Paaftësi dhe gatishmëri për ndihmë - Bilanc një vit pas cunamit | FOKUS | DW | 26.12.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

FOKUS

Paaftësi dhe gatishmëri për ndihmë - Bilanc një vit pas cunamit

Më 26 dhejtor 2004, për besimtarët kristianë dita e dytë e Krishtlindjeve, një lajm tronditi të gjithë botën: në oqeanin Indian kish ndodhur një tërmet nënujor me pasoja tragjike.

Sistem paralajmërimi nga cunamet

Sistem paralajmërimi nga cunamet

Një vit pas cunamit kudo nxirret bilanci. Numërohen të vdekurit, llogaritet dëmi material dhe merret nën lupë me sy kritik përdorimi i parave të ndihmave. Por tek e fundit vlen të theksohet, se me angazhamin e tyre organizatat ndërkombëtare të ndihmës parandaluan katastrofën që mund të ndodhte pas katastrofës. Asnjëherë tjetër njerëzit nuk kanë shpenzuar kaq shumë dhe me kaq zemërgjerësi sa në rastin e katastrofës së cuanmit, por një pjesë e ndihmës nuk ka mbërritur tek ata që vërtetë kanë pasur nevojë. Shpesh herë rindërtimi pas ndihmës së emergjencës ka ecur me ritme të çala për shkak të burokracisë vendase dhe të rrethanave të tjera të vështira. Edhe në aspektin politik ky bilanc është i dyanshëm: pas cunamit në Ace të Indonezisë u arrit vendosja e një marrëveshje paqeje - ndërsa në Srilanka lufta civile vazhdoi përtej varrezave të viktimave të katastrofës.

A mund të përpunohet një katastrofë e si ajo e 26 dhjetorit 2004 me bilance të tilla? Jo, kështu është e pamundur. Dëshira për t´u rikthyer në normalitet, nevoja për siguri dhe kontroll të jetës, të gjitha këto janë mëse njerëzore. Por cunami në oqeanin Indian tregoi, se këto nevoja kanë përpara kufij. Katastrofat natyrore me të tilla përmasa nuk mund të përballohen dhe as nuk mund të parashikohen, ndërsa plagët që shkaktojnë ato shërohen me vështirësi.

Kujtimi për katastrofën e një viti më parë nuk është rast i përshtatshëm për të llogaritur gabimet e mundshme dhe dobësitë e organizatave të ndihmës pas katastrofës. Natyrisht që duhet të kontrollohet, nëse paratë e ndihmave mbërrijnë në destinacion. E vërteta mbetet megjithatë, që asnjë aksion ndihme nuk mund të kthejë qindra mijëra të vdekurit dhe të riparojë shkatërrimin e plotë të zonave të tëra.

Cunami na mëson, se njeriu nuk mund t´i bëjë ballë dhunës së natyrës. Ndërsa gatishmëria e madhe për ndihma tregoi ndjenjën e solidaritetit mbarëbotëror. Mënyra se si të prekurit nga kjo katastrofë u përpoqën t´u bëjnë ballë pasojave, pasqyron dëshirën për ta kthyer kaosin në normalitet. Por kjo është e mundur vetëm nga ana materiale: nëse pas një viti, apo pas dy vjetësh do të jenë rindërtuar shtëpitë dhe do të kthehet normaliteti. Ndërsa dhimbjen e pamasë për humbjen e fëmijëve, prindërve dhe të afërmve askush s´mund ta shërojë.

Ajo që mbetet është edhe pasiguria dhe frika. Ndonëse tani në afërsi të brigjeve janë vendosur sistemet e paralajmërimit nga cunami, askush nuk e di nëse natyra do të godasë sërish dikur dhe diku. E ndërsa u vunë në funksionim sistemet e paralajëmrimit në zonat bregdetare, në tetor tërmeti tronditi Pakistanin, krejt papritur dhe me pasoja po aq të mëdha që nuk mund të parandaloheshin.

Për cunamin nuk ka asnjë shkaktar dhe asnjë përgjegjës, paçka se predikues të dyshimtë pretendojnë të kundërtën, e si mund të bëjnë ndryshe ata që duan të përfitojnë prej katastrofës? Pavarësisht nga të tilla përfytyrime të pakëndshme që na shoqërojnë, shumë njerëz pas cunamit dhanë maksimumin e tyre: vullnetarët kanë punuar deri në rraskapitje kundër pasojave të katastrofës, besimtarët i kanë varrosur në dinjitet viktimat dhe rebelët ulën armët. Ky është minimumi, për të cilin kanë nevojë viktimat e katastrofave natyrore, jo vetëm ato të cunamit, por edhe ato të tërmetit në Pakistan, ndonëse vetëm një pikë uji në oqean, kjo është ajo që mund të bëjë njeriu. Cunami tregoi, se kjo është shumë dhe pak njëkohësisht.

  • Data 26.12.2005
  • Autor Sybile Golte
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqgw
  • Data 26.12.2005
  • Autor Sybile Golte
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqgw