1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Parlamenti Britanik rrëzoi marrëveshjen e Brexit

15 Janar 2019

Marrëveshja e Brexit u rrëzua nga parlamenti britanik siç ishte parashikuar. Për kryeministren britanike, Theresa May një dështim historik. Deri në minutën e fundit ajo u përpoq me një apel të flaktë të bindte deputetët.

https://p.dw.com/p/3Bbtz
Großbritannien London - Theresa May zu Parlamentsabstimmung
Fotografi: Reuters

Parlamenti britanik e rrëzoi të martën (15.01) me shumicë të qartë marrëveshjen që qeveria britanike nën kryeministren britanike, Theresa May arriti me Bashkimin Europian. Me 432 vota kundër dhe 202 pro - deputetët britanikë i thanë një „Jo" të qartë marrëveshjes së Theresa May të arritur pas më shumë se dy vitesh negociata, që nga vendimi i britanikëve në referendumin e qershorit 2016 për t'i thënë lamtumirë Bashkimit Europian, megjithëse me rezultat të ngushtë, afër 52%. Jeremy Corbyn, kreu i laburistëve kërkoi menjëherë pas refuzimit të marrëveshjes mocionin e votëbesimit për kryeministren britanike, Theresa May.

Një zëdhënës i Donald Tusk, kreut të Këshillit të BE shprehu menjëherë keqardhjen për rezultatin e votimit në parlamentin britanik, duke e cilësuar marrëveshjen si rrugën më të mirë dhe të vetme për një Brexit të rregullt. Pas rrëzimit të marrëveshjes në parlamentin britanik është shprehur edhe kreu i grupit parlamentar të unionit konservator, CDU/CSU në Gjermani, Ralph Brinkhaus. Ai shkroi në twitter se „tani të gjithë duhet të ruajmë qetësinë“. BE nuk mund të dorëzojë parimet e saj, sado që ne duam të jemi të lidhur me britanikët. Edhe kancelari austriak, Sebastian Kurz shprehu po ashtu keqardhjen në twitter: Nuk do të ketë megjithatë hapje të negociatave", theksoi ai. Menjëherë pas votimit në parlamenti paundi britanik pësoi rënie në bursa.

Großbritannien London - Theresa May zu Parlamentsabstimmung
Kreu laburist, Jeremy CorbinFotografi: Reuters

Megjithë apelin e flaktë të Theresa Mayt të hënën për deputetët që ta votonin marrëveshjen dhe thirrjes së saj „jepini kësaj marrëveshjeje një shans të dytë!", May nuk i bindi dot as konservatorët në radhët e saj, pa përmendur opozitën laburiste, që kërkon negociata të reja me BE. Jeremy Corbyn, kreu i laburistëve kërkoi pak minuta para votimit, që BE të mos përjashtojë negociatat e reja. Që në debatin pesëditor që u zhvillua në parlamentin britanik para votimit u bë e qartë se marrëveshja nuk kishte shans për të kaluar në Dhomën e Ulët.

BE nuk pranon të akuzohet për ashpërsi

Politikanë të ndryshëm dhe përfaqësues nga ekonomia shprehën dyshime të martën  dhe paralajmëruan sidomos nga pasojat e një Brexiti pa marrëveshje më 29 Mars. Në media ka zëra, se Theresa May do të kërkojë sërish lëshime nga Brukseli me qëllim që ta paraqesë marrëveshjen edhe njëherë tjetër në parlament. Por ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas ishte skeptik nëse „marrëveshja do mund të rihapet edhe njëherë". Kancelari austriak, Sebastian Kurz u shpreh në Parlamentin Europian në Strasburg, se „BE nuk i hedh dot vetes asnjë faj në këto negociata." Edhe kandidati kryesor i Të Gjelbërve për zgjedhjet europiane, Sven Giegold argumentoi në të njëjtën mënyrë. „Kush akuzon BE për shumë ashpërsi në negociata, duhet të thotë me saktësi, se çfarë nuk është e drejtë në këtë marrëveshje", u shpreh Giegold për agjencinë gjermane të lajmeve, dpa. Dyshime shprehu edhe komisioneri i BE-së për valutën, Pierre Moscovici, që tha të martën para votimit se „ka gjëra që nuk mund të planifikohen, këtu bën pjesë me sa duket edhe politika e brendshme britanike."

Großbritannien London - Theresa May zu Parlamentsabstimmung
Fotografi: Reuters

Ndërkohë kryetarja e Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë, Andrea Nahles paralajmëroi për rreziqet ekonomike dhe vendet e punës në të gjithë Europën, në rastin e një daljeje pa marrëveshjeje. „Ky do të ishte një tërmet i rëndë për të gjithë BE edhe për ne në Gjermani", tha ajo në Berlin. Ndërsa ministri gjerman i Financave, Olaf Scholz e cilësoi të martën Brexitin si „një sinjal paralajmërues". Në shumë vende europiane, rrymat antieuropiane e populiste kanë marrë hov, tha ai, dhe shumë qytetarë kanë dyshime, nëse Europa i ka përgjigjet për sfidat qendrore të së ardhmes. Prandaj BE duhet të bëhet më politike, theksoi Scholz në një konferencë për Europën të martën në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë.

la/(afp, dpa)