1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pas sinjaleve nga satelitët amerikanë

Martin Fritz7 Maj 2005

ShBA dhe OKB paralajmërojnë ndaj rrezikut të provave bërthamore nga Koreja e Veriut

https://p.dw.com/p/ArPR
Stacion bërthamor në Korenë e Veriut
Stacion bërthamor në Korenë e VeriutFotografi: AP

Konflikti mbi programin bërthamor të Koresë së Veriut po përshkallëzohet më tej. Pas sinjaleve të dyshimta nga rregjistrimet satelitore amerikane, ShBA dhe Kombet e Bashkuara e kanë paralajmëruar dje Penjanin të heqë dorë nga kryerja e provave bërthamore.
Ka të ngjarë që Koreja e Veriut së shpejti të shpërthejë një bombë atomike. Asnjëherë më parë nuk ka patur sinjale kaq shqetësuese sa tani për një provë mundshme bërthamore. Fotot e marra nga satelitët spiunë amerikanë tregojnë se si në malet e Giljut në verilindje të vendit është hapur një tunel i madh i cili është mbyllur përsëri. Tuneli duket se i ngjan një zone në të cilën në Pakistan shtatë vjet më parë u ndezën lëndë shpërthyese bërthamore. Ish shefi i programit bërthamor pakistanez e pat vizituar disa herë Korenë e Veriut gjatë viteve '90 dhe i kish shitur teknologji bërthamore regjimit të Penjanit. Në një largësi të përshtatshme nga tuneli satelitët spiunë kanë zbuluar një tribunë të pajisur mirë e cila mendohet se do të shërbente për spektatorë të rrangjeve të larta. Një tribunë e ngjashme ishte ndërtuar për lëshimin e raketave në përvjetorin e 50-të të themelimit të shtetit.

Sipas të dhënave të zyrtarëve amerikanë fotot duhen interpretuar megjithatë me kujdes. Ka të ngjarë që Koreja e Veriut të simulojë kryerjen e provave bërthamore për të shtyrë ShBA të shpërblejnë Penjanin për pezullimin e programit bërthamor. Për këtë interpretim flet fakti që Koreja e Veriut normalisht i fsheh pasjisjet dhe aktivitetet e saj ushtarake nën tokë. Vendi i presupozuar i provave mund të jetë pra thjesht një skenë teatri për kamerat e zbulimit nga qielli.

Megjithatë si ShBA ashtu dhe Kombet e Bashkuara në kuadër të konferencës për çështjet atomike në Nju Jork e kanë paralajmëruar shprehimisht shtetin e vogël në Lindjen e Largët të heqë dorë nga të tilla prova. Ato do të konsideroheshin "një akt i ri provokimi" ka deklaruar Skot Mekklelan zëdhënësi i presidentit amerikan Xhorxh Bush. Organizata Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore në Vjenë foli për një "sinjal shumë të gabuar". Uashingtoni ka informuar hollësisht mbi përgatitjet për prova të mundshme atomike aleatët e tij në rajon, Korenë e Jugut dhe Japoninë. Edhe ato duhet të përgatiten për pasojat politike të provave të tilla. Këtë temë presidenti Bush e ka trajtuar edhe gjatë një bisede të gjatë telefonike me presidentin e Kinës Hu Xhintao.

Koreja e Veriut deri tani nuk është shprehur zyrtarisht rreth akuzave për përgatitjen e provave bërthamore. Spekullimet ndërkombëtare mund të jenë ndoshta të mirëpritura nga rregjimi kërcënimet e deritanishme të të cilit nuk janë marrë seriozisht. Diktatura ushtarake në Penjan e pati shpallur zyrtarisht veten fuqi bërthamore në muajin shkurt.

Klima politike megjithatë është bërë edhe më e akullt. Spekullohet se ShBA do të presin deri në fund të majit rikthimin e Koresë së Veriut në negociatat e gjashtë shteteve për çështjet bërthamore. Nëse kjo nuk do të ndodhë do të thirret Këshilli i Sigurimit. Kjo u bë e ditur dje nga ministri i jashtëm i Japonisë Nobutaka Makimura. Koreja e Veriut e ka cilësuar paraprakisht një hap të tillë si shpallje lufte.