″Partneriteti i privilegjuar ka marrë fund″ | Evropa | DW | 13.10.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

"Partneriteti i privilegjuar ka marrë fund"

Kancelari Schröder për vizitë lamtumire në Stamboll

Kancelari Gerhard Schröder

Kancelari Gerhard Schröder

Gjatë vizitës së tij të fundit dje në Turqi si kancelar gjerman Gerhard Schröder ritheksoi synimin e një anëtarësie të plotë të Turqisë në Bashkimin Evropian. Nuk ka perspektivë tjetër për negociatat për anëtarësim, tha kancelari në Stamboll, ku ishte ftuar nga kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan për iftarin tradicional.

Pritjes së kancelarit në Stamboll i parapriu një pjesë e Bethovenit. Një gjest i madh që dukshëm e gëzoi kancelarin e që nuk qe i vetmi në këtë mbrëmje; sepse Schröderi është i pari kryeministër perëndimor që ftohet për iftarin tradicional. Në Turqi një nder i madh.

Para qindra të ftuarish nga politika e shoqëria ai mbajti në qendrën e kongreseve në Stamboll një fjalim gjysmëorësh, i cili u shoqërua gjithnjë me duartrokitje. Schröderi ishte i lirshëm dhe e entuziazmoi në vendet e duhura publikun.

"Sa për informacion, kombëtarja turke kryeson me rezultat 1:0 ndaj Shqipërisë."

Duartrokitje të gjata pati edhe për konstatimin e Schröderit se objektiv i negociatave të Bashkimit Evropian me Turqinë është anëtarësimi i saj. Pas ceremonisë pati edhe një bisedë kokë më kokë, në të cilën kancelari Schröder e siguroi sërish kryeministrin turk për mbështetjen e Turqisë nga Gjermania në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. I pyetur nëse një kancelare e mundshme Merkel do të ndiqte një kurs tjetër në Gjermani, duke bërë edhe në rrafsh evropian reklamë për një variant të zvogëluar anëtarësimi si ai i "partneritetit të privilegjuar", Schröder u përgjigj:

"Bashkimi Evropian ka vendosur të fillojë negociatat për anëtarësimin e Turqisë. Kam thënë se në Gjermani askush nuk e vë këtë në pikëpyetje, e as qeveria e re gjermane nuk do ta vërë në pikëpyetje. Të jeni të bindur për këtë."

Nga ana e tij kryeministri Erdogan theksoi se do të bashkëpunojë mirë edhe me kryeministren Merkel. Kur u pyet nëse do të ftohej edhe ajo si Schröderi në ngjarjen e madhe të iftarit, kryeministri nuk ndenji dot pa buzëqeshur, por u përgjigj se vetëkuptohej që do ta bënte.

Ai e falënderoi edhe një herë Schröderin për vizitën e tij dhe për ndihmën e viteve të fundit. Kancelari u tregua gjithë kohën burrë shteti e u përpoq që të mos ia shihnin letrat për sa i takon të ardhmes së tij. Të gjithë gazetarët gjermanë që e shoqëronin interesohen të dinë çdo të bëjë kancelari kur të mos jetë më kancelar. Schröder heshti, buzëqeshi dhe vazhdoi i shpenguar.

  • Data 13.10.2005
  • Autor Katja Burck
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArD4
  • Data 13.10.2005
  • Autor Katja Burck
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArD4