Përurohet në Bruksel Komisioni Ndërkombëtar për Ballkanin | Evropa | DW | 22.04.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Përurohet në Bruksel Komisioni Ndërkombëtar për Ballkanin

Qëllimi i krijimit të këtij organizmi, në të cilin bën pjesë edhe ish-kryeministri shqiptar Ilir Meta, është përshpejtimi i procesit të integrimit të vendeve të Europës Juglindore në Bashkimin Europian.

Pllakatë nga ekspozita Evropa për paqen e përjetshme

Pllakatë nga ekspozita "Evropa për paqen e përjetshme"

Me nismë të disa fondacioneve euro-amerikane dhe nën kryesimin e ish – kryeministrit italian Xhulio Amato këto ditë në Bruksel u mbajt takimi i parë i një organizmi të sapokrijuar, i pagëzuar si Komisioni Ndërkombëtar për Ballkanin.

Nisma e ngritjes së këtij forumi euro-amerikano – ballkanik i takon fondacionit gjerman Robert Bosch Stiftung, atij belg Mbreti Boduën, dhe atyre amerikane të Fondit Marshall dhe Çarl Stjuart Mott. Synimi i këtij Komisioni është përpilimi i një politike që ka si synim përfundimtar integrimin e vendeve europianojuglindore në Bashkimin Europian dhe në NATO. Në këtë kuadër ky Komision do të botojë gjatë këtij viti 3 raporte mbi perspektivat e një anëtarësimi të ardhshëm të vendeve europianojuglindore në BE, NATO dhe organizma të tjera ndërkombëtare, ndërsa pranverën e vitit të ardhshëm një raport përfundimtar. Në mënyrë të veçantë të tërheq vëmendjen përbërja e anëtarëve të këtij Komisioni Ndërkombëtar për Ballkanin në të cilin bëjnë pjesë 17 figura të njohura në jetën politike europiane dhe ballkanike, si janë psh ish presidenti i Gjermanisë Riçard von Weizsacker, ai i Maqedonisë Kiro Gligorov, ish – kryeministri sudez dhe ekspert i njohur i çështjeve ballkanike Karl Bildt, ish – kryeministri belg Zhan Luk Dehane, ai bosnjak Zllatko Lugumxhija, 2 ministrat e jashtëm të Rumanisë dhe federatës serbo – malazeze Mirçea Geoana dhe Goran Svilanoviç si dhe komisioneri i ardhshëm i Bashkimit Europian, slloveni Janezh Potoçnik. Ish kryeministri shqiptar Ilir Meta, i cili konsiderohet në Bruksel si një proeuropian i bindur, është zgjedhur po ashtu nga hartuesit e këtij forumi si përfaqësuesi i vetëm shqiptar në të.

Përveç hartimit të raporteve për vendet e Europës Juglindore, pjesëmarrësit e këtij Komisioni nisur edhe nga reputacioni i tyre, do të përpiqen të ndikojnë si pranë qeverive ballkanike për vënien në jetë të reformave të kërkuara nga BE-ja, por po ashtu edhe pranë institucioneve europiane për të përshpejtuar integrimin e këtij rajoni në Bashkimin Europian.

  • Data 22.04.2004
  • Autor Viron Gjymshana / Bruksel
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArHW
  • Data 22.04.2004
  • Autor Viron Gjymshana / Bruksel
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArHW