Për çështjen e Kosovës tani nuk mund të bëhet pauzë, pavarësisht krizës që po kalon BE-ja | FOKUS | DW | 28.06.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

FOKUS

Për çështjen e Kosovës tani nuk mund të bëhet pauzë, pavarësisht krizës që po kalon BE-ja

Intervistë me ambasadorin e Austrise pranë OKB në Gjenevë,Wolfgang Petriç

Wolfgang Petrisch

Wolfgang Petrisch

Nga viti 1997 derin në vitin 1999 ai ka qenë ambasador austriak në Beograd. Kur filloi lufta në Kosovë në vitin 1998 dhe Bashkësia ndërkombëtare u angazhua për një zgjidhje paqësore, Wolfgang Petriç u emërua nga BE-ja si përfaqësues në Grupin e Kontaktit.Ai ishte diplomati i fundit perëndimor që u largua nga Beogradi
pasi filluan sulmet ajrore të NATO-s. Wolfgang Petriç, bashkë me autorë të tjerë , ka shkruar dy libra për Kosovën.


Pyetje : Zoti Petriç, a do ta vështirësoj kriza e tanishme e BE-së zgjidhjen paqësore të çështjes se Kosovës?

Përgjigje: Unë shpresoj se nuk do të ndikojë. Natyrisht, jam i shqetësuar, se përmes krizës në Bashkësinë Evropiane do harrohet, siç thuhet, se cilat janë problemet aktuale, të cilat vazhdojnë të jenë të pranishme para derës së shtëpisë së Brukselit. Unë sapo isha në Bruksel dhe kam biseduar me komisionerin Oli Ren për këtë temë. Kam përshtypjen, se BE-ja dhe zyrtarët e saj të ngarkuar për çështjet e Evropës Juglindore, gjithësesi e dijnë, se për çështjen e Kosovës tani nuk mund të bëhet pauzë. Këtu duhet përpjekje me të gjithë potencialin politik, që të gjendet një zgjidhje politike, një zgjidhje që do të ikuadronte edhe Sh.B.A.-të.

Pyetje: A besoni se qytetarët e Kosovës do të bëhen shpejt qytetarë të BE-së?

Përgjigje: Unë besoj se ky do jetë një proces i gjatë, por në fund të fundit të gjithë shtetet dhe popujt e Evropës Juglindore do jenë pjesë e BE-së. Unë mendoj se është vështirë të diskutohet për Turqinë, por nuk ka asnjë arsye përse Kosova, bashkë me Serbinë, bashkë me Maqedoninë, me Bosnjë-Hercegovinën dhe me Shqipërinë, të mos jenë pjesë dhe anëtarë të BE-së.


Pyetje: Siç dihet, Beogradi po i arsyeton kërkesat e veta mbi Kosovën duke u mbështetur kryesisht në të drejtat historike. A do të mund të vlerësohej ky arsyetim si nacionalist dhe i tejkaluar në shekullin 21, sidomos kur kemi parasysh dëshirën e qytetarëve evropianë për një Evropë të bashkuar?

Përgjigje: Unë besoj, se nëse vëzhgohet dhe analizohet konflikti i Jugosllavisë, atëherë mund të konstatohet, se të drejtat historike janë instrumentalizuar për qëllime përkatëse politike. Në rastin e Serbisë, herë-herë, është përdorur e drejta historike, herë të tjera e drejta e shumicës etnike. Mendoj se me këto koncepte nuk mund të depertohet në shekullin 21. Unë kam besimin se një zgjidhje mund të gjendet vetëm në një bazë demokratike, ku qytetari është në epiqëndër, por përveç kësaj, kur njihen edhe të drejtat e pakicave. Dhe për këtë, Evropa pas vitit 1945, është angazhuar përmes shumë marrëveshjeve dhe akteve ndërkombëtare.

Pyetje: Sipas mendimit Tuaj, nacionalizmi është më i përhapur tek serbët apo tek shqiptarët dhe cili nga këta popuj është më i gatshem për zgjidhje kompromise të çështjes se Kosovës?

