1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Partneritet strategjik mes NATO-s dhe BE-së

Sebastian Schubert14 Maj 2005

Propozime të Sekretarit të Përgjithshëm të Natos de Hoop Skefer në Berlin

https://p.dw.com/p/ArES
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop SchefferFotografi: AP

Konflikti mbi luftën në Irak dhe të tjera tema aktuale konfliktesh të mundshme si embargoja e armëve ndaj Kinës apo programi atomik i Iranit tregojnë se nevojitet më shumë konsensus politik mes partnerëve të NATO-s. Përfshirja e Bashkimit Evropian në dialog është në këtë kontekst një hap logjik po të mbahet parasysh se Unioni synon një rol më të fortë në politikën e sigurisë dhe mbrojtjes. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hop Skefer në fjalën e tij në Berlin është angazhuar për partneritetin strategjik mes BE-së dhe NATO-s.
Ky njeri e kupton simbolikën. Me ftesë të institutit Valter-Halshtajn dhe të Fondacionit Kombëtar gjerman Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s mbajti të enjten një fjalim në universitetin Humboldt në Berlin. Në të njëjtën ditë pesë vjet më parë pati mbajtur aty fjalimin e tij të famshëm ministri i jashtëm gjerman Joshka Fisher. Ashtu si atëherë Fisher, edhe Jap de Hop Skefer paraqiti linjat themelore të një politike të re. Shefi i NATO-s bëri të ditur synimin për një bashkëpunim më të mirë me BE-në. Propozimi i tij në thelb përmban një partneritet të ri strategjik mes NATO-s dhe BE-së. "Ajo që kam parasysh është një bashkëpunim më i ngushtë politik dhe ushtarak mes NATO-s dhe BE-së. Politik, siç u shpreh në janar në Mynih në Konferencën e Sigurisë edhe kancelari gjerman Shrëder. Unë besoj se është e domosdoshme që temat e mëdha politike të diskutohen bashkarisht. Këto aspekte janë të rëndësishme po të mbajmë parasysh se identiteti europian në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes po zhvillohet më tej dhe ajo çfarë ndodh në Evropë është e rëndësishme për NATO-n, dhe anasjelltas ajo çfarë ndodh në NATO është relevante për partnerët europianë" - u shpreh de Hop Skefer.
De Hop Skefer pranoi se partneriteti i proklamuar shpesh edhe më parë nuk është ende një e vërtetë praktike dhe u bëri thirrje të dyja organizatave për të ndryshuar mënyrën e të menduarit. De Hop Skefer nuk përmendi diferencat me kancelarin gjerman Shrëder i cili pak kohë më parë dëshironte të ngrinte një grup ekspertësh për diskutimin e përmirësimit të kulturës së dialogut brenda NATO-s. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s e vuri përsëri theksin tek uniteti. Por çfarë do të thotë partneritet strategjik kur bëhet fjalë për çështje të tilla të kontestuara si anëtarësimi i Ukrainës e cila ka trokitur tashmë në dyert e BE-së dhe NATO-s? "Eshtë shumë e rëndësishme që, p.sh. në rastin e Ukrainës, BE dhe NATO të japin të njëjat sinjale politike" - u shpreh de Hop Skefer.
Por çështja është nëse tema të tilla delikate si embargoja e armëve kundër Kinës apo programi bërthamor i Iranit mund të zgjidhen vetëm duke komunikuar më shumë. Deri tani NATO i është trembur një debati të tillë brenda aleancës. De Hop Skefer hodhi megjithatë poshtë kritikën për egzistencën e strukturave të mundshme paralele dhe konkurrencës mes NATO-s dhe BE-së. Ai e vuri theksin në të përbashkëtat mes BE-së dhe aleancës atlantike: në Ballkan, Afganistan, në politikën e zgjerimit dhe në raportin e veçantë me Rusinë. Por sipas Sekretarit të Përgjithshëm pa një partneritet të vërtetë strategjik këto do të mbeten copëza të shkëputura mozaiku dhe rivalitetet do të ishin të paraprogramuara. Ai foli qartë për problemet: "Unë kundërshtoj ata që thonë se nëse NATO dhe BE mbajnë çdo muaj një takim gjithçka do të shkonte mirë. Nëse BE-së i duhet të diskutojë gjatë a duhet lejuar të marrë pjesë shefi i agjensisë së re të armatimit si vëzhgues në një takim të NATO-s kjo tregon se diçka nuk shkon."
Megjithë bashkëpunimin intensiv ende nuk ka filluar një dialog i vërtetë mes këtyre organizatave. Keqkuptimet dhe konfliktet mbi kompetencat do të dominonin në shumicën e rasteve.
De Hop Skefer propozoi përfshirjen më të fortë të Komisionit Evropian në proçeset e vendimmarrjes të NATO-s.Por nëse dialogu do të pranohet nga Bashkimi Evropian dhe nëse kjo është e mjaftueshme për të shmagur krisjet si ajo në rastin e luftës së Irakut do të shihet vetëm kur të lindin mosmarrëveshjet e para. Partneriteti strategjik ende nuk është vënë në provë.