të ketë bllokadë kosovare?


Qeveria e Kosovës, disa herë ka kërcënuar Serbinë dhe Bosnjen se do të bllokojë mallrat e tyre që të hyjnë në Kosovë, mirëpo akoma nuk e ka marrë vendimin. Analisti për çështje ekonomike, Shpend Ahmeti, shpjegon: “Po të ketë ndonjë bllokadë edhe nga Kosova, atëherë, koha do të ishte në anën e Kosovës, sepse Kosova eksporton shumë pak produkte në Serbi dhe Bosnje, ndërsa, vetëm Serbia mesatarisht brenda një viti eksporton mallra në Kosovë në vlerë prej afro 250 milion euro. Pra, cfarëdo bllokimi i kufirit nga ana e Kosovës do t'i bënte më shumë dëm Serbisë sesa Kosovës.”

Aleanca kosovare e Bizneseve, sipas udhëheqësit të saj, Agim Shahini, nuk mendon se është në favor të Kosovës bllokimi i kufijëve për mallrat e Serbisë dhe Bosnjes. Ai kërkon nga qeveritë e Kosovës, Serbisë dhe Bosnjes që të gjejnë zgjidhje.

“Nga embargot askush nuk fiton, humbin të gjithë. Unë besojë se faktori ndërkombëtar do të ndikojë tek qeveritë e tri vendeve që të arrijnë një marrëveshje dhe qarkullimi i mallrave të vazhdojë lirshëm pavarësisht paqartësive politike, sepse këtu kemi të bëjmë vetëm me vendime politike. Ekonomia duhet të distancohet nga vendimet politike”, thotë Agim Shahini.


Negociatat deri tani pa sukses

Qeveria e Kosovës dhe zyra civile ndërkombëtare janë duke vazhduar bisedimet me vendet anëtare të marrëveshjes se CEFTA-s, në mënyrë që mallrat kosovare të pranohen në këto vende me vulën e Republikës së Kosovës. Janë zhvilluar disa takime, mirëpo akoma nuk është gjetur zgjidhja. Takimi i fundit u zhvillua muajin e shkuar në Mal të Zi, mirëpo pala kosovare bojkotoi këtë takim, sepse nuk pranoi që në ulësen e përfaqësuesit të Kosovës të shkruhej “Kosova-UNMIK”, sepse, ky mision sipas tyre nuk përfaqëson më Kosovën që nga shpallja e pavarësisë.


Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Bahri Cani