Përshtatet mentaliteti turk me me atë gjerman? | Politika | DW | 28.03.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Përshtatet mentaliteti turk me me atë gjerman?

Anketimi i Fondacionit Kërber krahason botëkuptimet në Gjermani dhe Turqi. Turqit e anketuar dinë shumë pak për Gjermaninë, ndërkohë që gjermanët kanë një përfytyrim shumë më të fiksuar për Turqinë

Turq në Gjermani

Turq në Gjermani

Po të pyesësh politikanët konservatorë në Evropë, ata e kanë përgjigjen në majë të gjuhës: Jo. Por çfarë dinë perëndimorët për qëndrimin e turqve ndaj BE-së? Me porosi të fondacionit gjerman Kërber është zhvilluar kohët e fundit një anketim parelel, në të cilin u pyetën 1000 turq dhe 1000 gjermanë jo vetëm për veten dhe për botëkuptimin e tyre, por edhe për atë të vendit tjetër.

"Janë pasqyrime të situatës aktuale dhe si të tilla ato rrezikojnë të ngjallin tek të dyja palët paragjykime. Prandaj e rëndësishme është që të shihet edhe debati që u zhvillua në një konferencë të tillë. Ai flet për një larmi gjithmonë e më në rritje të shoqërisë turke," – thotë profesore Rita Sysmut, ish-presidente e Bundestagut gjerman.

Larmia doli në pah veçanërisht nga diskutimet kontroverse të rezultateve të studimit. Për shembull lidhur me përfytyrimin që kanë turqit dhe gjermanët për shtetin. Rezultati tregonte se mbi 70 përqind e gjermanëve favorizojnë ndarjen e pushteteve, ndërsa afro gjysma e turqve mendojnë se është më mirë që politikani më i mirë i vendit të jetë në krye të shtetit dhe ta ketë nën kontroll gjithë qeverisjen. Ndërsa për shumë perëndimorë kjo flet për kuptim të mangët të demokracisë, politologu nga Ankaraja, Hysein Bakçi e lidh këtë qendrim me debatin e gjatë që është zhvilluar në shoqërinë turke rreth sistemit presidencial: "Debati për sistemin presidencial ka filluar në Turqi qysh në vitet 80-të. Por ne vazhdojmë të kemi sistemin parlamentar. Dhe kjo do të mbetet kështu edhe për një kohë të gjatë," – parashikon Bakçi.

Dallime kishte dhe në lidhje me rolin e shtetit. Afro dy të tretat e turqve të anketuar duan një shtet që të kujdeset tërësisht për qytetarët e vet. Një tezë të tillë e mbrojnë vetëm 40 për qind e gjermanëve. Dallime u shfaqën edhe në lidhje me të kaluarën. Fjala "gjenocid" për masakrën ndaj armenëve në vitin 1915 në Turqi vazhdon të jetë tabu. "Ne patëm luftën tonë nacionalçlirimtare që ishte lehtësim për Turqinë. Prandaj edhe nuk u morëm sa duhej me nacionalizmin. Nacionalizmi turk dhe krenaria për luftën çlirimtare dhe nacionalizmin gjatë Luftës së parë Botërore, janë shkrirë me njëra tjetrën," - sqaron Taner Akcam, sociolog turk.

Turqit e anketuar dinë shumë pak për Gjermaninë. Gjermanët në të kundërt kanë një përfytyrim shumë më të fiksuar për Turqinë. Kështu për shembull, ndërsa 90 për qind e gjermanëve të pyetur ishin të mendimit që feja në Turqi luan një rol shumë të madh, anketimi nxorri që kjo vlen për më pak se gjysmën e turqve. Oya Abali, drejtuese e dialogut gjermano-turk në Fondacionin Kërber, shpreson që përmes studimeve të mëtejshme të këtij lloji, do të mund të hiqet një pjesë e paragjykimeve nga të dyja palët.

  • Data 28.03.2006
  • Autor Dafne Antahopulos
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqqb
  • Data 28.03.2006
  • Autor Dafne Antahopulos
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqqb