Parlamentarët gjermanë sinjalizojnë ratifikimin e anëtarësimit të Bullgarisë dhe Rumanisë në Bundestag | Evropa | DW | 27.09.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Parlamentarët gjermanë sinjalizojnë ratifikimin e anëtarësimit të Bullgarisë dhe Rumanisë në Bundestag

Gjermania do t'i ratifikojë në kohën e duhur, deri në fund të vitit marrëveshjet e anëtarësimit në BE të Bullgarisë dhe Rumanisë. Këtë e konfirmuan dje deputetë të Bundestagut pas publikimit të raportit të fundit të Komisionit Evropian për të dyja vendet.

default


Në Bundestag, raporti i fundit i Komisionit Evropian për Bullgarinë dhe Rumaninë vlerësohet në mënyra të ndryshme. Jo vetëm midis opozitës dhe koalicionit qeveritar, por edhe në kuadër të koalicionit qeveritar socialdemokrat-kristiandemokrat mendimet janë të ndryshme. Ministri i shtetit në ministrinë e jashtme dhe deputeti i Bundestagut Gernot Erler është i kënaqur me analizën nga Brukseli:

"Kemi të bëjmë sigurisht me një raport shumë të detajuar, shumë objektiv dhe shumë konkret, i cili i përmbahet me saktësi raportit të majit dhe shqyrton ndryshimet që kanë ndodhur që atëherë. Në këtë kuptim, ne e konsiderojmë atë një bazë serioze për vendime të mëtejshme, që duhet të merren."

Krejt i ndryshëm është gjykimi i Thomas Silberhorn. Ai është deputet i Partisë Kristiansociale dhe anëtar i Komisionit për çështjet e Evropës.

"Raporti paraqet një zhgënjim të madh. Komisioni vërtet që përmend deficitet, që ekzistojnë edhe më tej, por masat që synon të marrë janë krejtësisht të pamjaftueshme. Prandaj duhen aktivizuar të gjithë mekanizmat mbrojtës në dispozicion, në mënyrë të tillë që të funksionojnë në momentin e anëtarësimit."

Sipas raportit të Komisionit Evropian, mekanizmat mbrojtës do të aktivizohen vetëm atëherë, nëse në vazhdën e anëtarësimit, Bullgaria dhe Rumania do të tregohet që nuk janë në gjendje të eleminojnë deficitet në sektorin e drejtësisë, në administrimin e parave të BE dhe në luftimin e korrupsionit. Çdo tri muaj Bullgaria dhe Rumania do të duhet të konfirmojnë përballë Brukselit përparimin e arritur.

Me Bullgarinë dhe Rumaninë, Bashkimi Evropian pranon njëherë për njëherë kandidatët e tij të fundit. Kandidatë potencialë për anëtarësim do të ishin Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi dhe Shqipëria. Me Maqedoninë, Kroacinë dhe Turqinë, BE i ka nisur negociatat. Por deputeti i Partisë Liberale Gjermane FDP, Markus Löhning nuk beson se këto vende do të anëtarësohen në një të ardhme të afërt.

"Sipas marrëveshjes së Nicës, anëtarësime të reja në BE nuk janë të mundura. Marrëveshja e Nicës parashikon anëtarësimin e 27 anëtarëve, pra 25 anëtarët e sotëm së bashku me Bullgarinë dhe Rumaninë"

Ministri i shtetit në Ministrinë e Jashtme Gjermane, Gernot Erler shpreson se presidenca gjermane e BE që prej fillimit të vitit të ardhshëm do të sjellë më shumë qartësi në këtë proces. Megjithatë:

"Eshtë e qartë se nuk duhet të llogarisim anëtarësime të reja të shpejta, por vendimtare është- dhe kjo është pikëpamja gjermane- që perspektiva evropiane p.sh. për shtetet e Ballkanit Perëndimor, por në plan afatgjatë edhe për Turqinë, të mbetet e pandryshueshme. Ne kemi negociata me Kroacinë dhe Turqinë. Kemi marrëveshje stabilizimi dhe asociimi edhe me shtete të tjera ballkanike. Për pikëpamjen tonë, ata kanë një perspektivë të qartë evropiane, duke përfshirë anëtarësimin".

  • Data 27.09.2006
  • Autor Maria Lipticheva-Weiss
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArA6
  • Data 27.09.2006
  • Autor Maria Lipticheva-Weiss
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArA6