Partitë ruse ngrenë padi në Stasburg kundër zgjedhjeve për Dumën | Evropa | DW | 27.10.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Partitë ruse ngrenë padi në Stasburg kundër zgjedhjeve për Dumën

Ish kampioni i botës në shah Kasparov akuzon presidentin rus Putin

Kampioni i botës në shah Kasparov

Kampioni i botës në shah Kasparov

Dy parti opozitare ruse dhe gjashtë politikanë kanë ngritur të enjten padi në Gjykatën Europiane për të drejtat e njeriut në Strasburg kundër zgjedhjeve parlamentare në Rusi të dhjetorit 2003. Ish kampioni i botës në shah Garri Kasparov që përfaqëson paditësit në Gjykatë deklaroi për gazetarët se paditësit janë Partia Komuniste dhe Partia Demokratike ruse (Jabloko). Ato e akuzojnë presidentin rus Vladimir Putin ndër të tjera për shkelje të të drejtës themelore për lirinë e mendimit, të proçesit të ndershëm zgjedhor dhe cënim të ndalimit të diskriminimit.

Garri Kasparov ka marrë lutje të vazhdueshme nga miqtë e tij në gjirin e opozitës ruse për të qenë personalisht i pranishëm në Gjykatën Europiane për të drejtat e njeriut. Për shumë njerëz në atdheun e tij besimi në demokraci dhe shtetin ligjor janë të lidhura ngushtë me selinë e Këshillit të Europës në Strasburg, të vetmen organizatë tërësisht europiane në të cilën Rusia është anëtare. Kështu u shpreh kampioni i botës në shah gjatë paraqitjes së padive.
"Njerëzit flasin për Strasburgun sikur ky emër të zëvendësonte për ta besimin në një car të mirë rus. Në pjesët e largëta të Rusisë nuk dinë shumë por kanë dëgjuar që diku jashtë Rusisë që kërkon me dëshpërim drejtësinë është dikush që mund t'u vijë në ndihmë."

Kasparov paraqiti pranë Gjykatës Europiane për të drejtat e njeriut ankesat e komunistëve rusë dhe liberalëve të partisë Jabloko si dhe të gjashtë politikanë të veçantë opozitarë. Formalisht në këto ankesa bëhet fjalë për manipulimet në zgjedhjet për Dumën ruse dy vjet më parë. Kasparov dhe paditësit e tjerë e akuzojnë presidentin Vladimir Putin për shpërdorim flagrant të pushtetit. Partia e Putinit p.sh. ka marrë në televizion shumë më tepër kohë transmetimi nga sa i takonte me ligj. Por Kasparov shkon edhe shumë më tej. Ai e akuzon presidentin Putin se ka eliminuar zgjedhjet e lira dhe se po shkatërron sistematikisht demokracinë në Rusi. Kështu në vendin e tij nuk mund të flitet më për ndarje të pushteteve është shprehur Garri Kasparov në Strasburg: "Sistemi politik në Rusi i cili duhej të përcaktonte ndarjen mes ekzekutivit, legjislativit dhe drejtësisë nuk egziston më në Rusi. Në thelb ka një institucion të vetëm që udhëhiqet nga Kremlini dhe gjykatat ruse mbështesin çdo vendim të Kremlinit."
Pa përmendur direkt kancelarin gjerman Gerhard Shrëder Kasparov ka akuzuar kryetarë të shteteve perëndimore se kujdesen në mënyrë cinike për miqësinë me presidentin Putin për qëllime personale. Paditë në Strasburg duhet të tërheqin tani para së gjithash vëmendjen e Europës ndaj përpjekjeve të presidentit Putin për shkatërrimin e demokracisë në Rusi: "Ne kemi nevojë për mbështetje morale për rusët që ende besojnë në demokraci", ka thënë Kasparov.
Kasparov është shprehur se në fillim të vitit ka pyetur veten nëse do të largohej nga kjo Rusi, por në fund ka vendosur të qëndrojë në atdhe dhe të luftojë për demokracinë. Tani ai është kryetar i platformës për të drejtat e qytetarit me emrin: zgjedhje të lira në 2008-n. Pas tre vjetësh përfundon mandati i presidentit Putin. Kasparov e la të hapur mundësinë e kandidimit për postin e presidentit:"Eshtë shumë herët për të më vendosur mua apo dikë tjetër në listën e kandidatëve pasi ende nuk kemi asnjë nga kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve të lira."
Si shahist atë e shqetëson fakti që lufta politike kundër presidentit Putin është një lojë pa rregulla.

  • Data 27.10.2005
  • Autor Cai Rienäcker
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArCt
  • Data 27.10.2005
  • Autor Cai Rienäcker
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArCt