1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përgjegjësi historike - Thirrje që romët të mos kthehen në Kosovë

9 Dhjetor 2009

Me argumentin se Gjermania mban përgjegjësi historike ndaj romëve, disa organizata joqeveritare i kanë drejtuar një apel qeverisë gjermane që të mos i kthejë në Kosovë afro 10 000 romët që jetojnë me Duldung në Gjermani.

https://p.dw.com/p/KxxP
Romani Rose, kryetar i Këshillit të romëve në Gjermani.
Romani Rose, kryetar i Këshillit të romëve në Gjermani.Fotografi: picture-alliance /dpa

Pikërisht më 8 dhjetor 1938, ish-udhëheqësi SS i rajhut të tretë, Heinrich Himmler, pat nxjerrë një dekret për "rregullimin e çështjes së ciganëve nga pikëpamja racore". "71 vjet më parë në Gjermaninë naziste filloi përndjekja e romëve dhe sintit. Në periudhën e mëvonshme u vranë mbi 500 mijë romë dhe sinti nga nazistët. Ne donim ta përkujtonim këtë ditë dhe në të njëjtën kohë ta bënim një apel tek vendimmarrësit e sotëm në Gjermani, që të sillen me përgjegjshmëri ndaj romëve dhe sintit", tha Marai Pelzer nga organizata gjermane për mbrojtjen e refugjatëve, Pro Asyl të martën për Deutsche Wellen.

Organizatat humanitare kanë kohë që po e kërkojnë moskthimin e romëve: qysh në maj të këtij viti, kur ministrat e brendshëm të Gjermanisë patën rënë dakord që të japin dritën e gjelbër për kthimin e ish-refugjatëve nga Kosova. Por apelet e tyre deri tani kanë hasur në vesh të shurdhët, si nga ministrat e landeve, ashtu edhe nga ai federal.

"Ne kemi punuar intensivisht me qeverinë e Kosovës për të hartuar marrëveshjen e kthimit", tha për Deutsche Wellen një zëdhënës i ministrisë së brendshme. "Marrëveshja tani është hartuar me kujdes dhe ka mbetur vetëm që të nënshkruhet. Ajo parashikon një kthim të ngadalshëm dhe të kujdesshëm të romëve", tha zëdhënësi më tej. Sipas ministrisë së punëve të brendshme, qysh nga vera e këtij viti në Kosovë janë kthyer vetëm 60 nga gjithsej 10 mijë romët me status të parregullt.

Krahas Pro Asyl-it, në aksionin e mbledhjes së nënshkrimeve marrin pjesë edhe disa këshilla refugjatësh në nivel landesh si dhe organizata majtiste "Bashkimi i të përndjekurve nga nazistët" (VNN). "Gjermania e pranoi me vështirësi fajin historik dhe me shumë vonesë e njohu të drejtën e tyre për dëmshpërblim dhe për ngritjen e një përmendoreje përkujtimore. Por ne jemi të mendimit se ajo tani ka një përgjegjësi morale ndaj romëve dhe sintit dhe që nuk mund t'i kthejë ata me detyrim në Kosovë, ku ka një diskriminim masiv të romëve", tha Pelzer më tej. Sigurisht që ata nuk janë pasardhësit e mirëfilltë të tyre, por një shtet, që është pasardhës i një regjimi që i ka përndjekur romët dhe sinti në një masë kaq të madhe duhet të sillet më me ndjeshmëri ndaj këtij grupi dhe t'i trajtojë ata në përputhje me të drejtat e njeriut", gjykoi aktivistja për të drejtat e refugjatëve.

Apeli i shoqatave është nënshkruar ndër të tjerash edhe nga Felicia Langer, avokate gjermano-izraelite e lindur në Poloni, mbajtëse e çmimit alternativ për paqen, Romani Rose, kryetar i Këshillit Qendror të Sintit dhe Romëve gjermanë, si dhe një numër i madh deputetësh të spektrit të majtë landesh dhe federatash. Shoqatat apelojnë tek Gjermania, se është dëshmi për "mungesë kredibiliteti, në se nga njëra anë Gjermania njeh dhe dënon gjenocidin ndaj hebrenjve, romëve dhe sintit, e nga ana tjetër anëtarëve të këtyre etnive u mohon mbrojtjen e parezervë", thuhet në deklaratën e shoqatave. "Ne jemi shumë të vetëdijshëm për përgjegjësinë tonë historike," reagon zëdhënësi i qeverisë, "por ne jemi dhe të vetëdijshëm që kemi bërë një marrëveshje me qeverinë e Kosovës dhe atë do ta zbatojmë."

Autor : Anila Shuka

Redaktoi : Aida Cama