1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Parlamenti në Tiranë shtyn ndryshimin e rregullores së kandidaturave

Arben Muka1 Korrik 2008

Ndyshimet në rregullore kishin të bënin me raportet mes parlamentit dhe presidentit te republikës, dy institucione të cilat janë në marrëdhënie të vështira prej disa javësh.

https://p.dw.com/p/EU3y
Tirana, parlamentiFotografi: AP

Çështja aq e debatuar gjatë ditëve të fundit nuk ka arritur të finalizohet. Fjala është për ndryshimin e rregullores së parlamentit në aspektin se si ky institucion do të vepronte ndaj kandidaturave që propozonte presidenti i republikës për anëtarë të institucioneve kushtetuese. Në debatin parlamamentar disa orësh në mbrëmjen e së hënës mazhoranca u përpoq ta prezantonte këtë çështje si një formulë antibllokuese për propozimin e çdo emri që diskutohej dhe votohej nga deputetët.

Sipas kreut të deputetëve të PD në pushtet Astrit Patozi organizimi i seancave dëgjimore nga ana e parlamentit për ëdo propozim kandidature që prezantohej për t'u votuar ishte një praktikë e përhapur dhe në vende të tjera. Sipas tij opozita po tentonte ta politizonte ndryshimin e rregullores, ndërkohë që gjithshka ishte teknike në punën e parlamentit.

Por për deputetët e opozitës ndryshimi në rregullore prezantohej si tentivë e mazhorancës për të hequr kompetencat e presidentit të republikës në dekretet e tij. Deputët e saj e lidhnin këtë lëvizje me manovër për të reduktuar rolin e presidentit dhe për të kontrolluar dekretet e tij.

Tërheqja e mazhorancës për t'i rishqyrtuar ndryshimet ne rregullore erdhi jo më shumë nga kundërshtimi i opozitës por nga disa kritika që u artikuluan brenda rradhëve të saj, sic ishtë rasti i deputetit Besnik Mustafaj. Mustafaj tha se mazhoranca nuk duhet të nxitohej dhe se ajo duhej të bënte të pamundurën për arritjen e konsensusit me opozitën.

Ndyshimi i rregullores u la të kthehej edhe një herë në komisionin e ligjeve për rishqyrtim. Këto propozime të mazhorancës po ndodhin në një moment kur ka mbetur në vend një proces i zëvëndësimit me anëtarë të rinj i disa anëtarëve të gjykatës së lartë, emrat e të cilëve propozohen nga presidenti por duhet të votohen me shumicë votash nga ana e parlamentit.