Pas takimit me Wongun: Kina e akuzon Maasin për mungesë respekti | Bota | DW | 10.09.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

Pas takimit me Wongun: Kina e akuzon Maasin për mungesë respekti

Kina është zemëruar për takimin e Ministrit të Jashtëm Federal Maas me aktivistin e Hong Kong-ut, Wong. Ajo e quajti këtë një "akt mungese respekti". Ministria e Jashtme gjermane i hodhi poshtë menjëherë kritikat.

Joshua Wong

Joshua Wong

Kina është treguar e zemëruar nga një takim i Ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Heiko Maas (SPD) me kritikun e qeverisë së Hong Kongut, Joshua Wong. Ministria e Jashtme kineze ka paraqitur zyrtarisht ankesë për takimin, tha një zëdhënëse e Ministrisë të martën në Pekin. Asnjë vend nuk duhet të ndërhyjë në punët e Kinës.

Ajo shprehu "pakënaqësi të fortë" për vendimin e Gjermanisë, "për të lejuar hyrjen në Gjermani të separatistëve të Hong Kongut dhe për pjesëmarrjen në aktivitete kundër Kinës", citohet zëdhënësja. Të dhëna të tjera, sipas tagesschau, thonë se Kina e akuzon Maasin për një "akt mungese respekti". Kritika pati edhe nga vetë Hong Kongu: administrata shprehu keqardhje të thellë për ndërhyrjen e parlamenteve të huaja në punët e Hong Kong-ut.

Berlini i hedh poshtë kritikat

Ministria e Jashtme e Gjermanisë e hodhi menjëherë poshtë ankesën nga Kina. Ministria e Jashtme tha se takime me pjesëtarë të shoqërisë civile janë një procedurë normale. Maasi kishte theksuar më parë se qeveria gjermane angazhohet gjithmonë për lirinë e shprehjes.

Bisedë e shkurtër me Wongun

Maasi foli me Wongun të hënën në mbrëmje - gjatë një aktiviteti në çatinë e Bundestagut në Berlin. Aktivisti për të drejtat civile u arrestua të dielën në mëngjes, para udhëtimit për në Gjermani fillimisht në aeroportin e Hong Kongut. 24 orë më vonë e liruan dhe ai vazhdoi menjëherë rrugën për në Gjermani.

Aktivisti për të drejtat civile e ka përshkruar Hong Kongun si një "kështjelë midis botës së lirë dhe diktaturës së Kinës" dhe tha se do të rezistojë edhe më tej ndaj qeverisë kineze. Ai hoqi paralele midis lëvizjes prodemokratike në Rajonin e Administrimit Special Kinez dhe lëvizjes së paqes, që çoi në ribashkimin gjerman. "Nëse jemi në një Luftë të Re të Ftohtë, atëherë Hong Kongu është Berlini i ri."

FDP-ja kërkon pritje nga Merkeli

Partia Liberaldemokrate FDP i bëri thirrje kancelares gjermane Angela Merkel (CDU) që të takohet gjithashtu me Wongun.  "Këtë rast kancelarja nuk duhet ta lërë pa e shfrytëzuar" " tha zëdhënësja e të Gjelbërve, Gyde Jensen. Në këtë takim Merkel duhej të "gjejë fjalë të qarta për situatën në Hong Kong, të cilat i munguan gjatë udhëtimit të saj në Kinë". Jenseni është edhe kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut në Bundestag.

Wongu u tregua i zhgënjyer nga vizita e Merkelit në Kinë. Merkeli duhet të qe shprehur më qartë dhe duhej të qe angazhuar për zgjedhje të lira, i tha aktivisti gazetës "Bild am Sonntag". Kancelarja deklaroi në Kinë se Republika Popullore duhet të përpiqet të gjejë një zgjidhje paqësore në Hong Kong. Nesër Wongu do të flasë për situatën në Hong Kong në një aktivitet të Konferencës Federale të Shtypit.