1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Për shkak se nuk ndjehen të sigurt shqiptarët e pjesës veriore të Mitrovicës po shesin pronat

Bekim Shehu/Prishtinë 19 Gusht 2008

Qeveria e Kosovës thotë se për blerjen e pronave angazhohet drejpërdrejt qeveria e Serbisë, e cila po ofron shuma të majme dhe u bën thirrje shqiptarëve të veriut të Mitrovicës që të mos i shesin pronat e tyre.

https://p.dw.com/p/F0zT
Ura e Mitrovicës
Ura e MitrovicësFotografi: DW/Sand

Autoritetet në Kosovë, janë të shqetësuara nga një nismë e qeverisë së Serbisë, e cila po blenë prona të shqiptarëve në pjesën veriore të Mitrovicës. Qeveria e Serbisë, sipas zyratarëve në Prishtinë, po ofron çmime shumë të larta, gjë që ka joshur qytetarët shqiptarë të pjesës veriore që të shesin pronat e tyre. Qeveria e Kosovës, kërkon nga qytetarët shqiptarë të Mitrovicës veriore që mos të shesin pronat e tyre.

Kryeministri, Hashim Thaçi, u premton atyre se qeveria e tij, tashmë ka filluar të investojë në këtë pjesë. "I ftoj qytetarët e Mitrovicës, që mos të shesin pronat e tyre. Qeveria ime tash është duke investuar në këtë pjesë madje edhe në ndërtimin e shtepive për shqiptarët."

Mirëpo, banorët e pjesës veriore të Mitrovicës, ndjehen të harruar nga mekanizmat qëndrorë të Kosovës dhe ata thonë se kanë qenë të detyruar që të shesin pronat e tyre sepse nuk mund të jetojnë të sigurt në këtë pjesë.

Violeta Hyseni, është njëra nga banorët e pjesës veriore, e cila e ka shitur shtëpinë e saj. "Thjeshtë, jemi lodhur nga një situatë e pandryshuar tash e nëntë vjet në pjesën veriore të Mitrovicës. Erdhi një moment kur ndiheshim të harruar nga të gjithë, nuk kemi pasur përkujdesje nga ana e institucioneve dhe thjeshtë e kemi shitur shtëpinë sepse kishim frikë se do ta humbim atë."

Gjendja e sigurisë në pjesën veriore të Mitrovicës vazhdon të jetë e tensionuar ndërsa, raportet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve dita-ditës vetëm sa vijnë e përkeqësohen. Kryeministri Thaçi, pranon se situata në pjesën veriore të Mitrovicës vazhdon të jetë e njëjtë tash e nëntë vjet që nga përfundimi i luftës, mirëpo, ai premton se qeveria e tij, të paktën ka sensibilizuar çështjen e Mitrovicës dhe në një të ardhme të afërt, gjendja në këtë pjesë sipas tij, do të jetë e qëndrueshme.

"Për herë të parë kemi një qeveri që nuk pajtohet me atë realitet dhe punon për ta ndryshuar realitetin në Mitrovicën veriore, jo në kuptimin e veprimeve të dhunshme, mirëpo me një politikë bashkëpunuese, mirëkuptuese, pajtuese edhe në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar." - tha Thaçi.

Qyteti i Mitrovicës vazhdon të jetë i ndarë në dy pjesë, në atë veriore e dominuar nga serbët dhe pjesën jugore e banuar nga shqiparët. Marti Ahtisari, në planin e tij, ka menduar se Mitrovica duhet të ketë dy komuna, një serbe dhe një shqiptare, mirëpo në tërësinë e një qyteti. Kjo formulë, është pranuar nga shqiptarët, mirëpo jo nga serbët. Këta të fundit tashmë kanë formuar kuvendin e tyre komunal, i përgjigjen vetëm qeverisë së Serbisë, ndërsa përpiqen të pengojnë çdo invesim që vjen nga qeveria e Kosovës. Rasti i fundit është ndërprerja e punimeve për ndërtimin e një ujësjellësi për fshatrat shqiptare që gjenden në veri. As forcat paqeruajtëse nuk janë lejuar që ta përfundojnë këtë projekt.