1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Aufschwung Löhne

Mimoza Cika-Kelmendi28 Gusht 2010

Gjermania ka arritur në gjysmën e parë të këtij viti, në mënyrë relativisht të papritur, një rritje të lartë ekonomike. Nga ky zhvillim pozitiv sindikatat gjermane duan të përfitojnë, duke kërkuar paga më të larta.

https://p.dw.com/p/OyX8
Indeksi i rritjes ekonomike të Gjermanisë (Ifo)
Indeksi i rritjes ekonomike të Gjermanisë (Ifo)

Indeksi i Ifo-s (Instituti i Studimeve Ekonomike) u rrit papritur në gusht për herë të tretë radhazi - sipërrmarjet kanë shënuar sukese relativisht të majme. Ecuria ekonomike gjermane është rritur në tremujorin e dytë në 2,2 për qind, dhe deri në fund të vitit mund të arrijë në 3,5 për qind - që do të ishte më shumë se rritja mesatare e ekonomisë para krizës (asokohe ajo ishte vetëm dy për qind). Ekonomia gjermane po forcohet dukshëm - por çfarë ndodh më tej? Michael Grömling nga Instituti i ekonomisë gjermane:


" Së pari ne jemi të habitur nga zhvillimi shumë, shumë pozitiv në gjysmën e parë të vitit. Por ritmin e këtij gjysmëviti 2010 nuk do të mund ta mbajmë në gjysmën e dytë të vitit."

Dr. Ulrich Kater nga DekaBank
Dr. Ulrich Kater nga DekaBankFotografi: DekaBank

Zhvillimi aktual i ekonomisë, jo rast për të kaluar në eufori

Edhe Ulrich Kater nga DekaBank këshillon që vendi të mos verbohet nga zhvillimi aktual ekonomik:


"Tremujori i dytë ka sjellë një rritje prej 2,2 për qind në krahasim me tremujorin e mëparshëm. Amerikanët zakonishit i llogarisin rritjet e tilla për të gjithë vitin. Pra po ta bënim ne këtë gjë, i bie që të kemi një lulëzim ekonomik gati në nëntë për qind - rritje të tillë ka aktualisht Kina. Por kjo prognozë nuk mund të mbajë për gjithë vitin. Sidoqoftë llogarisim me një rritje prej të paktën gjysmë përqind edhe gjatë dy tremujorëve të fundit të këtij viti. Ky zhvillim është padyshim pozitiv për qetësimin dhe forcimin e ekonomisë gjermane. Por sidoqoftë nuk është një rast për të shpërthyer në eufori“.

Edhe kërkesat e tregut të brendshëm duhet të rriten

Por fakt mbetet se ekonomia gjermane po rimëkëmbet në mënyrë të shpejtë, shkruan DekaBank në një analizë. Sidomos përsa i përket sektorit të eksportit:

Eksportet janë gjithmonë ato që, edhe në dekadat e fundit, rrisin ekonominë gjermane. Por pyetja që shtrojmë ne është se në cilin raport qëndron sukesi i eksportit me kërkesat e tregut të brendshëm gjerman? Në të kaluarën këto kërkesa ishin relativisht të ulta. Por sidoqoftë kemi shpresa se ndoshta për vitet e ardhshme, edhe kërkesat e tregut të brendshëm do të forcohen“, thotë Ulrich Kater nga DekaBank.

Banka Qëndrore Europiane në Frankfurt
Banka Qëndrore Europiane në FrankfurtFotografi: AP

Por për të arritur këtë qëllim duhet që së pari Banka Qendrore Evropiane t'i mbajë edhe më tej të ulta interesat e kredive të saj, shton eksperti Kater. Së dyti politika duhet të sigurojë kushte të mira për investime, dhe së treti duhen rritur tarifat e pagave të ulta.

Edhe Michael Grömling nga Instituti i Ekonomisë gjermane në parim nuk ka gjë kundër shfrytëzimit të hapësirave që zhvillohen nga një lulëzim ekonomik:

"Sigurisht që në rast se kemi një hapësirë të konsiderueshme ekonomike, mund ta shfrytëzojmë atë në mënyrë sa më efikase. Por pa vënë në rrezik ato vende pune që ndodhen në sektorë ende jostabilë".


Sindikatat pretendojnë paga më të larta

Një shembull ilustrues është sindikata gjermane IG Metall: Në raundin e ardhshëm të negociatave, ajo do të diskutojë për tarifat e rrogave të punonjësve të saj. IG Metall ka njoftuar se do të shkojë në bisedime me kërkesën e qartë për një rritje pagash mes 4,5 dhe 8 për qind. Por Michael Grömling paralajmëron:

"Ne jemi në rrugën e kthimit në normalizim. Dhe duhet të jemi të kujdesshëm me kërkesat sidomos përsa i përket ndryshimit të tarifave të pagave. Të mos harrojmë se përpara një viti, një diskutim i tillë ishte i pamundur. Asokohe sigurimi i vendit të punës kishte prioritet. Dhe pikërisht ky synim duhet të vlejë për momentin".

Autor: Rolf Wenkel, Mimoza Cika - Kelmendi

Redaktoi: Sonila Sand