Paraburgimi i policit të Kosovës dhe raportet Kosovë-Serbi | Ballkani | DW | 04.10.2016
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Paraburgimi i policit të Kosovës dhe raportet Kosovë-Serbi

Zyrtarë të institucioneve të Kosovës thonë, se vendimi për paraburgimin prej 30 ditësh të drejtorit rajonal të policisë në Mitrovicë Nehat Thaçi, i arrestuar në Serbi, është marrë me rekomandim politik.

Institucionet e Kosovës së shpejti pritet t'i dërgojnë një shkresë zyrtare qeverisë së Serbisë nëpërmjet së cilës do të kërkojnë lirimin e menjëhershëm nga paraburgimi të drejtorit rajonal të policisë së rajonit të Mitrovicës së jugut, Nehat Thaçi. Drejtori rajonal i policisë në Mitrovicën e jugut, u arrestua të mërkurën (28.09)në vendkalimin kufitar Kosovë-Serbi në Konçul kur po udhëtonte nga Kosova për në Serbi. Një gjykatë në qytetin jugor në Serbi, Nish, i caktoi nënkolonelit Thaçi, masën e paraburgimit prej 30 ditësh, nën akuzën siç thuhet, për terrorizëm si pjesëtar i ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ministri i Brendshëm në qeverinë e Kosovës Skënder Hyseni tha, se ministria e tij është duke u koordinuar me Ministrinë e Jashtme dhe me atë të Drejtësisë për veprimet e mëtejme, e të cilat, siç thotë ministri, duhet të jenë të matura. "Vendimi për paraburgimin prej 30 ditësh të drejtorit rajonal të policisë në Mitrovicë është marrë me rekomandim politik. Kjo, është e papranueshme. Po punojmë që Beogradit t`i drejtohet një shkresë zyrtare për të kërkuar lirimin urgjent të Nehat Thaçit", tha ministri Hyseni për mediumin publik.

"Lirimi i oficerit të policisë mund të bëhet përmes veprimeve institucionale e jo përmes folklorizmave të tepruar", thotë Hyseni.

Një ditë më parë ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se "Qeveria e Kosovës do të sillet në të ardhmen në mënyrë reciproke, nëse Qeveria e Serbisë vazhdon me arrestimin e oficerëve të lartë të shtetit të Kosovës apo të zyrtarëve të lartë".

Ndërsa presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Kosova nuk do t'i përgjigjet Serbisë me arrestime. "Kosova nuk mund t'i përgjigjet arrestimeve me arrestime dhe dhunës me dhunë". Institucionet janë duke u koordinuar me autoritetet ndërkombëtare për zgjidhjen e kësaj çështjeje sa më shpejt", tha presidenti Hashim Thaçi, gjatë vizitës së tij zyrtare në Shqipëri. Sipas tij "logjika e arrestimit të njerëzve që kanë marrë pjesë në luftën e fundit në Kosovë do të çonte në arrestime masive të serbëve dhe shqiptarëve".

Por, njohësit e rrethanave të sigurisë, thonë se Kosova duhet të punojë që të ndërpritet kjo praktikë e shtetit të Serbisë. Burim Ramadani, njohës i çështjeve të sigurisë, i tha DW-së, se arrestimi nga autoritetet e Serbisë i një komandanti policie të Kosovës, mund t'i rrisë tensionet politike ndërmjet dy vendeve. "Arrestimi i nënkolonelit Nehat Thaçi është i bazuar në një aktakuzë politike dhe si i tillë shkakton tension politik midis dy shteteve. Kjo mund të ndikojë direkt në vënien e pengesave të vazhdueshme në procesin e normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Fatkeqësisht, Kosova dhe Serbia nuk kanë marrëdhënie bilaterale, prandaj e vetmja rrugë për lirimin e Nehat Thaçit mbetet rruga diplomatike përmes Brukselit. Vendimi për lirimin e tij duhet të jetë politik, ashtu sikurse edhe aktakuza dhe arrestimi i tij", thotë Burim Ramadani.

Pavarësisht deklarimeve të zyrtarëve të lartë të institucioneve të Kosovës, se kjo çështje mund të zgjidhet nëpërmjet Brukselit, zëdhënësja e shefes së diplomacisë evropiane, Maja Kocijanciq, tha se Brukseli zyrtar nuk dëshiron ta komentojë këtë rast ndërsa ka refuzuar të deklarojë nëse Brukseli do të ndërhyjë në këtë çështje.

Ka vite që një numër i zyrtarëve të lartë të Kosovës, përfshirë edhe ata partiakë, në disa raste janë ndaluar në qendra të ndryshme në Evropë, mbi bazën e flet-arresteve ndërkombëtare të lëshuara nga Republika e Serbisë. Në këtë pikë, analisti i sigurisë Burim Ramadani thotë se "institucionet e Kosovës duhet të angazhojnë një ekip profesional për këshillimin dhe ekspertizën për shtetasit e vet në çështjen e listës së akuzave politike të Serbisë. Secili shtetas i Kosovës që gjendet në këtë listë politike, duhet të njoftohet për kujdesin që duhet të ketë", thotë Burim Ramadani.

Çështjen e arrestimit të policit Thaci, e diskutoi të martën (04.10) edhe komisioni për punë të jashtme në kuvendin e Kosovës, duke shprehur siç thuhet në një deklaratë për media, ”ndinjatën e thellë për ketë rast, i cili mund të provokojë tensione të reja mes Kosovës dhe Serbisë”.

Sidoqoftë, zyrtarë të qeverisë së Kosovës, thonë se arrestimi nga autoritet e Serbisë i drejtorit rajonal të policisë së Mitrovicës Jugore Nehat Thaçi, nuk i ndihmon normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, u arrit më 19 prill të vitit 2013, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe njëra ndër pikat e saj është marrëveshja për lëvizjen e lirë të qytetarëve të të dyjave vendeve.

 

Reklamë