1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përvoja e pakicave të tjera - Debati për shkollat turke në Gjermani dhe përvoja e grekëve me shkollat e veta

Assimenios, Stamatis14 Shkurt 2008

Propozimi i kryeministrit turk Erdogan, për të ngritur institucione arsimore për turqit në Gjermani, e ka nxehur më tej debatin për integrimin e të huajve. Grekët, një grup i vogël në Gjermani, kanë shkollat e veta.

https://p.dw.com/p/D7RJ
Klasa e pestë e shkollës në Erenfeld/Këln, nga ora e mësimit mbi fenë islameFotografi: dpa
Një në pesë vetë nga 47 mijë nxënësit me origjinë turke në Gjermani viziton një nga gjithsej 35 shkollat greke në vend. Shumicën e nxënësve i takon në klasat e larta të shkollave. Shumica e tyre kanë kaluar pas mbarimit të tetë apo nëntë vjetëve të parë të shkollës, pra pas mbarimit të atyre që në Gjermani quhen shkolla reale dhe kryesore, në sistemin shkollor grek, me synimin e kryerjes së maturës greke dhe fitimin e një vendi në një universitet grek.
A kanë qenë droja për humbjen e identitetit dhe kulturës kombëtare shkaku që i ka nxitur "gastarbeiter"-ët, të ashtuquajturit "punëtorë mysafirë" grekë të implantojnë në Gjermani sistemin shkollor grek? Apo ka pasur shkaqe të tjera për këtë vendim? Profesori Mihal Damanakis i Universitetit të Kretës mendon për këtë: "Këto shkolla kanë një synim shumë praktik. Ato u mundësojnë nxënësve që mbarojnë tetë ose nëntë klasë në shkollat gjermane aksesin në universitetet e atdheut të tyre. Shkaqet që i nxisin prindërit, t'i dërgojnë fëmijët atje nuk kanë thuajse fare të bëjnë me ruajtjen e identitetit kombëtar. Prindërit janë të interesuar për të shfrytëzuar kushtet më të përshtatshme të sistemit shkollor grek për fitimin e një vendi studimi nga fëmijët e tyre, gjë të cilën nuk e lejon sistemi shkollor gjerman për shkak të strukturës së tij."
Pedagogu grek di për se flet. Në vitet 70 ai ka qenë vetë mësues në shkollat greke në Gjermani. Ai e kritikon sistemin arsimor me tri shkallë në Gjermani dhe përzgjedhjen e hershme pas klasës së katërt. Megjithatë: "Nga pikëpamja pedagogjike, shkollat greke në Gjermani nuk kanë legjitimim. Argumentimi për ekzistencën e tyre bazohet në politikën arsimore dhe jo në atë refleksione pedagogjike. Sepse këto shkolla i ndajnë fëmijët grekë nga ata gjermanë dhe nga të tjerët..."
Shkollat e para greke u themeluan në vitet 60. Statusi i qëndrimit të "punëtorëve mysafirë" në atë kohë varej nga puna që kishin dhe kuota e kthimeve qe e lartë. Sipas shifrave zyrtare, midis viteve 1959 dhe 1990 në Gjermani kanë ardhur më shumë se një milionë grekë. Rreth 800 mijë janë kthyer pas qëndrimeve të gjata apo të shkurtra sërish në atdhe. Në këtë kontekst mund ta kuptosh vendimin për një shkollë greke. Por sot, popullsia me origjinë greke në Gjermani ka tendencë të qendrojë në Gjermani. Situata sot është më komplekse, thotë Konstatin Dimitriu, kryetar i shoqatës së bashkësive greke në Gjermani: "Që kur Greqia është bërë anëtare e BE, ka ndryshuar dukshëm edhe sjellja e emigrimit e grekëve. Mobiliteti i tyre është rritur."
Por njëkohësisht është e vërtetë edhe që grekët tani kanë tendencë më shumë të qendrojnë në Gjermani. Ai tërheq vëmendjen për numrin e madh të të papunëve grekë në Gjermani dhe përfunduesve të pakualifikuar të shkollave greke. Shkollat greke nuk përshtaten për shkak të ndërtimit të tyre për fëmijët grekë që duan të qendrojnë në Gjermani.
Prej 40 vjetësh, në bashkësitë greke dhe mes ekspertëve grekë ka grindje për kuptimin e shkollave greke në Gjermani. Përgjigjen më të fortë e japin ndoshta shifrat, sepse 80% e nxënësve grekë që jetojnë në Gjermani ndjekin një shkollë gjermane.