1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përjashtohet mundësia e negociatave të reja për kushtetutën evropiane

19 Maj 2005

Gjermania, Franca dhe Polonia përjashtuan mundësinë e negociatave të reja për kushtetutën evropiane. Një hap i tillë do të ishte iluzion i pastër edhe në rast se dështon referendumi për kushtetutën evropiane në Francë, u shpreh kancelari gjerman, sot gjatë një takimi trepalësh me presidentin francez Zhak Shirak dhe atë polak Aleksander Kvasnievski.

https://p.dw.com/p/ArEN
Shirak, Shrëder dhe Kvasnievski në Nansi
Shirak, Shrëder dhe Kvasnievski në NansiFotografi: AP

Kancelari gjerman Gerhard Shrëder dhe presidenti polak Aleksander Kvasnievski u bënë thirrje francezëve që në referendumin e 29 majit t`i thonë "po" kushtetutës evropiane. Evropa ka nevojë për Francën, deklaruan të dy burrështetasit gjatë një takimi me presidentin francez Zhak Shirak në Nansi të Francës. Megjithatë tre politikanët nuk arritën të pajtohen rreth shumës së buxhetit të Bashkimit Evropian dhe ndihmave për Poloninë. Sidoqoftë në deklratat e tyre për shtyp politikanët evropianë u shprehën shumë unik.

"Ne sot jemi një grup i cili është i vendosur të rrënjos paqën, demokracinë dhe lirinë në kontinentin tonë të përbashkët. Të vendosur po ashtu të mbështesim modelin e zhvillimit ekonomik dhe përparimin social, thënë ndryshe modelin social evropian i cili në mënyrë të veçantë përfaqësohet nga modeli gjerman dhe francez. Dhe të vendosur gjithashtu që të rrisim peshën e Evropës në botë", tha Shirak.

Gjermania, Franca dhe Polonia kanë përjashtuar kategorikisht negociatat e reja për kushtetutën evropiane. Një hap i tillë do të ishte një iluzion edhe në rast se dështon referendumi francez, nënvizoi kancelari Shrëder. Për këtë janë të pajtimit të gjithë, u shpreh Shrëder.

"Me këtë planin B mendohet gjithnjë se mos ekziston një mundësi që kushtetuta të ndryshohet tërsisht apo pjesërisht. Unë dua ta them qartë: ky është një iluzion i pastër. Nuk ka as të voglën shenjë për rihapjen e procesit të kushtetutës dhe për këtë janë unik të gjithë pjesëmarrësit", theksoi Shrëder.

Temë qendrore e takimit trepalësh ishte financat e Bashkimit Evropian. Bashkarisht të tre politikanët kërkuan negociata të reja për 'rabatin britanik' të kontributeve të Bashkimit Evropian që aplikohet që prej vitit 1984. Për planifikimin e buxhetit prej vitit 2007 deri në vitin 2013 kjo çështje duhet të rregullohet ndryshe me britanikët, tha presidenti francez Zhak Shirak.

Homologu i tij polak Kvasnievski kërkoi për Poloninë ndihma të barabarta si për Spanjën. Për t`i plotësuar dëshirën Polonisë Bashkimi Evropian duhet të rris buxhetin, për çka nuk shprehën gatishmëri as kancelari Shrëder e as presidenti Shirak.

Kancelari gjerman Gerhard Shrëder dhe të dy presidentët u takuan në kuadër të të ashtuquajturit "Trekëndshi i Vajmarit". Takimi i parë i këtij lloji u bë mes ministrave të jashtëm të Gjermanisë, Francës dhe Polonisë në vitin 1991 ku u vendos që konsultime të tilla trepalëshe të zhvillohen çdo vit.