1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pas incidentit partitë në Maqedoni akuzojnë njëra-tjetrën

28 Prill 2017

Situata para dhe brenda hapësirave të Parlamentit të Maqedonisë u vu nën kontroll, forcat e rendit kanë shtuar masat e sigurisë, gjendja mbetet ende e tensionuar.

https://p.dw.com/p/2c5gZ
Mazedonien Stadtansicht von Skopje
Fotografi: DW/A. Ancite

Pas një nate të tensionuar, ku për katër orë rresht protestuesit qëndruan në hapësirat e Parlamentit, organet e rendit publik kanë shtuar masat e sigurisë për mbrojtjen e qytetarëve, objekteve dhe institucioneve të Maqedonisë. Sipas informacioneve të MPB-së në protesta janë lënduar 109 persona.

Dorëheqja e ministrit

Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka kryer punën si duhet dhe për këtë duhet të mbahet përgjegjësi, ka thënë ministri i punëve të Brendshme Agim Nuhiu. "Unë si ministër kam insistuar që të formohet shtab operativ dhe të ishin të kyçur persona nga të gjitha fushat e MPB-së. Udhëheqës i shtabit ishte zgjedhur Mitko Çavkov. Mbrëmë nga momenti i eskalimit të situatës deri në ora 22, udhëheqësi i shtabit operativ, Mitko Çavkov nuk ishte i kapshëm për mua edhe pse e kërkova përmes telefonit, por edhe në shtabin operativ. Dua të potencoj se për fat të keq shihet qartë se në strukturat e MPB-së ndikimi politik ka rol të madh që është për t'u dënuar”.

Sipas ministrit Nuhiu, një pjesë e të punësuarve në MPB, në vend që të respektojnë ligjet dhe t'i kryejnë detyrat e tyre, kanë vepruar nën urdhrat e qendrave politike diçka që kërkon dënim dhe sanksione. MPB-ja është institucion që duhet të garantojë rendin publik dhe jo të jetë institucion nën ndikimin e strukturave politike, ka thënë ai. Ministri Agim Nuhiu ka paralajmëruar dorëheqjen e tij për shkak përgjegjësisë morale.

Xhaferi: Shumica parlamentare do të zgjedhë qeverinë e re

Kryetari i ri i parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi eka akuzuar presidentin e vendit dhe ish-kryeministrin Gruevski për dhunën në parlament. Ai njëkohësisht u ka bërë apel shqiptarëve të Maqedonisë të mos bien pre e provokimeve. "Është e qartë tashmë se kreu i shtetit është burimi i kësaj gjendjeje të krijuar. Parlamenti ka baza ligjore për të hyrë në procedurën e zgjedhjes së Qeverisë së re. Javën e ardhshme duhet të vazhdojmë punët në parlament. Do të ndërmarrim veprimet e duhura që zgjedhja e qeverisë së re të hyjë në praktikë”, ka deklaruar Talat Xhaferi.
 

Mazedonien Skopje Parlamentssturm
Fotografi: picture-alliance/abaca/B. Ademi

Zaev: Dhuna në Parlament ishte tentim për vrasje

"Kemi bërë një hap të madh në proceset demokratike sipas shumicës parlamentare, kemi bërë hapin e parë me zgjedhjen e kreut të Parlamentit dhe do të vazhdojmë me formimin e institucioneve tjera. Uroj Xhaferin dhe kujtoj se ne e mbështesim atë”, ka deklaruar lideri i LSDM-së, Zoran Zaev në paraqitjen e tijë të parë në opinion pas dhunës që u ushtrua ndaj tij në Parlament. Zaev duke komentuar dhunën e së enjtes, tha se një pjesë nga dhunuesit ishin pjesëtarë të policisë dhe disa të tjerë i cilësoi si banditë që kishin për qëllim likuidimin e tij.

VMRO-DPMNE fajëson LSDM-në për incidentin në Parlament

Lideri i VMRO-DMPNE-së, Nikolla Gruevski, ka dënuar ashpër incidentin në Parlament dhe kërkoi nga institucionet shtetërore hetim të shpejtë dhe efikas për të zbuluar autorët e dhunës. Gruevski thotë se shkaktari kryesor i incidentit janë provokimet e shumta të LSDM-së ndaj popullit maqedonas dhe përzgjedhja e kryetarit të ri të Parlamentit, i cili sipas tij është bërë në mënyrë joligjore.

"Provokimet e shumta ndaj VMRO-DMPNE-së dhe ndaj popullit maqedonas janë shkaktarët kryesorë të eskalimit të situatës në Parlament. Mënyra, me të cilën ata e përzgjodhën kryetarin e ri të Parlamentit është tërësisht joligjore, jashtë kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit. Unë dënoj dhunën e disa individëve që sulmuan deputetët”, ka deklaruar kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.

Ahmeti:Të mos lejojmë problemet politike të shndërrohen në ndëretnike

Ngjarjet e së enjtes duhet të gjykohen nga çdo parti politike, nga të gjithë qytetarët e RM-së, sepse ishin një akt i shëmtuar, ka thënë kryetari i BDI-së Ali Ahmeti. "Apeloj tek të gjithë qytetarët që të ruajnë gjakftohtësinë, urtësinë dhe në veçanti tek shqiptarët që ky problem nga intraetnik mos të shndërrohet në problem ndëretnik. Por siç ka filluar si problem politik, me mjete politike të zgjidhet dhe të marrë drejtimin e duhur drejt konstituimit të institucioneve të shtetit”, thekson Ahmeti.

Dështon takimi i liderëve i ftuar nga Presidenti Ivanov

Kryetari i LSDM-së Zoran Zaev, i BDI-së Ali Ahmeti, Lëvizja Besa dhe LR-PDSH unanimisht kanë refuzuar ftesën për takim të presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov për të diskutuar zgjidhjen e krizës të shkaktuar pas hyrjes në Parlament të protestuesve maqedonas që kanë sulmuar deputetët dhe gazetarët. Presidenti Ivanov është pjesë e problemit dhe nuk është pjesë e zgjidhjes së problemit, janë shprehur liderët e shumicës parlamentare, prandaj ata nuk e shohin të arsyeshme mbajtjen e takimit të liderëve partiak të thirrur nga Presidenti i shtetit.