1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Parlamenti i Shqipërisë pa opozitën dhe proceset e integrimit në BE

9 Shtator 2009

Politologu Ermal Hasimja: Nuk ka gjasa që bashkëpunimi PD & LSI të ndërpritet pasi këto dy parti nuk kanë dallime programore ...

https://p.dw.com/p/JYzf
Fotografi: DW / Arben Muka

Qeveria e re Tiranës ka shpallur si prioritet të saj progresin në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Që ky prioritet të mos mbetet thjesht një premtim elektoral, lipset që kjo qeveri të realizojë reforma të mëdha në bashkëpunim dhe konsensus me opozitën. Fillimi i punimeve të Parlamentit bëri fakt bojkotin e paralajmëruar të opozitës, gjë që ngre pikëpyetje për ecurinë e këtyre reformave. Politologu Ermal Hasimja, pedagog në Universitetin Evropian e Tiranës e sheh bojkotin e opozitës të përkohshëm dhe afatshkurtër.


"Parashikoj që pas një periudhe dy-tre mujore PS do të kthehet në Parlament dhe në këtë rast reformat do të jenë plotësisht të mundshme sepse vështirë që një parti politike, kryesore si PS të votojë kundër reformave që kërkohen me ngulm nga BE nga njëra anë, dhe nga ana tjetër janë baza e legjitimitetit që njërëzit përpiqen të shikojnë tek partitë që i përfaqësojnë në Parlament", thotë Ermal Hasimja.


Dhënia prioritet reformave për progres në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë nuk është diçka e re e qeverisë Berisha - Meta. Edhe qeveria Berisha apo ajo socialiste para tij i kanë parë reformat si parakusht të nënshkrimit dhe hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit me BE-në dhe anëtarësimit në NATO. Por tani për qeverinë e re imperative është kryerja e reformave në dy fusha.


"Në radhë të parë është kryerja e reformave në Drejtësi. Në radhë të dytë janë reformat që kanë të bëjnë me cështjen e garantimit të legjitimitetit të zgjedhjeve në Shqipëri ato që kanë të bëjnë me sistemin zgjedhor", thotë Hasimja.


Eshtë fjala për sistemin rajonal –proporcional, që u aplikua për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, sistem që zëvendësoi atë maxhoritar- proporcional, me të cilin në ishin kryer të gjitha zgjedhjet e mëparshme parlamentare në Shqipëri. Aplikimi i sistemit të ri nxorri në dukje një sërë problemesh teknike. Por më kryesorja tregoi se nga aplikimi i sistemit rajonal proporcional vullneti i zgjedhësve deformohet, pasi e njëjta sasi votash prodhoi një numër të ndryshëm mandatesh për deputetë në Parlament.

Veç refomimit të sistemit zgjedhor dhe të drejtësisë një çështje e rëndësishme mbetet ajo e pronave. A do të fillojë qeveria Berisha- Meta procesin e kthimit të pronës tek pronari legjitim duke realizuar kështu një nga të drejtat themerlore të njeriut?


" Nuk shikoj asnjë forcë politike në Shqipëri që të zgjidhë problemin e pronave. Kam frikë që ky process do të zgjasë dhjetra dhe dhjetra vjet. Nuk besoj që do të zgjidhet.. vetëm në rastin e një koalicioni të madh të dy partive kryesore PD-PS. Jam pro kthimit të pronës tek i zoti dhe e mbroj këtë ide me forcë por nuk shoh që qeveria aktuale ose ato që do të vijnë pas saj janë të gatshme ta bëjnë, me protagonistët dhe personazhet e poliktikës shqiptare , për fat të keq , nuk shoh dikë që ta realizojë kthimin e pronës tek i zoti.", thotë Ermal Hasimja.


Në vend të pronave të tyre qeveria Betisha -Meta u ka premtuar shqiptarëve t' u sigurojë heqjen e vizave me vendet e BE-së Brenda vitit 2010. Që kjo të ndodhë asaj i duhet qëndrueshmëria dhe stabiliteti. Dhe kjo varet nga demokratët e Berishës dhe liberal-demokratët e Metës, që janë elementët thelbësorë të koalicionit qeverisës. Për Ermal Hasimen nuk ka gjasa që bashkëpunimi PD&LSI të ndërpritet.


"Këto dy parti nuk kanë dallime programore për arësyen e thjeshtë që nuk kanë as programe koherente. Pra, nuk kemi një parti të djathtë dhe një parti të majtë që po bashkëpunojnë por kemi një parti dhe një tjetër që nuk kanë një identiteit të qartë politik dhe ideologjik.", thotë Ermal Hasimja.


Megjithatë para qeverisë Berisha – Meta ka rreziqe potenciale që mund të rrezikojnë qëndrueshmërine e saj:


" Një nga rreziqet, sa për ilustrim, është fakti që ministrat e LSI-së, janë me imunitet dhe të paprekshëm brenda qeverisë. P.sh. kryemnistri Berisha nuk mund të shkarkojë një ministër të LSI-së për një performancë, të dobët, le të them pasi dalja e LSI-së nga qeveria mund ta rrëzojë atë. Kjo do të thotë që kemi një qeveri , e cila në një pjesë të saj është jashtë kontrollit të kryemnistrit dhe nuk lidhet me performancën e qeverisjes, por me llogaritë a do të qeverisim apo jo." , thekson politologu Ermal Hasimja.

Intervistoi: Ani Ruci

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora