1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Papa Benedikti i 16-të ka mbërritur në Gjermani

18 Gusht 2005

"Jam i lumtur që vizita ime e parë jashtë Italisë si Papë është në atdheun tim Gjermani dhe përkon me një eveniment të tillë të rëndësishëm si Dita Botërore e Rinisë"

https://p.dw.com/p/Aqj5
Papa Benedikti i 16-të në aeroportin e Këln-Bonit
Papa Benedikti i 16-të në aeroportin e Këln-BonitFotografi: AP

Papa Benedikti i 16-të ka mbërritur në Gjermani në një vizitë të cilësuar historike. Papa i parë gjerman që prej 500 vjetësh zbriti nga avioni i shoqërisë Alitalia në orën 11:54 në aeroportin e Këln-Bonit. Kjo është vizita e parë e Papës 78-vjeçar që prej zgjedhjes së tij në prill. Benedikti i 16-të e viziton Këlnin në Ditën Botërore të Rinisë ku marrin pjesë më shumë se 400.000 të rinj. Në aeroportin e Këln Bonit ai është pritur nga presidenti gjerman Horst Këler, kancelari gjerman Gerhard Shrëder, figura të tjera nga jeta politike e shoqërore në Gjermani si dhe nga një numër i madh të rinjsh pjesëmarrës në Ditën Botërore të Rinisë.
Presidenti gjerman Këler në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh: "At i Shenjtë mirëserdhët në atdhe, mirëseerdhët në Gjermani. Të gjithe ne ju përshëndesim nga zemra dhe jemi të gëzuar që ju jeni këtu. Gëzohemi që udhëtimin tuaj të parë jashtë Italisë e bëni në Gjermani. Kjo ditë është për të gjithë ne një ditë e madhe, një ditë e bukur."
Ndërsa Papa Benedikti i 16-të u shpreh: "Për herë të parë që prej zgjedhjes sime në fronin e Pjetrit qëndroj plot gëzim në truallin e atdheut tim Gjermanisë. Jam shumë i lumtur që vizita ime e parë jashtë Italisë është në atdheun tim këtu në Këln në një kohë dhe në një vend ku të rinj nga e gjithë bota nga të gjitha kontinentet takohen, ku kufijtë mes kontinenteve, kulturave, racave dhe kombeve zhduken pasi të gjithë ne jemi të bashkuar nën yllin që na është shfaqur."
Në programin e ditës së parë të vizitës së Papës është planifikuar pasdite një fjalim i tij për pelegrinët e rinj nga një anije mbi Rin. Në mbrëmje herët Papa Benedikti i 16-të do të vizitojë katedralen e Këlnit. Pika kulmore e vizitës së tij në Gjermani do të jetë një meshë që do të mbahet në Marienfeld pranë Kölnit në të cilën pritet të marrin pjesë rreth 800.000 vetë. Gjatë katër ditëve të vizitës së Papës në zonën e Rinit do të vlejnë masa të larta sigurie.