1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Partitë e Kosovës në kërkim të socialdemokracisë

19 Qershor 2009

Aktualisht në Kosovë ekzistojnë tre parti të spektrit socialdemokrat, PDK, Partia reformatore Ora si dhe ajo socialdemokrate e ish kryeministrit Agim Çeku. Cila nga to do të lidhet më ngushtë me homologen e vet gjermane?

https://p.dw.com/p/IUiN
Flamuj partish kosovare.
Aktualisht në Kosovë ekzistojnë tre parti të spektrit socialdemokrat.Fotografi: AP

Në takimet e delegacionit nga Kosova, tema ishte bashkëpunimi institucional mes partive socialdemokrate simotra. Një risi kjo; jo vetëm për të dyja partitë e vogla jashtë parlamentit të Kosovës, por edhe për vetë fondacionin Friedrich Ebert, i cili angazhohet në Kosovë qysh prej vitit 1999. "Në fillim u fokusuam thjesht tek përkrahja e partive si të tilla, pa marrë parasysh dallimet ideologjike. Dallueshmëria mes partive, në bazë të orientimeve të tyre ideologjike ka filluar vetëm në vitet më të fundit. Ky është një proces ende në hapat e para," thotë Michael Weichert, ekspert për Ballkanin në këtë fondacion.

Teuta Sahatçija e Gazmend Muhaxheri nga Partia Reformatore Ora si dhe Agim Çeku nga Partia Socialdemokrate u takuan me përfaqësues të nivelit të lartë të Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë, si Ministri i Shtetit për Evropën, Gernot Erler, dhe Sekretari i Përgjithshëm i SPD-së, Hubertus Heil. "Kjo pati si qëllim t'i prezantonte këto parti, që e kuptojnë veten si socialdemokrate, me qarqet socialdemokrate të Gjermanisë," thotë Michael Weichert.

Fondacioni Friedrich Ebert synon t'i ndihmojë ato tani drejt një pjesëmarrjeje më të suksesshme në zgjedhjet komunale. Përveç tyre, fondacioni përkrah edhe Partinë Demokratike të Kosovës së kryeministrit Hashim Thaçi, që gjithashtu e vetëquhet socialdemokrate. Nuk e di se me sa siguri mund të thuhet që PDK-ja është socialdemokrate, thotë Sahatçija. "E kemi dëgjuar prej gojës së ministrit që ka thënë që PDK është parti e djathtë. Pra ata nuk janë orientuar ende përfundimisht, ndërsa Partia Reformatore Ora die ajo Socialdemokrate janë shpallur die njihen si të tilla," thotë Teuta Sahatçija, kryetare e Orës.

Që një popullsi kaq i vogël ka nxjerrë vetëm deri tani tri parti simotra, ky është një fenomen tipik për Ballkanin, vë në dukje Michael Weichert. Prandaj edhe socialdemokratët në Gjermani fillimisht janë të hapur ndaj të trijave. Se me cilën parti do të krijohen marrëdhëniet më të ngushta, kjo do të varet nga puna e tyre.

Autor : Anila Shuka

Redaktoi : Aida Cama