Pa shpresa të mëdha! | Politika | DW | 04.10.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Pa shpresa të mëdha!

Në prag të takimit të ministres së jashtme të SHBA Rice me udhëheqjen palestineze

Rice në Egjipt

Rice në Egjipt

Në prag të vizitës së saj në Lindjen e Mesme, ministrja amerikane e punëve të jashtme Condoleeza Rice, ka kërkuar nga Egjipti ndërmarrjen e reformave politike. Egjipti duhet të udhëheqë lëvizjen demokratike në rajon ka thënë Ricë gjatë takimit me homologun egjiptian Ahmed Abul Gheit. Sot (4.10) ministrja pritet të takohet me udhëheqjen izraelite dhe atë palestineze.

Vizita e ministres amerikane të punëve të jashtme zhvillohet në një kohë kur konflikti ndërpalestinez mes Hamasit islamist dhe lëvizjes nacionaliste Fatah është ashpërsuar më tej. Condoleeza Rice në takimin me presidentin e palestinezëve Abas do të diskutojë rreth mundësive që partia e tij Fatah të ndihmojë në negociatat me qeverinë e drejtuar prej Hamasit si dhe mbi rrugët për rigjallërimin e proçesit të paqes me Izraelin. Përpara nisjes nga Kajro Rice u shpreh: "Palestinezët kanë nevojë për një qeveri që të përfaqësojë interesat e popullit palestinez dhe të interesohet për mirëqënien e tij. Kanë nevojë për një qeveri në gjendje të mbajë marrëdhënie me bashkësinë ndërkombëtare. Një qeveri e tillë, në përputhje me konsensusin e gjerë në rajon, duhet të synojë zgidhjen e dy shteteve e cila dëshërohet si nga palestinezët ashtu dhe nga izraelitët."
Rice do të takohet edhe me politikanë të të tjerë palestinezë ndër të tjera edhe me eksponentë nga milicia Tansim e partisë Fatah.
Lideri i tyre Marvan Barguti po diskutohet si pasues i Jaser Arafatit dhe konsiderohet iniciues i Intifadës. Barguti aktualish vuan dënimin me pesë burgime të përjetshme në një burg izraelit vazhdon megjithatë të ushtrojë ndikim politik nga qelia. Ministrja amerikane nuk do të takojë politikanë të Hamasit. Lëvizja radikale islamiste kategorizohet nga SHBA si organizatë terroriste.

Gjatë një konference për shtyp dje (3.10) në Arabinë Saudite, Rice u bëri thirrje palestinezëve të ndërrojnë qeverinë. Sipas Rice popullit palestinez i duhet një qeveri që t'i përmbahet marrëveshjeve egzistuese të paqes, të njohë Izraelin dhe të heqë dorë nga dhuna. M.q.s qeveria e Hamasit i injoron këto kërkesa ajo është e izoluar në plan ndërkombëtar dhe negociatat me Fatahun për krijimin e një koalicioni të madh kanë mbetur në vend.

Kryeministri i qeverisë së Hamasit Ismail Hanija e akuzoi ministren amerikane se aplikon parimin "përça e sundo" për të dobësuar shtetet e rajonit: "Unë u bëj thirrje vendeve arabe të mos bashkohen me planet amerikane dhe të mos lejojnë t'i ndajnë", ka thënë Hanija.

Në qarqet palestineze thuhet se SHBA urojnë që presidenti Abas të shkarkojë qeverinë dhe të ngrerë një administratë të re pa radikalë islamistë. Abas do të kërkojë mbështetje financiare nga ministrja e jashtme amerikane për lëvizjen Fatah dhe pjesën besnike të forcave të sigurisë. Pa para dhe armë nuk mund t'i bëhet ballë kërcënimit në rritje që vjen nga Hamasi. Lideri në mërgim i Hamasit Chaled Meshal sipas udhëzimeve të Sirisë dhe Iranit ka penguar krijimin e një koalicioni të madh mes Hamasit dhe Fatahut dhe ka ndaluar këmbimin e të burgosurve me Izraelin.

Shpresat e palestinezëve tek ministrja amerikane lidhur me proçesin e paqes janë mesa duket të vogla. Përparime do të ketë vetëm kur SHBA të bindin Izraelin të rikthehet në tryezën e negociatave dhe të transferojë një pjesë të të ardhurave fiskale të ngrira nga Izraeli që prej marrjes së pushtetit nga Hamasi.

Veç kësaj duhet të hapen të gjitha kalimet kufitare me Rripin e Gazës për t'i dhënë fund krizës së rëndë ekonomike. Në përfundim të bisedimeve me palestinezët Condoleeza Rice do të takohet me kryeministrin izraelit Ehud Olmert, ndërsa për nesër (5.10) janë planifikuar takime me ministren e jashtme izraelite Livni dhe ministrin e mbrojtjes Peretz.

  • Data 04.10.2006
  • Autor Sabina Matthay
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqoN
  • Data 04.10.2006
  • Autor Sabina Matthay
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqoN