1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pëtering: Eshtë mirë për BE-në, që votat i kanë fituar tre pro-evropianët

Friedbert Meurer23 Prill 2007

Presidenti i Parlamentit Evropian, Hans-Gert Pëtering (Hans-Gert Pöttering), është shprehur i kënaqur me rezultatin e raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale në Francë. Pëtering shton, se ndihet i lehtësuar, që politikani ekstremist i djathtë, Lë Pen (Le Pen) ka dështuar.

https://p.dw.com/p/Ar8H

Asnjëherë zgjedhjet presidenciale në Francë nuk e kanë elektrizuar kaq shumë atmosferën sa këtë radhë. Pjesëmarrja në zgjedhje me 85% ishte një rekod në raundin e parë. Pas dy javësh në raundin e balotazhit do të përballen Nikola Sarkozi (Nicolas Sarkozy), ish-ministri i brendshëm konservator dhe socialistja Segolene Rojal (Segolene Rojal). Pas 14 ditësh do të përcaktohet, se cili prej tyre do të jetë president i ardhshëm. Në intervistë për radion kombëtare gjermane, Deutschlandfunk, presidenti i Parlamentit Evropian, Pëtering fillimisht i përgjigjet pyetjes, nëse i përgjet ky rezultat asaj që ka pritur ai?

Pëtering: Eshtë madje më e qartë nga sa e kisha pritur unë. Diferenca prej pesë pikësh mes Sarkozisë dhe Rojalit është më shumë nga ç´kisha menduar. Unë besoja, se ata do të konkuronin pikë më pikë. Por në përgjithësi mund të them, se pjesëmarrja në zgjedhje ishte fenomenale në Francë dhe se tre të katërtat e votave i kanë marrë tre pro-evropianë, si Nikola Sarkozi, Segolene Rojal dhe Fransua Bajro (Francois Bayrou). Kjo është mirë si për Francën edhe për Evropën. Jam shumë i kënaqur me rezultatin e këtyre zgjedhjeve.

Pëtering e njeh Sarkozinë nga periudha që ai ka qenë në Parlamentin Evropian. Ai ka qenë në të njëjtin fraksion paralamentar, në unionin e partisë popullore evropiane. Pothuajse e gjithë Franca ka pasur probleme të mëdha me Sarkozinë, duke e konsideruar atë si konservator si shumë djathtas. Por çfarë mendon presidenti i Parlamentit Evropian lidhur me këtë?

Pëtering: Natyrisht që kjo ka të bëjë gjithmonë me predispozitën dhe imazhin që krijohet ndaj një kandidati. Unë besoj, se tani u bë e qartë, se po ai përpiqet të orientohet drejt qendrës me deklarimet e tij, që kanë qenë mjaft të moderuara. Besoj, se ai është një njeri, që nga njëra anë do të përpiqet t´i japë Francës më shumë siguri, por nga ana tjetër është edhe i hapur jo vetëm për një unitet më të madh në Evropë, por edhe i hapur ndaj botës. Ai nuk është anti-amerikan, por ka një qëndrim pozitiv ndaj Amerikës pavarësisht nga të gjitha mosmarrëveshjet që ekzistojnë me Amerikën. Pra imazhi nuk është kaq bardh e zi, siç besojnë disa. Sa ka të bëjë me Segolene Rojal, ajo ia ka dalë që ta bashkojë sërish të majtën. Për Evropën është mirë, që nuk ka përçarje. Fransua Bajro si një njeri i qendrës është pro-evropian. Të gjitha këto së bashku përbëjnë një rezultat shumë pozitiv për Francën dhe për Evropën.

A është Segolene Rojal më miqësore ndaj Gjermanisë krahasuar me Sarkozinë?

Pëtering: Nikola Sarkozinë unë e njoh si një njeri, që gjithmonë është mbështetur tek Gjermania në kuptimin, që ai është për një bashkëpunim të mirë mes Francës dhe Gjermanisë. Megjithatë edhe ai thotë, gjë që në thelb unë e konsideroj të drejtë, se bashkëpunimi gjermano-francez nuk duhet të jetë dominant, pra nuk duhet të dominojë. Ne kemi nevojë edhe për partnerë të tjerë. Ne duhet që të gjithë të kemi në fokus Evropën e përbashkët. Për këtë janë si Nikola Sarkozi ashtu edhe Segolene Rojal. Të dy këta konkurrentë janë kualifikuar për raundin e dytë dhe nga këndvështrimi i Gjermanisë që të dy janë personalitete shumë të pranueshme pavarësisht, se cili prej tyre do të jetë në fund president.

Por cili do të ishte më i preferuar si president i Francës nga ju?

Pëtering: Unë si president i Parlamentit Evropian nuk dua të ndërhyj. Unë jam zgjedhur si me votat e njërit ashtu edhe të tjetrit. Socialistët francezë ndoshta kanë qenë më të rezervuar ndaj kandidatëve të partisë popullore evropiane. Ndërsa tani unë jam president në parlament për të gjithë. Unë e njoh Nikola Sarkozinë edhe përmes bashkëpunimit shumë të mirë për vite me radhë. Nëse do të jetë ai president, ai do të veprojë në frymën pro-evropiane. Nëse presidente do të jetë Segolene Rojale edhe ajo në thelb do të bëjë të njëjtën gjë.

Zhan-Mari Lë Pen (Jean Marie Le Pen) për rrethanat e tij ka dalë shumë dobët, duke marrë pak më shumë se 10% të votave. Si president i Parlamentit Evropian kohët e fundit keni pasur përvoja jo të këndshme me ekstremistët e djathtë. A ju lehtëson tani rezultati që ka arritur Lë Pen?

Pëtering: Po, unë jam shumë i lehtësuar për këto rezultatete të zgjedhjeve. Ai ka pësuar humbje të ndjeshme. Përpara pesë vjetësh Lë Pen arriti të dalë në raundin e dytë, gjë që çoi në një rezultat fenomenal për Zhak Shirakun (Jaques Chirak). Në fakt ky është një mesazh i madh dhe i mirë në Francë, që ekstremizmi i djathtë tani nuk ia ka dalë dhe që elektorati orientohet më shumë nga qendra. Nikola Sarkozi është një njeri i qendrës së djathtë, Segolene Rojal përfaqëson qendrën e majtë dhe Fransua Bajro i përket qendrës, pra shumica preferojnë qendrën. Ky është një sinjal i mrekullueshëm për Francën dhe për Bashkimin Evropian.

Sa i ka frenuar lufta elektorale në Francë zhvillimet në BE, që këtë periudhë dhe deri në fund të qershorit përfaqësohet nga Gjermania?

Pëtering: Kjo fushatë nuk i ka frenuar aspak zhvillimet në BE. Franca ka një president aktiv. Zhak Shiraku ka qenë i pranishëm në takimet e nivelit të lartë si dhe në samitin e Deklaratës së Berlinit, që ishte një deklaratë e përbashkët e Këshillit të BE-së, e Parlamentit Evropian dhe Komisionit të BE-së. Më 25 mars në Berlin u dha një sinjal i mirë për Evropën dhe unë pres tani nga samiti më 21 dhe 22 qershor, që të bëhet e mundur, që ne nën drejtimin e kancelares, Angela Merkel, me një mbështetje të fortë të Parlamentit Evropian të marrim vendime lidhur me të ardhmen e marrëveshjes për kushtetutën. Pas rezultatit të zgjedhjeve tani në Francë unë jam plot besim, se do t´ia arrijmë kësaj.

Znj. Rojal, nëse do të bëhet presidente në vitin 2009 do të organizojë një referendum tjetër për kushtetutën e BE-së. Para disa vjetësh ishte një shok që francezët thanë jo. A është Segolene Rojal e aftë që ta përballojë këtë, apo ajo mund të bëjë të njëjtin gabim si Zhak Shiraku?

Pëtering: Unë nuk dua të jap këshilla. Ky është një vendim që i përket Francës, se si do të veprohet nga ana proceduriale. Nikola Sarkozi gjithmonë ka thënë, se nëse do të zgjidhet, atëherë ai ka edhe mandatin për marrëveshjen e kushtetutës, që ai do ta reduktojë pak. Por nga perspektiva jonë e parlamentit është vendimtare, që të ruhet substanca e kësaj marrëveshjeje. Ai do që marrëveshjen ta paraqesë në parlament dhe thotë, se duke qenë president i Francës ka edhe për këtë një mandat. Unë e vlerësoj këtë si një procedurë të arësyeshme.

Ai do që të ketë një marrëveshje të thjeshtë të ndryshuar. A është kjo, ajo që ju shpresoni nga pala franceze?

Pëtering: Askush, në Evropë nuk vendos vetëm. Këtu ka 27 vende antare, të mëdha dhe të vogla. Të gjithë kanë rëndësinë e vet. Kemi Parlamentin Evropian, Komisionin e BE-së. Në fund duhet të vendoset në frymën e një kompromisi që nuk presupozon fitoren as të minimalistëve dhe as të maksimalistëve. Ky duhet të jetë një kompromis që ta udhëheqë drejt së ardhmes substancën, përmbajtjen e vërtetë të domosdoshme të marrëveshjes së kushtetutës. Për këtë janë të nevojshme reformat. Por këtu bëjnë pjesë edhe vlerat, që i bashkojnë evropianët. Për këtë do të luftojë Parlamenti Evropian. Kushdo që ka përgjegjësi në Evropë dhe në vendet antare duhet të jetë i gatshëm për kompromise dhe unë të njëjtën gjë e pres edhe nga presidenti apo presidentja e ardhshme franceze.