Përpjekjet e shteteve evropiane për ratikfikimin e kushtetutës | Evropa | DW | 08.02.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Përpjekjet e shteteve evropiane për ratikfikimin e kushtetutës

Qëkurse në fillimverë 2005 si Franca ashtu edhe Holanda e refuzuan me një "jo" të qartë në referundume kushtetutën evropiane, ky projekt i madh evropian ka mbetur në vend; sepse kushtetuta duhet të ratifikohet nga të gjitha shtetet evropiane, dy vota refuzuese njëheri e kanë vendosur Evropën në letargji pritëse.

Para së gjithash me jo-në franceze është ndalur kushtetuta

Para së gjithash me jo-në franceze është ndalur kushtetuta

Si i vetmi vend Estonia vazhdon rrugën përpara. Atje parlamenti me gjasa do ta miratojë kushtetutën gjatë pranverës.Si patatja e njohur e nxehtë po kalohet kushtetuta evropiane nga presidenca evropiane e radhës tek tjetra. Austriakët duan në fakt të mendojnë më shumë gjatë gjashtëmujorit të parë 2006 për të ardhmen e Evropës, por të mos merren vërtet me kushtetutën e refuzuar me referendum nga Franca dhe Holanda. Edhe Finlanda do të mendojë për kushtetutën në gjashtëmujorin e dytë, si kryetare e radhës. Presidentja e saporizgjedhur finlandeze Tarja Halonen e ka lënë njëherë për më vonë ratifikimin në vendin e vet.

Kështu me gjasa patatja e nxehtë do t'i mbetet në 2007-ën kancelares gjermane Angela Merkel, e cila do të ketë atëherë kryesinë e radhës. Në Gjermani dhoma e ulët dhe e lartë e parlamentit e kanë miratuar tekstin e kushtetutës që një vit më parë. Referendumi nuk ishte i nevojshëm.

Përveç Gjermanisë teksti i kushtetutës është pranuar edhe nga njëmbëdhjetë anëtarë të tjerë të Bashkimit Evropian. Ky do ti sillte Bashkimit të zgjeruar më shumë demokraci, mekanizma të përmirësuar vendimmarrjeje dhe më shumë transparencë. Në Belgjikë është në prag pranimi përfundimtar nga ana e një dhome të një parlamenti rajonal. Dymbëdhjetë shtetet e mbetura të Bashkimit Evropian e kanë ndaluar pjesërisht procesin e ratifikimit. Referendumet në Portugali, Poloni dhe Danimarkë janë shtyrë.

Britania e Madhe, e cila njihet tradicionalisht si veçanërisht kritike ndaj Evropës, e ka pezulluar procesin e vet të ratifikimit dhe ka të ngjarë të votojë si vendi i fundit, në rast se mbërrihet dikur në këtë pikë. Sepse çështja kyçe, sesi mund të rikthehen në bord Franca dhe Holanda, mbetet e pazgjidhur. A u duhet nxjerrë zgjedhësve i njëjti tekst për votim pas njëfarë pushimi reflektimi? Deri tani kryeministri holandez Jan-Peter Balkenende e refuzon këtë. A mund të përmirësohet teksti i kushtetutës apo edhe të rishkruhet tërësisht? Kjo nga ana tjetër refuzohet prej shteteve, të cilat e kanë ratifikuar projektin fillestar.

Si rrugëdalje kancelarja Merkel mendon me sa duket t'i shtojë kushtetutës së pandryshuar një protokoll, në të cilin theksohen edhe një herë aspektet sociale të Evropës. Kështu është vepruar për shembull kur danezët refuzuan me referendum Marrëveshjen e Maastrichtit më 1992. E njëjta marrëveshje u paraqit edhe një herë për votim me katër rregulla të veçanta dhe në fund u pranua.

Parlamenti Evropian përpiqet të bëjë trysni dhe në një rezolutë jodetyruese ka vendosur që pranimin e vendeve të reja në Bashkimin Evropian ta miratojë vetëm kur të ekzistojë kushtetuta. Ky kusht do të prekë shtetet e Ballkanit dhe Turqinë.

  • Data 08.02.2006
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArC9
  • Data 08.02.2006
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArC9