Përgënjeshtrimi mbi aferën e CIA, i pamjaftueshëm | FOKUS | DW | 06.12.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

FOKUS

Përgënjeshtrimi mbi aferën e CIA, i pamjaftueshëm

Rreth vizitës së Kondoliza Rajs në Berlin.

Fluturime të CIA-s nga baza amerikane Ramstein në Gjermani.

Fluturime të CIA-s nga baza amerikane Ramstein në Gjermani.

A ka shërbimi sekret i SHBA-së, CIA burgje të fshehta në Evropë, ku torturohen dhe merren në pyetje të dyshuarit për terrorizëm? A janë transportuar të burgosurit nëpër këto burgje duke përdorur aeroportet evropiane si pika tranziti? Dëshmi konkrete nuk ka, por ka vetëm njoftime nga mediet e SHBA, të cilat u referohen të dhënave të ish-punonjësve të CIA-s.

Presidenca britanike e BE-së ka kërkuar sqarime nga qeveria në Uashington. Edhe ministri i ri gjerman i punëve të jashtme, Franc-Valter Shtajnmajer para pak ditësh gjatë vizitës së prezantimit në Uashington e përfshiu në axhendën e bisedimeve këtë temë. Homologia e tij Kondoliza Rajs, synon të japë sqarime gjatë turit të vizitave në Evropë. Por në vend që të japë përgjigje konkrete ajo vetëm sa i përgënjeshtroi këto njoftime në Berlin. Askush në Evropë nuk mund të mjaftohet me kaq.

Nëse i bësojmë Kondoliza Rajsit, atëherë SHBA janë mbrojtëse të botës nga e keqja e terrorit, një vend që në gjithçka që bën mbron me rigorozitet të drejtat e njeriut. Që të burgosurit trasnportohen nga një vend në tjetrin, për t´u marrë në pyetje duke u tortuaruar, jo, SHBA as nuk e kanë bërë dhe as nuk e bëjnë kurrë një gjë të tillë.

SHBA as nuk përdorin të drejtat e fluturimit dhe as aeroportet e vendeve të tjera për të transportuar të burgosurit nëpër kafazët e torturave. Të gjitha këto, nëse i besojmë Kondoliza Rajsit. Sepse sipas saj, të gjitha spekulimet për burgjet e fshehta të CIA-s në Poloni dhe në Rumani janë vetëm "keqkuptime". SHBA sipas Rajsit, përmbushin vetëm "detyrimin e parë dhe më të vjetër të çdo qeverie" - e ky është, mbrojtja e qytetarëve.

Me deklarata të tilla në Evropë nuk duhet dhe nuk mundt të mjaftohet askush. E para sepse ministrja e jashtme amerikane ende nuk ka dhënë përgjigje ndaj çështjes thelbësore që është: "ka apo nuk ka CIA burgje të fshehta në shtetet evropiane? Së dyti, sepse me bazën ushtarake në Guantanamo prej kohësh ekziston rasti precedent i një hapësire jashtë çdo legjislacioni. Që CIA ka përdorur metoda torturash, për këtë flasin jo vetëm viktimat, por edhe organizatat e të drejtave të njeriut si Amnesty Inetrnational. Ka gjithashtu edhe ish-punonjës të CIA-s që e konfirmojnë këtë.

E qartë është, se akuzat për tortura nuk janë thjeshtë një çështje e brendëshme amerikane. Aq më tepër tani që po spekulohet edhe për dijeninë e qeverive evropiane mbi këtë. Kritika e Evropianëve ndaj Guantanamos dhe burgjeve të tjera, ku qeveria e SHBA lejon marrjen në pyetje të terroristëve dhe të të dyshuarve për terrorizëm, deri tani ka qenë me zë shumë të ulët. Shumë shpejt politikanët evropianë janë tërhequr në pozicionin komod, që SHBA parimisht janë të detyruar me kushtetutë për parimet demokratike dhe ato të shtetit ligjor.

Askush nuk duhet të pranojë, që në luftën kundër terrorit shoqëritë demokratike dhe vlerat e tyre mbrohen me mjete, që shkelin me këmbë pikërisht këto vlera. Këtë e ka theksuar me të drejtë edhe kancelarja Angela Merkel. Metodat e torturave të çdo lloji duhet të ndalohen nga repertori i ushtrive dhe shërbimeve sekrete. Madje kjo duhet të vlejë edhe po qe se mund të rrezikohet parandalimi i ndonjë aksioni të planifikuar terrorist. Parandalimi i shkeljes së të drejtave të njeriut nuk duhet të barazohet me shkelje edhe më të mëdha të këtyre të drejtave.

Qeveria federale pavarësisht nga pozicionimi për partneritetin transatlantik dhe luftën kundër terrorizmit duhet t´u përmbahet vlerave të saj. Ndaj ajo jo vetëm duhet të zbulojë bashkëdiejeninë e qeverisë paraardhëse ndaj aktiviteteve të CIA-s, por ajo duhet të ushtrojë presion edhe ndaj qeverisë së SHBA derisa Uashingtoni të japë sqarime. Deklaratat dhe përgënjeshtrimet verbale nuk mjaftojnë.

  • Data 06.12.2005
  • Autor Klaus Dahman
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqhI
  • Data 06.12.2005
  • Autor Klaus Dahman
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqhI