Parandalimi i katastrofave ka të bëjë me ne të gjithë | Gjermania | DW | 29.03.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Parandalimi i katastrofave ka të bëjë me ne të gjithë

Në Bon përfundoi konferenca ndërkombëtare për paralajmërimin e katastrofave natyrore

Hurrikani Katarina në New Orleans

Hurrikani Katarina në New Orleans

Në Bon përfundoi sot konferenca triditore ndërkombëtare për sistemin e paralajmërimit në raste katastrofash natyrore (EWC). Më shumë se 1 200 pjesëmarrës nga e gjithë bota ishin të ftuar në Gjermani nga organizata nderkombetare për parandalimin e katastrofave (ISDR) dhe ministria e jashtme gjermane. Ata shkëmbyen njohuri, përvoja dhe strategji për të qenë më të përgatitur në rastet e katastrofave të ardhshme natyrore.

Pjesëmarrësit u larguan me bindjen se konferenca ndërkombëtare në Bon dha një impuls pör veprim në të gjitha fushat. Tërmeti, cunami, apo thatësira nuk pengohen dot. Por mënyra se si veprohet me pasojat e tyre mund të pengojë, që një fenomen natyror të bëhet katastrofë natyrore. Sistemet e paralajmërimit të shpejtë mund të shpëtojnë jetë njerëzish, kjo ishte tema e konferencës së tretë nderkombëtare për sistemin nderkombëtar të paralajmërimit në Bon.

U fol shumë për mundësitë teknologjike. Me seismografë të ndjeshëm ekspertët mund të ndjekin lëvizjet e pllakave të tokës në brendësi të planetit. Me satelitë regjistrohen ciklonet, stuhite e rërës dhe hurrikanet. Të dhënat e matjeve nga e gjithë bota, futen në kompjuterë, të cilët kthejnë në konkluzione morinë e të dhënave.

Por as informacionet më të mira nuk shpëtojnë jetë njerëzish, nëqoftëse mbeten vetëm njohuri ekspertësh dhe qeverish. Kështu mesazhi kryesor i kesaj konference ishte se duhet përmirësuar një gjë, në radhë të parë paralajmërimi i popullsisë së rrezikuar në vendin e ngjarjes dhe përgatitja e saj në rast rreziku.


Kjo nuk mund të përballohet vetëm me entusiazëm teknologjik. Parandalim i katastrofave do të thotë në rradhë të parë: Ushtrimi, përgatitja dhe gatishmëria në vend. Nëqoftëse jo shumë para katastrofës secili e di se si duhet reaguar, nëqoftëse nuk janë caktuar më parë përgjegjësit për komunikacionin, masat mbrojtëse dhe evakuimin e mundshëm, masat që merren në panik do të çojnë më shumë në katastrofë, sesa në shpëtimin e jetës së njerëzve. Por kjo gjendje gatishmërie kushton para dhe angazhim afatgjatë.


Parandalimi i katastrofave është edhe një detyrë e rëndësishme e politikës së mjedisit dhe e asaj të zhvillimit. Shumë fëmijë shkollash në Pakistan humbën jetën nga tërmeti, sepse shkollat nuk ishin të siguruara për tërmete. Shumë viktima të përmbytjeve do të ishin sot ende gjallë, nëqoftëse pyjet Mangroven, masivet e koraleve dhe brigjet e lumenjve të mos ishin shkatërruar më parë si zona të mbrojtura natyrore. Orteqet shkatërrimtare të baltës nuk do të kishin shkretuar rajone të tëra, nqs më parë nuk do të ishin prerë pemët.

Nëqoftëse ne vetë me konsumimin e energjisë dhe shfrytëzimin intensiv të tokës nuk do të çlironim në atmosferë CO2 dhe metan, nuk do të kishim sot ngrohjen globale, të cilën ekspertët e shohin si një nga rreziqet më të mëdha. Eshtë në fakt e vertetë, se natyrën nuk mund ta fusësh nën kontroll, por pasojat e një ngjarjeje natyrore janë shpesh pasoja të mendjelehtësisë dhe dritëshkurtësisë sonë. Si gjithnjë preken në rradhë të parë njerëzit, që jetojnë në varfëri. Ata nuk kanë sigurime, që t´i ndihmojnë pastaj të ngrenë një ekszistencë të re. Ata nuk kanë mundur të investojnë për banesa të siguruara nga tërmeti, pajisje të lëvizshme mjekësore, apo për rezerva në rast thatësire. Prandaj kjo duhet të jetë detyrë e bashkësisë së shteteve.

Konferenca në Bon ka treguar, se sistemet e paralajmërimeve dhe parandalimi i katastrofave nuk duhet të jetë vetëm një çështje teorike e studimeve shkencore dhe e teknologjisë, por duhen zbatuar kudo në mbarë botën. Çdo dollar, i cili investohet për sistemet e parandalimeve të hershme, kursen pesë deri dhjetë dollarë nga ndihma në raste katastrofash, pohojnë ekspertët. Do të vijë koha, që bota të mësojë të kursejë në këtë mënyrë.

  • Data 29.03.2006
  • Autor Helle Jepessen
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar15
  • Data 29.03.2006
  • Autor Helle Jepessen
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar15