● Papunësia në Gjermani problem për të gjithë Evropën ● Gjueti e opozitës ndaj MPJ Fisher në lidhje me aferën e vizave | Studimi në Gjermani | DW | 06.03.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

● Papunësia në Gjermani problem për të gjithë Evropën ● Gjueti e opozitës ndaj MPJ Fisher në lidhje me aferën e vizave

Pamje nga zyrat e punës në Gjermani

Pamje nga zyrat e punës në Gjermani

Numri rekord i papunësisë në Gjermani si dhe afera e vizave e MPJ Joshka Fisher janë dy temat që dominojnë shtypin ndërkombëtar për Gjermaninë.

Ekonomia gjermane po zhytet gjithnjë e më thellë, shkruan gazeta spanjolle "El Mundo":

"Shtimi i numrit të të papunëve në mbi 5,2 milionë vetë tregon se në vend po shkurtohen gjithnjë e më shumë vende pune dhe se ekonomia gjermane po humbet aftësinë e saj konkuruese. Reformat e nisura prej kancelarit Shrëder nuk ishin në gjendje t'i ruanin ritmet e zhvillimit ekonomik. Firmat dhe koncernet e kanë humbur besimin tek qeveria. Koalicioni mes socialdemokratëve dhe ekologjistëve po kalon fazën më të rëndë të historisë së tij. Gjithandej të krijohet përshtypja se qeverisë i mungojnë impulset për të gjetur një rrugëzgjidhje nga kjo gjendje e koklavitur."

Gazeta "Tages-Anzeiger" që botohet në Zyrih bën thirrje që gjendja e sotme e Gjermanisë të mos krahasohet me periudha të tjera të historisë së saj:

"Sërish po bëhet politikë duke e krahasuar gjendjen e sotme të Gjermanisë me periudhën e "Republikës së Vaimarit" në fillim të viteve 30-të, pra periudhën para ardhjes në pushtet të nazistëve, kur numri i të papunëve në Gjermani kishte arritur në gjashtë milionë. Krahasimi është historikisht i gabuar dhe bëhet thjesht për arsye populiste, por ajo që është e drejtë është se në sfondin e papunësisë masive që ka kapluar vendin politika po dështon, dhe kjo vlen si për qeverinë edhe për opozitën. Por meqënse ai që merr masa jo të këndëshme për shtresat e popullit nuk arrin t'i fitojë zgjedhjet, kancelari Shrëder nuk do të ndërmarrë reforma të tjera deri në vitin 2006. Në rast se është e vërtetë që konjunktura do të rritet vetëm me 1% atëhere papunësia do të shtohet edhe më tej dhe lokomotivës së dikurshme ekonomike në zemër të Evropës do të vazhdojnë t'i merren këmbët. Kjo gjë duhet t'i shqetësojë vendet fqinjë."

Kurse në gazetën franceze "Les Echos" lexojmë:

"E vërtetat në tregun e punës dhe në rritjen ekonomike i fshiu të gjitha përpjekjet e qeverisë gjermane. Të mirat që do të sillnin me vete reformat si Hartz IV janë harruar. Prej tyre u arrit vetëm që nëpër statistika të mos ketë më njerëz që jetojnë me ndihmë sociale, por të tillë që marrin ndihmë në rast papunësie. Po a duhet t'i humbasim shpresat? Sigurisht që jo. Pas shpërthimit të zemëratës për pakësimin e arritjeve në fushën e përkujdesjes sociale, dalëngadalë po arrihen konsense. Kështu thuajse çdo javë nëpër firma bihet dakord që të zgjatet orari i punës."

Edhe për gazetën austriake "Kurier" zhvillimet në Gjermani janë shqetësuese:

"Natyrisht që integrimi i ish-Gjermanisë lindore është i vështirë dhe po kushton shumë më tepër nga sa premtuan politikanët. Por vendi më i madh i BE-së, i cili jep edhe një të katërtën e prodhimit të përgjithshëm ekonomik gjendet në një krizë edhe më të thellë, sepse Gjermania po tregohet tepër e ngathët për të arritur fleksibilitetin e nevojshëm në fushën ekonomike. Për shkak se kanë frikë se mos humbasin vendet e punës gjermanët kursejnë. Pra konsumi privat po shënon rënie dhe shkalla e rritjes ekonomike është vetëm një përqind dhe ky nuk është vetëm një problem për Gjermaninë por për të gjithë Evropën, sepse pa ekonominë gjermane nuk mund të shënojë rritje as ekonomia evropiane."

Kalojmë në temën tjetër, aferën e vizave e cila po e dëmton imazhin e MPJ gjerman Joshka Fisher. Për këtë në gazetën franceze "Le Figaro" lexojmë:

"Me siguri që Fisheri e ka pasur tepër të vështirë t'i pranonte gabimet, por gjithsesi e bëri këtë. MPJ Joshka Fisher, i cili është pothuajse i bindur se është krejtësisht i pagabueshëm, i pranoi publikisht gabimet. Kjo lidhet me faktin se skandali i vizave në Gjermani ka disa javë që i ngjan një gjuetie të vërtetë. Duke e ditur se e ardhmja e kancelarit gjerman Shrëder dhe e koalicionit qeveritar varet prej figurës kryesore të ekologjistëve, pra Fisherit, opozita e ka marrë me shumë qejf këtë gjueti. Për këtë është e kuptueshme që ajo nuk mjaftohet dhe kënaqet me deklaratat e Fisherit."

Kurse gazeta spanjolle "El Pais" është e mendimit:

"Përpjekja e gazetës "Berliner Zeitung" për ta kufizuar masën e dëmit që kishte shkaktuar afera e vizave dështoi. Me krijimin e një komisioni të posaçëm parlamentar për sqarimin e kësaj çështjeje, rasti i Fisherit është kthyer në një instrument të efektshëm në duar e opozitës për ta sulmuar politikanin aq të dashur në radhët e gjermanëve. Fisheri arriti që lëvizja ekologjiste të shndërrohej nga një lëvizje kundër sistemit në një parti të aftë për të qeverisur. Po ashtu ai arriti t'i përballonte edhe sulmet e të djathtëve në lidhje me të kaluarën e tij dhe u bë pjesëtari më aktiv i koalicionit qeveritar. E pra nga mënyra se si do të përfundojë afera e vizave varet jo vetëm e ardhmja e tij dhe e ekologjistëve, por edhe e kancelarit Gerhard Shrëder."

  • Data 06.03.2005
  • Autor PP
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArwR
  • Data 06.03.2005
  • Autor PP
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArwR