1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pas Jo-së së dyfishtë për kushtetutën e BE-së

Klaus Dahmann13 Dhjetor 2006

Gjermania e cila merr presidencën e Këshillit të BE-së në Janar 2007 do të ndërmarrë një përpjekje të re. Përpjekje ringjalljeje - por në ç'mënyrë?

https://p.dw.com/p/Ar9P
Kushtetuta e BE-së bllokohet - pamje simbolike
Kushtetuta e BE-së bllokohet - pamje simbolikeFotografi: AP

Ishte ish-presidenti francez Giscard Valerie d'Estaing që realizoi veprën e artit. Si kryetar i konventës europiane për kushtetutën ai arriti që të bashkonte në një emërues përfytyrimet nga më të ndryshmet të anëtarëve të BE-së. Prej këtej lindi kushtetuta e parë europiane. Por gëzimi për të nuk e pati jetën të gjatë pasi referendumet në Francë dhe Hollandë e hodhën atë poshtë. Tani Gjermania e cila merr presidencën e Këshillit të BE-së në Janar 2007 do të ndërmarrë një përpjekje të re.

Jo-ja e hollandezëve në fillim të verës 2005 ishte një shok për Bashkimin Europian nga i cili deri sot nuk e ka marrë veten. Pak më parë francezët me Jo-në e tyre në referendum e kishin tronditur kushtetutën e BE-së. Referendumi negativ në Hollandë i dha projektit goditjen vdekjeprurëse.

Qysh atëherë duket se BE nuk di si të veprojë. Kryetarët e shteteve dhe qeverive vendosën fillimisht një "pauzë meditimi". Vetëm pas samitit mbajtur në verën e këtij viti ka filluar të flitet sërish konkretisht se si do të veprohet në të ardhmen. Ministri i jashtëm gjerman Frank Valter Steinmeier: "Duket se pas këtij takimi do të hapet një fazë që pasojnë pauzën medituese. Kjo fazë do ta bëjë temën "kushtetutë" plan pune të përbashkët në kuadër të së ardhmes së Europës."

Shpresat janë mbështetur në presidencën gjermane të Këshillit të Europës gjatë gjysmës së parë të vitit të ardhshëm: Gjermania konsiderohet mbështetëse e fortë e kushtetuës europiane dhe gëzon edhe peshën e nevojshme në BE.

Fakti që të gjithë kthejnë sytë drejt vendeve të mëdha të BE-së për zgjidhjen e çështjeve të vështira nuk është i ri mendon Andreas Marchetti nga Qendra për Studime mbi Integrimin Europian në Bonn: "Problematike është që pritjet janë jashtëzakonisht të larta. Kjo do të thotë që edhe çmimi që duhet paguar në rast dështimi është shumë i lartë."

Mundësitë për veprim për të ardhmen e kushtetutës janë të kufizuara: 16 vende ndër të cilat edhe Gjermania e kanë ratifikuar tekstin e saj. Por askush nuk dëshiron që këto 16 vende të krijojnë një lloj klubi pro kushtetutës brenda BE-së. Nga ana tjetër askush nuk dëshiron të heqë dorë nga projekti. Kështu duhet që në një farë mënyre francezët dhe hollandezët të binden për t'a pranuar atë. Por në ç'mënyrë?

E qartë është vetëm se në Francë dhe Hollandë do të mbahen referendume të reja. Të hidhet në votim përsëri i njëjti tekst i kushtetutës sipas Andreas Marchettit nga Qendra për Integrimin Europian nuk ka kuptim: "Nuk mund të përfytyroj që referendumi të ketë tjetër rezultat; në rast se dokumenti nuk ndryshon qytetarët do të ndihen të marrë jo seriozisht."

Varianti më i thjeshtë do të ishte të shkëputeshin nga teksti i kushtetutës pjesët më të rëndësishme dhe vetëm ato t'i nënshtroheshin një referendumi. Këto do të ishin karta e të drejtave themelore dhe pjesa e dytë në të cilën trajtohen çështje shumë themelore të BE-së: "Si bëhet politika në jetën e përditshme? Si merren vendimet? Si sillen institucionet e BE-së ndaj shteteve kombëtare. E kështu me rradhë. Ky është një lloj rendi pune i Bashkimit Europian, sigurisht në nivelin më të lartë. Dhe në këtë dokument janë përcaktuar edhe objektivat themelore që do të thotë se bëhet fjalë për një direktive për të vepruarin politik për vitet e ardhshme."

Varianti tjetër do të ishte të diskutohej edhe njëherë mbi disa pika në kushtetutë dhe për t'i ndryshuar ato. Eshtë fjala përshembull për raportet e maxhorancës në votime apo për ndarjen e posteve në Komision. Por kjo mendon Marchetti është diçka delikate pasi kështu ndryshimet e mundshme mund të viheshin vazhdimisht në diskutim dhe mund të lindnin polemika mbi çështje për të cilat është rënë njëherë dakort.


Këto çështje duhet pra të sqarojë qeveria gjermane gjatë gjashtë muajve të presidencës së Këshillit të BE-së. Sipas Marchettit kjo është e realizueshme por: "Problemi është që aktualisht qeveria gjermane nuk mund të diskutojë mbi to me partnerët më të rëndësishëm në BE. Në Britaninë e Madhe Tony Blair do të largohet nga posti në gjysmën e parë të vitit, e po kështu edhe Jacque Chirac në Francë. Kjo do të thotë se presidenca gjermane mund të pregatisë vetëm terrenin. Problemi i mirëfilltë mund të zgjidhet vetëm nga të tjerët."