Përkujtohet 60 vjetori i çlirimit të kampit të përqëndrimit dhe shfarrosjes Aushvic | Gjermania | DW | 25.01.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Përkujtohet 60 vjetori i çlirimit të kampit të përqëndrimit dhe shfarrosjes Aushvic

Ceremonia u zhvillua në teatrin gjerman të Berlinit nga Komiteti Ndërkombëtar i Aushvicit. Në komitetin me të njëjtin emër, themeluar në vitin 1952 prej organizatave nga 19 vende, janë bashkuar rreth 20.000 të mbijetuar. Qëllimi i tyre është mbajtja gjallë e kujtimit ndaj tmerrit të Aushvicit dhe transmetimi i tij edhe brezave të rinj. Komiteti i Aushivicit i është përkushtuar edhe luftës kundër antisemitizmit dhe ekstremizmit të djathtë.

Kancelari Gerhard Shrëder duke folur në ceremoninë përkujtimore

Kancelari Gerhard Shrëder duke folur në ceremoninë përkujtimore

"Aushvici është varreza më e madhe në botë", tha në ceremoninë përkujtimore në teatrin gjerman të Belrinit, Kurt-Julius Goldshtajn, president nderi i Komitetit Ndërkombëtar të Aushvicit. Goldshtajn i ka mbijetuar Aushvicit - kampi i përqëndrimit, në të cilin nacionalsocialistët llogaritet të kenë vrarë në mënyrë shtazarake rreth 1.5 milionë njerëz.

"Në varrezën më të madhe Aushvic prehen polakë, sinti dhe romë, rusë, gra e burra të rezistencës nga të gjitha vendet e botës. Asnjëri prej tyre nuk ka një gur përkujtimor. Nazistët donin që ata të harroheshin. Ne kemi detyrim që kjo të mos ndodhë."

Kujtimi ndaj krimeve të nacionalsocialistëve është një detyrim moral, theksoi edhe kancelari Gerhard Shrëder. Nuk është e vetëkuptueshme që më kanë ftuar në këtë ceremoni përkujtimore, tha Shrëder. Sipas tij, gjermanët do të bënin mirë të heshtnin në sfondin e krimit më të madh të njerëzimit: "Unë shpreh turpin tim përpara të vrarëve dhe përpara atyre që i kanë mbijetuar ferrit të kampit të përqëndrimit. Shelmno, Belcek, Sobibor, Treblinka, Maidanek dhe Aushvic-Birkenau këto emra do të mbeten përjetësisht të lidhur me historinë e viktimave, por edhe me historinë evropiane dhe atë gjermane. Ne e dimw këtë. Ndaj e mbajmë këtë barrë me dhimbje, por edhe me përgjegjësi serioze."


Kjo përgjegjësi sipas Shrëderit do të thotë, të luftosh me të gjithë forcën antisemitizmin dhe t´i kundërvihesh riforcimit të neonazizmit. Shrëder e bëri këtë deklaratë edhe në sfondin e diskutimeve të fundit në Gjermani për partinë ekstremiste të djathtë NPD, partia nacionale e Gjermanisë, e cila refuzoi pjesëmarrjen në një minutë heshtjeje në nderim të viktimave të Holokaustit në parlamentin e landit të Saksonisë.

Shrëder: "Eshtë detyrimi i përbashkët i të gjithë demokratëve, që t´u kundërvihen me vendosmëri përpjekjeve të vazhdueshme për t´i minimizuar krimet naziste. Për armiqtë e demokracisë dhe të tolerancës nuk duhet të ketë tolerancë."

Izrael Singer, kryetar i kongresit botëror të hebrejve, vuri në dukje faktin që në një anketim të fundit zhvilluar në Britaninë e Madhe pothuajse gjysma e të pyeturve nuk kanë dëgjuar ndonjëherë për Aushvicin: "Muzetë, konferencat dhe monumentet për Holokaustin vizitohen kryesisht prej politikanëve dhe hebrejve, apo miqve të tyre. Shumica e njerëzve në të kundërt mbeten të painofmuar. Ka ardhur koha që Holokasuti të çlirohet prej kësaj getoje."

Si përfaqësues i brezit të ri foli 21 vjeçari Artur Brozovski, student në qytetin e vogël jugor të Polonisë, Osvjecim, që në gjermanisht u quajt Aushvic sipas emrit të kampit të shfarrosjes në masë: "Atdheu im është Osvjecim, vendi, ku ka ndodhur katastrofa më e madhe e njerëzimit. Shpesh njerëzit më pyesin nëse më shqetëson fakti që përreth meje jehon vetëm historia. Por nëse jehona e saj nuk do të degjohej, ne mund të kishim frikë për të ardhmen tonë. Ajo na shërben ne si një pasqyrim negativ për një të nesërme më të mirë."

Gjyshi i studentit Brozovski ishte i dënuar në Aushvic, gjë që e motivoi të nipin të mësojë gjermanishten dhe të angazhohet për pajtimin. Dëshira e fortë e të gjithë referuesve ishte që brezi i ri ta mbajë të gjallë kujtimin për tmerrin e Aushvicit. Joshja e harresës dhe ndrydhjes është e madhe, por ne nuk do të biem pre e saj, tha shprehimisht kancelari Shrëder në ceremoninë përkujtimore me rastin e 60 vjetorit të çlirimit të kampit të përqëndrimit në Aushvic.

  • Data 25.01.2005
  • Autor Nina Verkheuzer
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar4s
  • Data 25.01.2005
  • Autor Nina Verkheuzer
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar4s