1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

010808 Israel Regierungsarbeit

Torsten Teichmann1 Gusht 2008

Në Izrael ekzistojnë defiçite përsa i përket kulturës politike. Këtë e bëjnë të qartë edhe kritikat për korrupsion kundër kryeministrit Olmert. Një lëvizje izraelite kërkon më shumë cilësi në punën e qeverisë në vend.

https://p.dw.com/p/EoKa
Ehud Olmert paralajmëroi se do të japë dorëheqjenFotografi: AP

Ehud OImerti e arriti edhe njëherë tjetër. Me deklaratën e tij, për t'u tërhequr nga posti i kryeministrit, pa përmendur një datë të saktë për këtë, ai arriti të ndezë një fishekzjarr tjetër. Kështu të paktën e përshkroi avokati Daniel Karios sjelljen e deritashme të politikanit të dëmtuar: një premtim për paqe këtu, një bisedë ndërmjetësimi atje, udhëtime në konferenca ndërkombëtare dhe shumë ankesa mediale për policinë.

Korrupsioni - kërcënimi i heshtur i Izraelit

Kjo tufë fishekzjarresh nuk ndryshon megjithatë asgjë në një problem bazë të politikës aktuale në Izrael, thotë Karios: "Dy kontrollorë financash, një kryegjykatës dhe dy kryekomandantë të ushtrisë izraelite e kanë karakterizuar situatën aktule me vitet e korrupsionit si kërcënim ekzistencial për shtetin e Izraelit. Rreziku nuk është më i vogël se kërcënimi nga Irani", u tha.

Symbolbild Korruption
Korrupsioni temë shqetësuese në IzraelFotografi: picture-alliance/dpa

Karios punon për një lëvizje, e cila angazhohet për më shumë cilësi në punën e qeverisë izraelite. E thënë shkurt: ai lufton kundër nepotizmit, shpërdorimit të postit dhe korrupsionit. Zyra e tij në Jeruzalem është e stërmbushur me artikuj gazetash. Karios mund të t'i numërojë të gjitha kritikat që i bëhen kryeministrit Olmert, si edhe aferat e ministrave Hanegbi dhe Ramon. Ai po përpiqet në moment të dërgojë një deklaratë për shtyp për një milioner me origjinë ruse, i cili është përpjekur të blejë vota.

Siguria mbulon të gjitha temat e tjera në Izrael

Zgjedhësit kanë një kujtesë të dobët,thotë avokati. Dhe ai as mund ta kritikojë popullin izraelit për këtë: "Ne kemi të bëjmë me rreziqe të tjera ekzistenciale, në një masë të tillë, sa që kur ne vemi në kutitë e votimit, temat luftë apo paqe, lëshime territoriale apo jo, i mbulojnë të gjitha temat e tjera- që nga puna e mirë e qeverisë deri në mbrojtjen e ambjentit. Një listë e tërë kërkesash të rëndësishme demokratike thjesht fluturon nga dritarja."

Dhe ndoshta sepse është dominante tema e ndjesisë së sigurisë, javët e kaluara asnjë politikan tjetër nuk ka pasur pasoja serioze, për t'u dalluar nga Olmerti. Ministrja e jashtme Livni e quajti Olmertin të paaftë dhe mbeti megjithatë në post. Ministri i mbrojtjes Barak kishte dyshime të mëdha dhe megjithatë mbeti me partinë e tij pjesë e koalicionit.

Vendimtare do të jetë nëse edhe politikanët kanë interes për t'i sqaruar rastet aktuale. Sot policia izraelite do ta marrë edhe njëherë në pyetje kryeministrin në detyrë Olmert. Pastaj, për të shmangur vëmendjen ai mund të lëshojë edhe një fishekzjarre tjetër.