Për dialog me botën islame | Gjermania | DW | 10.02.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Për dialog me botën islame

Bundestagu ka debatuar të premten per reagimin qe kane ngjallur ne boten islamike karikaturat e botuara nga disa gazeta perendimore, ku përqeshej profeti mysliman Muhameti. Deputetët dënuan protestat e dhunshme dhe u shprehën për dialogun mes kulturave

Kupola e Rajhstagut në Berlin

Kupola e Rajhstagut në Berlin

Nismëtarët e seancës së posaçme ishin deputetët e fraksionit të të Gjelbërve. Kryetari i grupit më të vogël parlamentar, Fritz Kuhn, kritikoi gazetat që kanë botuar karikaturat:

"Kush e vë profetin Muhamet në të njëjtin vizatim me terroristët ai në radhë të parë ofendon myslimanët e shumtë që jetojnë në Evropë, që janë paqësorë dhe kundër dhunës," - gjykoi deputeti ekologjist, në fjalën hapëse, të premten në Bundestag. Karikaturat ai i quajti raciste dhe të rrezikshme.

Kuhn tha, se e vetmja rrugë për t'iu shmangur acarimit të mëtejshëm të konfliktit me botën myslimane është dialogu, për të cilin si urë kalimi mund të shërbenin fare mirë islamikët në Ballkan. Një rol të rëndësishëm konstruktiv këtu mund të luante edhe Turqia, shtoi politikani gjerman, duke theksuar edhe një herë rëndësinë e zgjerimit të mëtejshëm të Bashkimit Evropian.

Në emër të fraksionit të Unionistëve, Karl Theodor Freiherr zu Gutemberg nënvizoi, se ky dialog duhet të nxitet nga të dyja anët: "Toleranca, respekti për ndjenjat, simbolet dhe institucionet fetare nuk janë rrugë njëdrejtimëshe," tha Gutemberg. Ai dënoi protestat pjesërisht të dhunshme ndaj institiucioneve perëndimorë dhe kërkoi të mos lëshohet pe në dëm të lirisë së shtypit. Ai tha, se as nuk ka pse të kërkohet falje për karikaturat e as të dënohen gazetarët.

Kryetari i grupit parlamentar të liberalëve, që është partia më e madhe në opozitë, Wolfgang Gerhardt, mbrojti idenë e shtypit të lirë dhe dënoi reagimet kundra vendeve perëndimore: "Kemi interes te jetojmë me ju në dialog paqësor, kjo shihet si në Gjermani ashtu edhe në Danimarkë, por edhe ju keni përgjegjësi që të kujdeseni që të mos përsëriten më këto reagime që i kanë tejkaluar kufijtë dhe që po bëhen të padurueshme," iu drejtua ai myslimanëve.

Përfaqësuesi i SPD-së, Nils Annen, ka kërkuar që të shihet me vëmendje se kush i organizon demonstratat. "Nuk duhet të gabojmë e t'i barazojmë demonstratat e dhunshme me botën islamike. Eshtë intersant fakti, që janë qeveri laiciste, që për të arritur qëllimet e tyre politike, nxisin provokime të këtij lloji."

Duke folur në emër të grupit parlamentar të të majtëve, Norman Peach, i bëri thirrje qeverisë që të shikojë se ku është rrënja e kësaj urrejtjeje, që shpërtheu tani me pretekstin e karikaturave. Nga qeveria gjermane ai kërkoi që të angazhohet deri në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për një zgjidhje paqësore në Lindjen e Mesme.

Të premten për herë të parë edhe në Gjermani pati demonstrata kundër karikaturave të Muhametit. Rreth 200 demonstrues parakaluan në mënyrë paqësore në qendër të qytetit gjermano verior të Kilit. Protesta të reja pritet të ketë gjatë fundjavës në Dyseldorf dhe Berlin.

  • Data 10.02.2006
  • Autor Anila Shuka, Berlin
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar1N
  • Data 10.02.2006
  • Autor Anila Shuka, Berlin
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar1N