1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Parlamenti i Kosovës votoi qeverinë e re

Bekim Shehu
3 Qershor 2020

Shumica e re parlamentare e kryesuar nga LDK votoi qeverinë e re të Kosovës duke e çuar në opozitë Vetëvendosjen e Albin Kurtit. Kurti ishte kryeministër 50 ditë, ndonëse partia e tij doli e para në zgjedhjet e fundit.

https://p.dw.com/p/3dBn8
Kosovo Avdullah Hoti
Fotografi: picture alliance/AP Photo

Parlamenti i Kosovës me 61 vota pro, 24 kundër dhe një abstenim, votoi qeverinë e re të Kosovës me kryeministër Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Pjesëmarrës në seancë ishin 86 deputetë nga 120 sa ka Kuvendi. Pjesë e koalicionit të ri që përbën një shumicë të re parlamentare, janë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, Lista Srpska dhe pakicat e tjera kombëtare, duke e lënë kështu në opozitë lëvizjen Vetëvendosje që në zgjedhjet e fundit doli partia e parë.

Seanca ku u votua qeveria Hoti u bojkotua dhe nuk u udhëhoq nga kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani, që vjen nga LDK. Kjo e fundit ka përplasje me partinë e saj, sepse nuk e mbështet një qeveri të re me kryeministër Avdullah Hoti, por mbështet idenë e një qeverie teknike që do ta përgatiste vendin për zgjedhje të reja. Seanca u bojkotua edhe nga lëvizja Vetëvendosje, ndërsa, kundër qeverisë Hoti votoi partia tjetër opozitare PDK.

Formimi i qeverisë së re të Kosovës me kryeministër Avdullah Hotin, u bë i mundur pas rrëzimit në parlament të qeverisë së Albin Kurtit dhe pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese që mundësoi që një shumicë e re parlamentare, pa partinë e parë, mund ta formojë qeverinë.

Kryeministri i ri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se "pandemia Covid-19, ka prekur ekonominë dhe të gjitha sferat e jetës, por si shoqëri dhe si shtet i ri treguam forcë dhe reaguam me fisnikëri dhe po ia dalim”. Qeveria e tij, do të mbrojë liritë qytetare, rendin demokratik dhe nuk do të promovojë konfrontime ndërinstitucionale. Qeveria Hoti do të angazhohet maksimalisht për të përmirësuar dhe ruajtur miqësitë e Kosovës me faktorin ndërkombëtar që u ndërtuan me dekada. Kryeministri i ri i Kosovës, Avdullah Hoti u zotua se Qeveria e tij do të promovojë dhe ruajë sovranitetin dhe integritetin e vendit dhe duke avancuar të drejtat e komuniteteve pakicë.

"Prioritetet e menjëhershme do të jenë lufta kundër pandemisë dhe rimëkëmbja ekonomike. Marrjen e përgjegjësive kushtetuese për të çuar përpara procesin e dialogut në bashkëpunim me BE-në dhe SHBA-në duke mos pranuar në asnjë rrethanë prekjen e kufijve”, tha kryeministri Hoti, duke premtuar se brenda periudhës njëvjeçare në mbështetje të ekonomisë do të mobilizojë 1.2 miliardë euro.

Kryeministri Avdullah Hoti, tha se partneriteti me SHBA-në nuk ka alternativë dhe janë raporte të një miqësie të përhershme. Në këtë kuadër, sipas tij, edhe raportet me BE-në do të jenë raporte bilaterale dhe zotohet për avancimin e agjendës evropiane.

"Dialogu me Serbinë për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse është interes jetik. Kosova do ta respektojë në plotëri Kushtetutën e Kosovës dhe dialogu do të bazohet në objektiva të qarta. Marrëveshja gjithëpërfshirëse do të bazohet në njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky dialog kërkon bashkërendim të plotë ndërmjet institucioneve dhe një rol të rëndësishëm të opozitës e një bashkërendim me SHBA dhe BE”, tha Hoti.

Votimin e qeverisë së re Hoti e kundërshtoi me një fjalim Rexhep Selimi, kryetar i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, i cili tha se "kjo seancë për zgjedhjen e qeverisë Hoti, është grabitje e vullnetit të qytetarëve”. Partitë sipas tij, janë bërë bashkë dhe sfiduan votën e qytetarëve. Qeveria Hoti sipas Selimit është rrjedhë e mashtrimit të dyfishtë, sepse "mashtruan qytetarët dhe e mashtruan partinë fituese”. Rexhep Selimi akuzoi edhe Gjykatën Kushtetuese, e cila sipas tij ka nxjerrë një vendim "antikushtetues” dhe e mundësoi krijimin e një qeverie "antiligjore”.

Qeveria e re e Kosovës me kryeministër Avdullah Hotin, ka 16 ministri dhe katër zëvendëskryeministra. Qeveria tashmë e kaluar e Kosovës, që kishte kryeministër Albin Kurtin, ku ishte pjesë edhe LDK, u rrëzua me mocion mosbesimi me 25 mars, mocion ky i iniciuar nga vetë LDK, pas përplasjeve dhe mospajtimeve që kishin me Vetëvendosjen dhe liderin e saj Albin Kurti.

Ky i fundit, pas rrëzimit të qeverisë së tij në parlament kërkonte dhe vazhdon të kërkojë zgjedhje të reja, ndërsa vendimin e Gjykatës Kushtetuese që i dha të drejtë për krijimin e qeverisë një shumice të re parlamentare, vazhdon të mos e pranojë. Vetëvendosja ka nisur një peticion qytetar me të cilin kërkon zgjedhje të reja.