Pabarazi në shpërndarje | Bota | DW | 07.04.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Pabarazi në shpërndarje

OBSH paraqet raportin vjetor për shëndetësinë në botë

Personeli mjekësor mungon pikërisht aty ku epidemitë janë më të përhapura

Personeli mjekësor mungon pikërisht aty ku epidemitë janë më të përhapura

Çdo vit Organizata Botërore e Shëndetsisë paraqet një raport, i cili u kushtohet zakonisht epidemive dhe sëmundjeve. Por këtë vit bëhet fjalë për të parën herë për ata që punojnë për shëndetin: mjekët, infermieret, manaxherët, personeli i specializuar i çdo lloji. Thënë më saktë: bëhet fjalë për mungesën e tyre.

“Në 2006-ën kemi rreth 60 milion njerëz në mbarë botën, të cilët punojnë për shëndetsinë. Ata shpëtojnë jetë. Sa më e lartë dendësia e bashkëpunëtorëve në sektorin shëndetsor, aq më shumë rriten shanset e mbijetesës për nënat dhe fëmijët. Por në botë kemi një pabarazi të jashtëzakonshme në shpërndarjen e personelit në sektorin shëndetsor. Në Afrikë 1.000 njerëz mbulohen nga 2,3 specialistë – në gjithë Amerikën ky numër është dhjetëfishi: 24 për 1.000 vetë.“ Timothy Evans, zëvendësdrejtor i OBSH-së e paraqiti raportin botëror për shëndetësinë në Gjenevë. Raporti tregon se pikërisht atje ku epidemitë dhe sëmundjet janë më të përhapura ka më së paku mjekë, infermierë dhe personel tjetër. Janë të prekura 57 vende në Azinë juglindore dhe Afrikë, më shumë se gjysma e tyre gjenden në Afrikën Jugore, atje ku janë edhe vendet më të varfra në botë. Pak më shumë se 1/10 e njerëzimit jeton në këto vende, të cilat mbajnë thuajse çerekun e barrës së epidemive dhe sëmundjeve. Këtu sektori shëndetsor është krejt i mbingarkuar nga Sida, malarja apo diareja – përkujdesja e mjaftueshme është e pamundur; për të mos folur aspak për parandalimin me anë të vaksinimit, sqarimit dhe masave të tjera. E gjitha kjo kur OBSH-ja në një nga raportet e saj të fundit tërheq vëmendjen se nënat dhe fëmijët mund të shpëtohen edhe me mjete të thjeshta. Mungesat kanë shumë arsye. Në këto vende personeli paguhet jashtëzakonisht keq. Kësaj i shtohen kushtet e mjerueshme të punës dhe rreziku individual i infektimit apo trazirat sociale. Për këto arsye, thotë Timothy Evans, një pjesë e personelit të kualifikuar thjesht largohet: “Në shumë vende të zhvilluara ka kërkesë të madhe për specialistë në sektorin shëndetsor – në sajë të përparimit të mjekësisë, sepse sa vjen e shtohen të moshuarit dhe sepse pretendimet janë të mëdha. Zhvillimi e sistemeve shëndetsore dhe rritja e kërkesës për specialistë i tërheqin njerëzit nga vendet në zhvillim. Thuajse një e katërta e mjekëve që janë shkolluar në Afrikë punon aktualisht në vendet e OECD-së. Do të duhen shumë vite për ta zgjidhur këtë problem kompleks, mendon OBSH-ja. Por pikërisht për këtë arsye ai duhet trajtuar sa më shpejt të jetë e mundur – si me strategji kombëtare ashtu edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Bëhet fjalë për një kualifikim më të mirë, për pagesa më të përshtatshme dhe për kushte më të mira pune. OBSH-ja propozon që gjysma e parave që do të shpenzohen në të ardhmen për luftimin e sëmundjeve të përdoret me synimin e shmangies së mungesave në mjekë, infermiere apo mami."

  • Data 07.04.2006
  • Autor Joachim Schubert-Ankenbauer
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArLu
  • Data 07.04.2006
  • Autor Joachim Schubert-Ankenbauer
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArLu
Reklamë