1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përse Angela Merkel mund të bëhet ende kancelare

Uta Thofern24 Shtator 2005

Pas rezultatet të dobët, të papritur të partive të bashkimit kristiandemokrat-kristiansocial në zgjedhjet e së dielës, më i keq sesa rezultati i dobët i zgjedhjeve të vitit 2002, janë të shumtë ata që e shohin me mjaft skepticizëm të ardhmen e kandidates për kancelare dhe kryetares së Partisë Kristiandemokrate, Angela Merkel. Natyrisht që ajo ka ende mundësinë për tu bërë kancelare. Angela Merkel nuk duhet nënvlerësuar, mendon Uta Thofern në komentin e saj.

https://p.dw.com/p/Ar2k
Angela Merkel
Angela MerkelFotografi: dpa

Kush e nënvlerëson Merkelin, ka humbur tashmë. Kjo fjali është bërë e njohur, por ra shpejt në harresë pas rezultatit të dobët zgjedhor të Angela Merkelit, i cili nuk pritej. Ndoshta këtu ka një gabim. Horst Seehofer ishte ai të cilit i shpëtoi ky vlerësim pasi partia e vet CSU u desh të bënte kompromise me CDU-në e Merkelit në politikën shëndetsore - kompromise që Seehofer nuk i duronte dot. Eksperti i CSU-së për shëndetsinë i dorëzoi postet e tij dhe që atëherë konsiderohet si një nga viktimat më të njohura të Merkelit. E Seehofer zbërtheu veten, krejt i vetëdijshëm për pushtetin e tij të madh politik në CDU/CSU, ai rrezikoi aq shumë saqë as kreu i CSU-së Edmund Stoiber nuk mundi ta mbante më. Seehofer-i si figurë me peshë ra dhe "vajza" Angela u shndërrua përfundimisht në një Merkel, përbindësh që vret burra.

Ç'vlerësim i gabuar! Angela Merkel nuk vret pabesisht, madje ajo as nuk intrigon. Ajo që di të bëjë Merkel-i është të durojë nënvlerësimin dhe të presë. Për shembull deri sa të tjerët bëjnë gabime.

Që gjoja viktimat e saj janë zakonisht burra nuk ka të bëjë me faktin që ajo është grua. Merkel-i nuk është grua "tipike", por establishmenti politik i përbërë kryesisht nga burra priret drejt gabimit tipik mashkullor të mbivlerësimit të vetes. Asgjë nuk e dokumenton këtë dukuri më mirë sesa shfaqja televizive e Gerhard Schröder-it në mbrëmjen e zgjedhjeve. Ende republika vret mendjen se ç'e shtyu Schröder-in ose ç'substancë kishte marrë që të inskenonte një akt të tillë të paparë mbivlerësimi të vetes përpara kamerave. E ka gjasa që paraqitja të ketë qenë e llogaritur: Të hidhesh në sulm, të shpallësh veten fitues, ta zësh ngushtë "vajzën" që e ka marrë një goditje dhe t'ua hedhësh atë për asgjësim burrave të partisë së saj.

Me rregulla loje, demokratike kjo nuk kishte të bënte më. Por plani nuk qe menduar mirë. Sepse ndryshe nga ç'pritej Merkel-i nuk u rrëzua, por i instrumentalizoi sulmet e Schröder-it për të siguruar solidaritetin vërtet të rrezikuar në radhët e CDU/CSU-së. Kush qëllon tani kundër Merkel-it në parti, mbi të rëndon dyshimi se mbështet Schröder-in.

Në jetën e vet Angela Merkel është shpallur disa herë më tepër e eliminuar në krahasim me kancelarin e medies, i bindur nga vetja e që jepte goditje në mbrëmjen e zgjedhjeve. Kjo grua duron më shumë goditje se një boksier me pagesë. Ajo përdor deri në fund logjikën, është e lirshme sa s'bëhet dhe tepër këmbëngulëse. Këto nuk janë as veçori mashkullore e as femërore, por janë veçori me të cilat ajo ende mund të bëhet kancelare. Kryetarët e qeverive në Gjermani nuk zgjidhen ende sipas rregullave të boksit.