1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përfundoi sot Kongresi Kombëtar Popullor kinez

Petra Aldenrath14 Mars 2006

Në Pekin përfundoi sot Kongresi Kombëtar Popullor. Tema sociale ishin në rend të ditës, por edhe rritja e shpenzimeve ushtarake.

https://p.dw.com/p/Aqqg
Kongresi Kombëtar Popullor
Kongresi Kombëtar PopullorFotografi: AP

Në mbyllje të Kongresit Kombëtar Popullor në Pekin orkestra ushtarake luajti Internacionalen. Pas 10 ditësh parlamenti socialist i Kinës përfundoi punimet. Rreth 3 mijë delegatët miratuan si gjithnjë planet e paraqitura nga qeveria. Asnjëherë në historinë e Kinës komuniste nuk ka ndodhur që këto raporte të hidhen poshtë.

Synimi kryesor i qeverisjes në Kinë në vitet e ardhshme do të jetë ndërtimi i zonave bujqësore. Në vend që të investohet më tej në qytete që përjetojnë bume dhe në zona ekonomike, investimet prej miliardash do të mbështesin zhvillimin e zonave fshatare, theksoi kryeministri Ven Jibao:

"Ndërtimi i zonave të reja socialiste bujqësore do të thotë se ne i kushtojmë bujqësisë dhe zonave fshatare një vëmendje të madhe në agendën tonë. Ne duhet ta nxisim industrinë që të mbështesë zonat bujqësore dhe qytetet duhet të mbështesin fshatrat. Kjo do ta forcojë modernizimin e zonave fshatare."

800 milionë fshatarë jetojnë në Kinë, 200 milionë prej tyre jetojnë me më pak se një dollar në ditë. Gjithnjë e më shpesh popullsia fshatare është ngritur në revolta kundër ndarjes së pabarabartë të punës, kundër korrupsionit dhe kundër ndotjes gjithnjë e më të madhe të ambjentit. Pas një sërë aksidentesh kimike, Kina do të verë rregulla më të rrepta edhe në këtë drejtim për fabrikat dhe do t'i ndëshkojë më rëndë ndotësit e ambjentit.

Parlamenti i Pekinit miratoi në mbledhjen e tij të fundit edhe buxhetin, i cili parashikon një rritje të shpenzimeve ushtarake me rreth 15%. Një rritje, e cila është shumë e lartë, në kuadër të tensioneve më të fundit. Pasi Cen Shuibian, presidenti i Tajvanit bllokoi pak kohë më parë punën e Këshillit të ribashkimit, Pekini vringëllin sërish shpatat. Kryeministri Ven Jibao dërgoi në konferencën e tij të shtypit një paralajmërim:

"Ne i vëzhgojmë me shumë kujdes zhvillimet. Ne jemi të përgatitur për një përplasje të mundshme." Por do të punohet edhe më tej që të arrihet një ribashkim paqësor, tha më tej Ven Jibao.

Edhe censura e internetit në Kinë, e kritikuar në botë ishte temë e kongresit. 110 milionë kinezë shfrytëzojnë ndërkohë internetin. Por ai që publikon në Perandorinë e Mesit në internet kritika që nuk i pëlqejnë qeverisë, kërcënojnë të arrestohen. Organizata e të drejtave të njeriut "Amnesty International" vlerëson se në burgjet kineze ndodhen të paktën 50 disidentë interneti. Por për këtë kryeministri Ven Jibao nuk foli:

"Kushtetuta e Kinës përcakton që çdo qytetar të ketë të drejtën dhe lirinë të përdorë internetin. Por në të njëjtën kohë, të gjithë qytetarët duhet të respektojnë me ndërgjegje ligjet dhe rregulloret. Ata duhet t'i ruajnë interesat kombëtare dhe sociale."

Prej vitit 2001 konsiderohet si krim kapital publikimi në internet i teksteve, që rrezikojnë sigurinë e shtetit. Se cilat tekste hyjnë këtu, këtë e përcakton qeveria. Tabu janë tema si pavarësia e Tibetit, sekti i ndaluar në Kinë, Falung-Gong si edhe shtypja e lëvizjes demokratike më 4 qershor 1989. Qeveria kineze tani planifikon të kontrollojë edhe mesazhet SMS në rrjetin e telefonëve celularë. Me këtë do të binte edhe bastioni i fundit i shprehjes së lirë të mendimit në Kinë.