Parlamenti Evropian miraton plan-aksionin për luftimin e trafikut të qenieve njerëzore | Evropa | DW | 22.11.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Parlamenti Evropian miraton plan-aksionin për luftimin e trafikut të qenieve njerëzore

600 deri në 800 mijë gra, fëmijë dhe burra trafikohen çdo vit në botë. Parlamenti evropian pritet të miratoj të enjten në Strasburg një plan-aksioni për luftimin e trafikimit të qenieve njërëzore.

default

Skena është tronditëse: Lydia 15 vjeçare në Ukrainë provon pa sukses të bind nënën e saj që mos ta lë vetëm. Ajo me një burrë të huaj niset të dal në perëndim. Lydia mbetet vetëm në Ukrainë. E uritur, pa para dhe mbështetje, shumë shpejt përfundon në prostitucion, joshet nga disa kontrabandues të paskrupulltë për në Suedi ku trajtohet në mënyrë brutale si skllave seksi.

Historia e Lydias është si një film - por megjithatë është e vërtetë. Kjo për faktin se kështu apo me dallime të vogla për çdo vit këtë e përjetojnë me miliona gra, përshembull nga Evropa Lindore. Edhe në Uzbekistan ka tregti me gra por deri pak kohësh as që është diskutuar për këtë gjë. Organizata joqeveritare "Istiqbolli Avlod", e cila ekziston që prej vitit 2001 dëshiron të ndryshoj këtë gjendje. Iniciativat për sqarimin e pasojave të tregtisë së grave kanë treguar ndërkohë rezultatet e para, thotë Fatima Juldasheva, bashkëpunëtore e organizatës uzbeke.

"Aktualisht ne zhvillojmë fushata dhe seminare, në të cilat informojmë për tregtinë me qenie njerëzore. Ne informojmë po ashtu se si mund të dalë njeriu legalisht jashtë vendit, të migroj legalisht e kështu me radhë", sqaron Juldasheva. Sidoqoftë: numri i viktimave nuk ka rënë as në Uzbekistan, përkundrazi. Kjo nga njëra anë ka të bëj edhe me atë se më parë ka qenë tabu të flitej për këtë çështje andaj tani rastet e lajmëruara janë më të shpeshta.

Por kjo ka të bëjë edhe me mospërmirësimin e gjendjes ekonomike. Vendi është shumë i varfër. Kështu ka gra që kthehen sërish në vendin e tyre, e shohin që nuk ka perspektivë në vendlindje dhe prapë vazhdojnë me prostitucion, vullnetarisht apo me detyrim, kjo nuk mund të thuhet gjithnjë me saktësi. Dhe disa prej këtyre grave futen vet në këtë biznes të ndyrë, nënvizon aktivistja Juldasheva.

"Ne kemi patur raste, si ai i një vajze e cila kishte punuar pesë vjet në Emiratet e Bashkuara dhe pastaj ishte kthyer në Uzbekistan duke angazhuar të punojnë për të katër, pesë apo gjashtë gra. Në këtë mënyrë ajo është kthyer vet në trafikante të qenieve njerëzore", thotë Juldasheva.

Në aspektin afatgjatë trafikimi i grave mund të luftohet me efikasitet vetëm nëse përmirësohet gjendja ekonomike dhe luftohet varfëria në vendet prej nga vijnë shumica e viktimave, janë të bindur shumë ekspertë. Edhe GTZ-ja gjermane si partner implementues i qeverisë gjermane ka filluar me projekte për luftimin e trafikimit të grave. Kjo për faktin se lufta kundër kësaj tregtie dhe politika e zhvillimit janë të lidhura ngushtë njëra me tjetrën, thotë Angela Paul nga GTZ-ja:

"Për shkak se gratë nuk udhëtojnë thjeshtë nga vlerësimet subjektive sepse mendojnë se në Gjermani është gjithçka e thjeshtë dhe e bukur, por për shkak se ato nuk kanë mundësi ekonomike", sqaron Paul.

Gratë e prekura nuk kanë pothuajse asnjë perspektivë. Në Gjermani përshembull për ato viktima të pakta të trafikimit të qenieve njerëzore, të cilat gjejnë rrugën deri tek një qendër këshillimore nuk ka asnjë mundësi për punë. Kjo ka të bëj edhe me statusin e tyre të pasigurtë. Sipas ndryshimeve të planifikuara të ligjit për të huajt, e drejta e tyre e qëndrimit në të ardhmen varet nga mënyra se si do ta gjykojnë entet përkatëse për të huajtë - një rregullim, i cili ka hasur në kritika të ashpra nga Qendra për koordinimin e luftës kundër tregtisë me gra me seli në Potsdam ku bëjnë pjesë rreth 35 iniciativa dhe qendra këshillëdhënëse. Naile Tanis udhëheqëse e kësaj qendre:

"Gjykim do të thotë që autoriteti e peshon se çfarë parakushtesh plotësohen që një grua të mbetet në Gjermani apo jo. Ky është momenti kur si prokuroria ashtu dhe policia kanë thënë: ne kemi nevojë për këtë grua si dëshmitare kundër keqbërësit. Dhe ne themi, nëse gruaje vendos që të dal si dëshmitare në gjyq atëherë asaj duhet t'i ofrohet e drejta e një qëndrimi legal këtu në Gjermani", nënvizon Tanis.


  • Data 22.11.2006
  • Autor Monika Hoegen
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar9l
  • Data 22.11.2006
  • Autor Monika Hoegen
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar9l