1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pakti i Stabilitetit kthehet në Këshill të Bashkëpunimit Rajonal

Aida Cama13 Shtator 2006

Björn Kühn është Këshilltar politik në Paktin e Stabilitetit. Në këtë intervistë për Deutsche Wellen ai shpjegon shndërrimin e kësaj organizate në Këshill të Bashkëpunimit rajonal

https://p.dw.com/p/Arcd

Deutsche Welle: A është duke jetuar Pakti i Stabilitetit ditët e fundit?


Björn Kühn: Nuk janë ende ditët e fundit, por ne kemi bërë plane që deri në fillim të vitit 2008 Pakti i Stabilitetit të kthehet në një Këshill Bashkëpunimi Rajonal. Ai duhet të marrë përsipër detyrat që ka kryer deri tani Pakti i Stabilitetit, por në marrjen e vendimeve nuk do të dominojë më komuniteti ndërkombëtar por ato do të merren nga vetë vendet e rajonit.

Deutsche Welle: A kanë ndryshuar detyrat që duhet kryer?

Björn Kühn: Vitet e fundit detyrat nuk kanë ndryshuar. Rajoni ka ndryshuar. Politikisht situata është përmirësuar, kështu Pakti i Stabilitetit ka ndryshuar natyrën e tij shtatë vitet e tij. Kështu do të ndryshojnë edhe detyrat që do të ketë Këshilli i Kooperimit rajonal në krahasim me ato të paktit të stabilitetit sot. Por parimet themelore mbeten ato që kanë qenë nxitja e bashkëpunimit rajonal, nxitja e afrimit të vendeve të rajonit me BE dhe Nato-n.


Deustche Welle: Pra nuk do të ndryshojë vetëm emri nga Pakt Stabiliteti në Këshill Kooperimi rajonal?

Björn Kühn: Pakti i stabilitetit nuk do të vazhdojë të ekzistojë në formën e sotme. Në vend të tij do të kemi Këshillin e Kooperimit rajonal. Në substancë ai do të jetë ndryshe nga Pakti i Stabilitetit sot, pra nuk kemi vetëm ndryshim emri. Më e rëndësishmja është që vetë rajoni do të ketë detyrime më të mëdha në marrjen e vendimeve dhe vendimet nuk do të dominohen aq shumë nga komuniteti ndërkombëtar. Po ashtu do të ketë një Sekretar të Përgjithshëm i cili do të vijë nga rajoni, ashtu si pjesa më e madhe e punonjësve të tjerë. Njëkohësisht do të ekzistojë një Sekretariat i cili ka shumë mundësi të vendoset në rajon. Përveç kësaj vendet e rajonit janë të detyruara të mbulojnë një pjesë të kostos së Këshillit të Bashkëpunimit. Deri tani me Paktin e Stabilitetit ka ndodhur ndryshe. Ai është finacuar kryesisht nga vendet donatore, të cilat kanë ndikuar shumë në marrjen e vendimeve për programet që duhen zbatuar. Dominanca e komunitetit ndërkombëtar në fillimet e Paktit nuk ishte e gabuar, por sot me zhvillimet pozitive në Europën juglindore kjo dominancë nuk është më e nevojshme dhe vendet duhet që gradualisht të marrin vetë përgjegjësinë.

Deutsche Welle: Do të krijohet si të thuash në Europën juglindore një lloj Bashkimi Europian i vogël?

Björn Kühn: Kjo pyetje bëhet shpesh dhe natyrisht është e lidhur me frikën e madhe që vendet e Europës juglindore kanë, duke menduar se Bashkimi Europian është duke ngritur një Bashkim të Europës Juglindore. Por nuk kemi të bëjmë me një gjë të tillë. Edhe nga Bashkimi Europian thuhet vazhdimisht se Këshilli i Kooperimit Rajonal nuk është një mënyrë për ta mbajtur Europën Juglindore larg Bashkimit Europian, por e kundërta, bashkëpunimi rajonal në kuadër të Paktit të Stabilitetit ose të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal është hapi i parë që përgatit anëtarësimin e ardhshëm në
BE. Bashkëpunimi rajonal dhe integrimi në Bashkimin Europian nuk janë dy procese që zhvillohen kundër njëri tjetrit, por që përgatisin njëri tjetrin.

Deutsche Welle: A ka ardhur ideja e ngritjes së Këshillit Rajonal nga rajoni vetë apo nga Brukseli?

Björn Kühn: Ka qenjë një zhvillim shumë i natyrshëm. Ashtu si vendet e Europës juglindore i kanë marrë në dorë problemet e veta më mirë se më parë, kanë ngritur kapacitetet e tyre, kështu tani është krejt e natyrshme që të marrin në duar e tyre përgjegjësinë. Që tani ne kemi marrë në Sekretariatin e Paktit të Stabilitetit në Bruksel shumë punonjës që vijnë nga rajoni dhe që gjithnjë e më shumë marrin
përgjegjësinë mbi Sekretariatin dhe mbi Paktin e Stablitetit. Kështu është krejt e natyrshme që të thuhet se rajoni duhet të marrë përgjegjësinë dhe rolin udhëheqës mbi Paktin e Stabilitetit.

Deutsche Welle: Si do të funksionojë Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal dhe Sekretariati?

Björn Kühn: Në takimin e fundit rajonal në maj në Beograd ne morrëm vendimet për të planifikuar ngritjen mbas 2008 të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, i cili do të ketë një sekretariat dhe një sekretar të përgjithshëm. Se ku do të vendoset sekretari i përgjithshëm nuk është vendosur ende, por për strukturat që do ngrihen vendimet janë marrë në Beograd, po ashtu si dhe fushat e ndryshme me të cilat do të merret Këshilli i bashkëpunimit rajonal. Këto fusha kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik dhe social në Europën juglindore, çështjet e infrastrukturës, bashkëpunimit në fushën e drejtësisë dhe rendit, bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes kryesisht me konventat e armatimit, si dhe në fushën e ndërtimit të kapitalit human, i cili ka kryesisht të bëjë me specilizimmin e njerëzve dhe ngritjen e kapaciteteve administrative si dhe në fund në bashkëpunimit parlamentar. Këto janë gjashtë fushat me të cilat do të merret Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, dhe këto janë vendosur. Natyrisht vendimtare është edhe sqarimi i financimit të Këshillit të bashkëpunimit rajonal.

Deutsche Welle: A e dinë vendet e rajonit këtë?

Björn Kühn: Unë besoj se vendet e Europës juglindore, qeveritë e dinë sepse ato ishin në tavolinë në Beograd kur u morrën vendimet. Po a e ka mësuar këtë edhe publiku i përgjithshëm, kjo është çështje tjetër.