1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Paqyra e shtypit gjerman 02 Prill 2005

Sonila Sand1 Prill 2005

Gazetat e sotme gjermane fokusohen tek figura e Papës Gjon Pali II dhe jeta e tij si kryepeshkopi i parë joitalian i Romës.

https://p.dw.com/p/Arw7
Papa Gjon Pali II
Papa Gjon Pali IIFotografi: AP

Gazeta "SÜDDEUTSCHE ZEITUNG" shkruan:

"Papa Gjon Pali II dëshmoi në mënyrë publike se vuajtjet janë pjesë e jetës. Ky njerëzim gati radikal e ndikon ndoshta këndvështrimin ndaj vuajtjes dhe vdekjes. Ndoshta Papa e ndihmoi kështu shoqërinë moderne që ta rimësojë artin e vdekjes, duke mos u fshehur më prej saj. Pamjet e vdekjes nuk janë të turpshme, sidomos kur bëhet fjalë për botën tonë, e cila e trajton vdekjen sikur të ishte një segment shqetësues në një institut bukurie."


Gazeta "NEUE PRESSE" nga Hanoveri komenton:

"Papa Gjon Pali II e la të gjithë botën që të merrte pjesë në vuajten e tij, sepse ai ishte i bindur se bota do të mund të kuptonte kështu se njeriu nuk është vetëm i fortë dhe i shëndetshëm. Ky njeri i vuajtjeve dëshmoi në mes të një bote që mendon vetëm në rininë e përjetshme se duhet folur hapur edhe mbi temat vuajtje dhe vdekje. A ishte Papa Gjon Pali një papë i madh? Papa Gjon Pali II ndikoi në shumë lëvizje të rëndësishme politike të shekullit 20. Dhe megjithëse mendimi i tij mbi moralin seksual ishte tepër konservativ, Papa Gjon Pali II gëzonte një reputacion shumë të madh tek rinia. Të rinjtë e donin Papën sepse ai ishte një njeri i vërtetë, me vuajtje dhe halle. Pasardhësi i papës do ta ketë të vështirë, pas 26 vitesh Karol Vojtyla" - përfundon kjo gazetë.

Ndërkohë gazeta "MÜNCHNER MERKUR" shkruan:

"Pontifaksi nga Polonia jo vetëm që drejtoi 26 vite me rradhë Kishën Botërore Katolike por ndikoi si asnjë papë tjetër edhe historinë botërore. Karol Vojtyla ishte një ndër personat kryesorë që ndikuan në rënien e perdes së hekurt që ndante Lindjen nga Perëndimi dhe Gjermania është mirënjohëse për ribashkimin e saj. Por megjithë angazhimin e tij për të drejtat e njeriut dhe paqen, politika e tij brenda kishës katolike u kritikua shpesh nga opinioni publik. Shumë besimtarë në këtë botë i ndoqën me fanatizëm fjalët e tij kundër abortit dhe përdorimit të preservativëve, ndonëse sida vazhdon të jetë sëmundja numër një në botë."


Gazeta "WESTFÄLISCHE RUNDSCHAU" nga Dortmundi mban një qëndrim kritik:

"Nuk duhet harruar se Karol Voytila mbante një qëndrim shumë radikal dhe konservativ kundrejt rolit të gruas, seksit, luftës kundër sidës, divorcit dhe mbi të gjithë temës së abortit. Ky papë nuk e ndryshoi kurrë mendimin e tij lidhur me këto tema. Madje edhe në prag të vdekjes Papa Gjon Pali II nuk e tradhtoi veten. Pikërisht vuajtjet e tij u kthyen në një metaforë për popullaritetin dhe së fundi edhe për simpatinë apo jo ndaj personit të tij."


Dhe së fundi gazeta "NEUE OSNABRÜCKER ZEITUNG" komenton:

"Posti i tij kërkon vëmendjen e opinionit publik: Papa është sipas kishës katolike pasardhësi i apostullit Petrus dhe përfaqësuesi i Jezu Kristit në tokë. Ky funksion ka një traditë gati 2000 vjeçare. Madje edhe posti i presidentit të SHBA-s duket si një post relativisht i vogël po të krahasohet me këtë detyrë. Por shkaku kryesor për vëmendjen e të gjithë botës tek Vatikani është vetë Karol Vojtyla. Biografia e papës mbetet një libër i preferuar për të gjithë brezat."