Përgjigje: Nacionalizmi, do ta precizoja etno-nacionalizmi, ky ekskluzivitet i përjashtimit të kombeve të tjera, është sëmundje kanceroze, siç thuhet, e Evropës Juglindore ose në ish Jugosllavi. Ai është nxitur përmes politikave nacionaliste të një Millosheviçi ose të një Tuxhmani. Pra, ndodhi një zhvillim, që çoi drejt katastrofave tmerruese, si në Bosnjë, ashtu dhe në Kosovë. Unë mendoj se me këtë politikë nacionaliste, e cila përfundoi me dështim absolut , duhet përballuar duke refuzuar në mënyrë të vendosur. Sigurisht se është me rëndësi që të respektohet nacionalja(kombëtarja) dhe prejardhja etnike, që janë identitete me rëndësi kulturore. Por nuk mundet që ndonjë nacionalizëm të dominojë politikën në një Evropë të bashkuar.

Pyetje: Si e vlerësoni Ju gjendjen e tanishme në Kosovë?

Përgjigje: Shpresoj se me vlerësimet që do t'i bëjë miku im Kay Aide standardeve do të kemi një rezultat që do të mundësojë hapin tjetër në vijim, që do thotë se pastaj, - mendoj nga vjeshta e këtij viti, - mund të kalohet në bisedat për statusin përfundimtar për Kosovën. Besoj se sidomos shumica shqiptare e Kosovës do të tregojë pjekuri, që do të mundësojë në një kohë të caktuar të gjendet zgjidhja për Kosovën. Zgjidhja mund të gjendet vetëm atëherë kur do të sigurohen të drejtat e pakicave, sidomos e serbëve, por edhe e pakicave të tjera, siç janë romët, ashkalinjët, etj., duke u bërë shumica e popullsisë se Kosovës ftesë serbëve të përndjekur dhe nga ata të kërkohet që të kthehen në Kosovë. Në një Evropë moderne nuk mund të ketë shtete të pastra etnike. Për këtë arsye Millosheviçi ka pësuar fiasko dhe diçka e përafërt nuk do funksiononte as nën udhëheqjen shqiptareve të Kosovës. Por unë jam i bindur përmes shumë bisedave që kam pasur me miqtë e mi shqiptarë dhe serbë në Kosovë, se këtu ka ndodhur një kthesë fundamentale në perceptimin e problemeve dhe se në të dyja anët janë bindur se duhet të gjendet një kompromis, një kompromis që do të përfshinte të gjitha të drejtat dhe siguritë për të gjithë qytetarët në Kosovë.

Pyetje: Zoti Petriç, siç dihet, libri juaj "Rruga e gjatë në luftë / Kosova dhe bashkësia ndërkombëtare 1989-1999") është botuar edhe në gjuhët serbisht dhe shqip. Si janë pritur këto libra nga lexuesit në Serbi dhe në Kosovë?

Përgjigje: Më duhet të them, se kam qenë i befasuar për shumë reagime pozitive dhe mirënjohje gjatë këtyre viteve, që kur ky libër është botuar në këto gjuhë. Ka qenë një përpjekje e imja që t'i publikojë mendimet e vlerësimet e mia, duke i bërë vlerësime edhe rolit të Bashkësisë ndërkombëtare, me qëllim që të ndikojë tek të dyja palët në konflikt.

Pyetje: Për librat tuaj duhet të kenë qenë të interesuar edhe diplomatët dhe politikanët e Bashkësisë ndërkombëtare, të cilët merren me Kosovën apo jo?

Përgjigje: Edhe nga ata kam marrë reagime vlerësuese. Duket se diplomatët që janë të angazhuar në Evropën Juglindore i kanë lexuar këto libra. Unë gjithashtu ndjehem i kënaqur, se disa nga idetë dhe propozimet e mia kanë gjetur zbatim në planifikimin e hapave të mëtutjeshëm politik, të cilët tashmë po i ndërmerr Bashkësia ndërkombëtare në kuadër të gjetjes se zgjidhjes se konfliktit të Kosovës.

  • Data 28.06.2005
  • Autor Mimoza Cika Kelmendi
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqkG
  • Data 28.06.2005
  • Autor Mimoza Cika Kelmendi
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqkG