1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përmbytje në veri të Pakistanit me pasoja të mëdha - Rastet e para të kolerës

3 Gusht 2010

Përmbytjet në veri të Pakistanit po marrin përmasa gjithnjë e më të mëdha. Sipas të dhënave zyrtare deri tani kanë humbur jetën së paku 1.500 vetë.

https://p.dw.com/p/OajE
1.500 vetë kanë humbur jetënFotografi: AP

Nga ajri duken të gjitha përmasat e katastrofës. Fshatra të tërë i ka marrë me vete uji. Të korrat janë shkatërruar. Uji ka përmbytur një rajon, i cili është gjithsesi i prapambetur. Kush ka mundur ka ikur. Sipas të dhënave të OKB-së, një milion vetë kanë mbetur të pastrehë nga përmbytjet, ose kanë marrë arratinë.

"Në shtëpinë tonë nuk ka më as ujë, as rrymë as benzinë, Infrastruktura është shkatërruar. Të gjitha shtëpitë janë shkatërruar. është e papërshkrueshme", thotë ky burrë.

Kush ka mundur ka ikur
Kush ka mundur ka ikurFotografi: AP

Forcat e shpëtimit nuk kanë mundur të depërtojnë në shumë zona të katastrofës, meqënëse shumë rrugë janë të pakalueshme dhe urat janë shembur. uji i pijshëm është me pakicë, prandaj organizatat humanitare kanë paralajmëruar nga rreziku i përhapjes së epidemive. Nicki Benett, zëdhënëse e OKB-së për Pakistanin, thotë:

"Duhet të jemi me të vërtetë shumë të kujdesshëm. Mund të ndodhë relativisht shpejt, që që atje të shpërthejnë dhe të përhapen relativisht shpejt sëmundje, si psh kolera. Prandaj, si në çdo situatë përmbytjeje ky është në moment një nga prioritetet tona më të mëdha."

Shumë vende, ndër to edhe Gjermania, deklaruan se do të dërgojnë ndihma urgjente në Pakistan. Presidenti Christian Wulff dhe kancelarja Angela Merkel i shprehën qeverisë pakistaneze ngushëllimet për viktimat e katastrofës. Ditët e ardhshme pritet që shirat e monsumit të shtohen.

Sipas të dhënave të Kryqit të Kuq gjerman, në zonat e përmbytura janëë shfaqur rastet e para të kolerës. Deri tani janë regjistruar disa raste të sëmundjes. Po ashtu ka patur përhapje të diaresë. Prandaj ndihmat mjekësore janë të nevojshme.

Autor: DW/ Angelina Verbica

Redaktoi: Aida Cama