1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pajtim me shumë mundime!

Bernd Riegert12 Mars 2006

Sa është në gjendje BE për t'u zgjeruar me anëtarë të rinj? Kjo ishte formula për të cilën ranë dakord megjithë diferencat e tyre në lidhje me zgjerimin e BE-së, MPJ të vendeve të BE-së në Salzburg

https://p.dw.com/p/ArBn
Jo të gjitha vendet e BE-së janë të gatshme të shtrojnë tryezën për zgjerimin me anëtarë të rinj
Jo të gjitha vendet e BE-së janë të gatshme të shtrojnë tryezën për zgjerimin me anëtarë të rinjFotografi: AP

MPJ të BE-së ia dolën mbanë vetëm me shumë mundime që të mos linin të shpërthenin mosmarrëveshjet e tyre në lidhje me kursin ndaj anëtarësimit në BE të vendeve të tjera nga gadishulli i Ballkanit. Brënda BE-së po krijohen në këtë çështje dy kampe, qëndrimet e të cilave po bëhen gjithnjë e më të papajtueshme.

Nga njëra anë Franca dhe vende të tjera që janë skeptike ndaj zgjerimit, po i mëshojnë frenit dhe vënë theksin para së gjithash tek kapacitetet e kufizuara të BE-së për t'u zgjeruar. Nga ana tjetër Britania e Madhe e cila nuk do t'ia dijë prej kësaj frike dhe këmbëngul për kursin për të cilin u ra dakord në Selanik në vitin 2003.

Përmes një deklarate të formuluar në mënyrë tepër të përgjithshme, ku thuhet se premtimet e bëra vazhdojnë të mbeten në parim, por që kandidatët duhet t'i përmbushin me rigorozitet të gjitha kushtet, të 25 vendet anëtare të BE-së arritën që ta mbyllnin humnerën që kërcënonte të bëhej gjithnjë e më e madhe.

MPJ gjerman Frank-Walter Steinmeier mori një pozicion të mesëm duke thënë vetëm se gjatë këtij viti duhet të vazhdojnë bisedimet. Në Salzburg u bë sërish e qartë paraliza që mbretëron në BE që prej përgjigjeve negative të referendumeve për kushtetutën në Francë dhe Holandë.

Atyre që u duhet të vuajnë prej debateve të zvarritura për Ballkanin janë vendet që synojnë anëtarësimin në BE. Në rast se përhapet ndjenja e pasigurisë në lidhje me dëshirën e BE-së për t'i pranuar apo jo këto vende, atëhere mund të dobësohet dëshira për demokratizimin, reforma ligjore apo pajtim me fqinjët. Diplomatët e BE-së në Ballkan kanë frikë se kjo mund të çojë në nxitjen e forcave nacionaliste në Ballkan.

MPJ i Luksemburgut Jean Asselborn theksoi se evropianët kanë detyrimin e mallkuar që të pengojnë një luftë të re në Ballkan. Për t'u mbështetur me forcë është paralajmërimi i komisionerit të BE-së për zgjerimin e BE-së Olli Rehn, sipas së cilit qeveritë e vendeve të Ballkanit duhet të bëjnë më shumë për integrimin, se sa të presin se ç'bën BE-ja në këtë drejtim. Një fillim shpresëdhënës mund të bëhet përfundimi i një marrëveshjeje të tregtisë së lirë ndërmjet vendeve të Ballkanit.

Ripërsëritja e premtimit për integrimin e Ballkanit e shton edhe presionin ndaj vendeve aktuale të BE-së për të përmbushur detyrat e tyre. Pa një kushtetutë që lejon procedura dhe vendimmarrje më të shpejtuara një BE prej 32 apo 33 anëtarësh nuk do të jetë më në gjendje që të drejtohet. Për shkak të qëndrimit skeptik ndaj BE-së në shumë vende anëtare, ministrat nuk do të pushojnë së bëri reklamë tek elektorati i tyre për domosdoshmërinë e integrimit të Ballkanit. Por një gjë e tillë mund të dëshmohet shumë shpejt si një gabim i madh, në qoftë se vendet e vjetra të BE-së do të përjetojnë një shok të ngjashëm prej zgjerimit si në rastin e anëtarësimit më 1 maj 2004 të tetë vendeve evropianolindore si dhe tö Maltës e tö Qipros.

MPJ e shtynë edhe një herë ndërmarrjen e një diskutimi të thellë dhe të domosdoshëm në lidhje me kufijtë e BE-së. Çështja nëse në BE do të duhej të bënin pjesë edhe shtete të tilla si Ukraina, Gjeorgjia, Moldavia apo Izraeli, as që u zunë as me gojë.

Vdekja e nxitësit të luftës Sllobodan Milloshevic nuk do të ketë pasoja të mëdha në rrugën e Ballkanit për anëtarësim në BE. Dhjetë vjet pas përfundmit të luftës në Bosnje vazhdojnë të jenë të nevojshme trupa evropiane për të garantuar qeverisjen e BiH. Kjo është trashëgimia e hidhur që ka lënë pas Milloshevici. Mund të thuhet se do të duhen edhe të paktën dhjetë vjetë të tjera, deri sa vendet e Ballkanit të jenë vërtet në atë stad që të mund të anëtarësohen në BE.