1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Për një botë pa armë atomike

6 Prill 2009

Presidenti i SHBA-së Barack Obama të dielën në mbrëmje i dha fund vizitës 24 orëshe në Çeki dhe u nis drejt Turqisë. Të hënën (06.04) Obama përfundon udhëtimin e tij të parë në Evropë.

https://p.dw.com/p/HR5X
Obama dhe Angela MerkelFotografi: AP

Në Pragë Obama pas fjalimit, që mbajti lidhur me çarmatimin bërthamor dhe pas samitit BE-SHBA jashtë programit zyrtar, pati një takim privatisht edhe me ish-Presidentin çek, Vaclav Havel. Havel konsiderohet si figura simbolike e lëvizjes së rezistencës në Evropën Lindore në periudhën e regjimit komunist.

Të nevojshme përpjekjet globale për pakësim dhe siguri më të mirë të armëve bërthamore

Ndonëse Lufta e Ftohtë ka marrë fund, rreziku i armëve bërthamore është rritur, ndaj Presidenti i SHBA-së Barack Obama kërkon një nismë të re në luftën kundër këtyre armëve. Sot shtetet posedojnë më shumë armë bërthamore se më parë: "Rreziku i një lufte bërthamore nuk është zvogëluar, përkundrazi është rritur rreziku i një sulmi atomik, theksoi Obama duke bërë thirrje në Pragë për një botë pa armë bërthamore. Çarmatimi i plotë pa dyshim do të kërkojë kohë, por ai është i mundur. "Bashkë ne mund t´ia dalim", bëri thirrje Obama i shoqëruar nga brohoritjet entuziaste të më se 20 000 njerëzve të mbledhur në sheshin përpara kalasë së Pragës Hradshin. Sipas Obamës janë të nevojshme përpjekjet globale për të arritur pakësimin dhe një siguri më të mirë të armëve bërthamore në botë. Për këtë qëllim ai dëshiron të organizojë deri në fund të vitit një konferencë ndërkombëtare të nivelit të lartë në Uashington, deklaroi Obama në Pragë në kuadër të turit të tij të parë në Evropë si president.

Fjalimi i Obamës në Pragë u eklipsua prej lajmit për provën e raketës me rreze të gjatë veprimi, që kreu të dielën (04.04) Koreja e Veriut. Obama e quajti atë si një "provokim", që duhet ndëshkuar, "jo vetëm prej Këshillit të Sigurimit". Bashkësia ndërkombëtare duhet të veprojë bashkarisht kundrejt Penjanit, bëri thirrje presidenti i SHBA-së.

Sipas tij SHBA-ja ka "detyrim moral" të veprojë, sepse deri tani ajo është e vetmja fuqi atomike, që i ka përdorur këto armë. Por SHBA-ja nuk mund të heqë dorë nga armët bërthamore, për aq kohë sa në botë ekziston kërcënimi bërthamor.

Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel (CDU) e quajti si një sinjal pozitiv thirrjen për një botë me më pak, ose me aspak armë bërthamore. Edhe ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier theksoi: "E përshëndes faktin, që Obama shpalos vizionin për një botë pa armë bërthamore, edhe pse rruga drejt kësaj është e gjatë dhe e mundimshme."

Komisarja e BE-së për Politikën e Jashtme Benita Ferrero-Waldner e vlerësoi fjalimin e Obamës si një "fjalim të madh vizionar". Ferrero-Waldner i tha agjencisë gjermane të lajmeve DPA në Pragë se edhe Obama e ka të qartë, që qëllimi për shmangien e armëve bërthamore mund të arrihet vetëm hap pas hapi.

Autor:dpa/vfb/Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Angjelina Verbica